1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje e rëndë në tregun e punës në Greqi

4 Dhjetor 2010

Qeveria greke brenda muajit dhjetor duhet të aprovojë ligjin, që hap rrugën për nënshkrimin edhe të kontratave në nivel biznesi, por edhe personale në vend të kontratave kolektive të punës.

Veçanërisht i prekur sektori i ndërtimitFotografi: Dimitris Kapsimalis

E konsideron veten me fat që fundviti e gjen me punë si diliver, shpërndarës paketash ushqimi te Goody's, por çehra në fytyrë i prishet, kur i kujtojmë temën dominante të këtyre ditëve, të mundësisë, që do të kenë punëdhënësit, që me ligj t'u imponojnë punonjësve kontrata sektoriale dhe bile dhe personale pune në vend të kontratës kolektive. «Νë qoftë se arrijmë në nivelin e kontratave personale, duhet të shkojmë të mbytemi që të tërë”, i thotë DW punonjësi Timos Dhjamantopullos tek del nga zyrat e punësimit në bulevardin Aleksanda, duke shprehur shqetësimin e përgjithshëm se me sfond krizën dhe presionin e “troikës” hapet rruga për shthurjen e plotë neoliberale të marrëdhënieve të punës.

Frikë nga shthurja e plotë e marrëdhënieve të punës

Punëtori Nikos Dhjamantopullos.Fotografi: Nikos Anagnostis

Frika e Dhjamantopullos është se punëdhënësit do të spekulojnë dhe do të “bëjnë rregull” atë, që mund të jetë një përjashtim “për të ruajtur vendet e punës” në bizneset problematike. “Nga sa kuptoj do të bëjnë ç'të duan, do të paguajnë ç'të duan, kur të duan dhe nuk do të guxosh të ngresh kokë”, thotë ndërtuesi i papunë këtu e dy muaj, Nikos Kallogjeropullos, familja treanëtarshe e të cilit jeton me asistencën e tij të papunësisë dhe me 17 euro në ditë, që merr e bija me status punësimi katërorësh në një supermarket. “Drejt asaj po shkojmë. Ajo është gjendja, tani jemi bërë të gjithë emigrantë”, thotë Kallogjeropullos dhe sjell shembullin e tij, që u shpërblye me 35 euro në ditë nga një sipërmarrës ndërtimi nga 65 euro, që merr si suvatues.

Punëtori i ndërtimit, Nikos KallogjeropullosFotografi: Nikos Anagnostis

“Punëtori tani ka dalë skarco. Sa po vjen dhe më keq po bëhet. Kemi dy muaj që po hapim sytë. Ku ka punë zotëri...” thotë nga ana e tij imigranti shqiptar, Tajar Xhanari, që para një jave ktheu në Shqipëri vëllanë me gjithë familjen, pasi kishte një vit pa punë. “Asnjë pëspektivë” thotë në mënyrë të përseritur duke kuptuar me instiktin e tij prej njeriu të mundit dhe të djersës atë, që paralajmërojnë statistikat për vitin e ardhshëm, kur papunësia do të rritet nga 12 në 15% dhe të papunët do të arrijnë në 750.000 vetë.

Qeveria flet për një masë të paevitueshme

Në sfondin e një situate të tillë qeveria e kupton se rregullimi ligjor, që duhet të aprovojë javën e ardhshme si obligim ndaj memorandumit me “troikën” kërkon konsensus social. “Në qoftë se ajo do të dështojë të gjithë do të vuajmë pasojat”, deklaroi ministrja e Punës, Lluka Kaceli, e cila kujtoi se e vetmja, që mund të diskutohet, janë “premisat” dhe jo rregullimi ligjor që në të vërtetë është ligj i shtetit, pasi përfshihet si detyrim në memorandumin me troikën. “Premisat i themi troç. Asnjë lirim nga puna. Devijim vetëm për një kohë të caktuar dhe vetëm për biznese problematike”, thotë nga ana e tij edhe zëvendësministri i Punës, Vasilis Qegerogllu, në një përpjekje për të qetësuar forcat e punës me “fleksibilitetin e kontrolluar”, të premtuar nga ana e qeverisë.

Emigranti shqiptar Tajar XhanariFotografi: Nikos Anagnostis

Marrëveshja, që pritet të arrihet dhe mbi bazën e së cilës filloi dialogu i punëdhënësve me partnerët socialë, është ulja prej 12% e pagave të punës në biznese të veçanta për një periudhë 2 vjeçare, sa të dalë vendi nga recesioni i thellë dhe të mos bëhet asnjë lirim nga puna. U fol bile për arritjen e një “pazari” të tillë pas një konsultimi telefonik në fillim të javës midis përfaqësuesve të punëdhënësve dhe partnerëve socialë, që nuk munden të mblidhen në ministrinë e Punës të blloguar nga grevistë militantë, por që u përgënjeshtrua nga Konfederata e Përgjithshme e Punonjësve të Greqisë. “Konfederata e Përgjithshme e Punonjësve të Greqisë as ka rënë dakord dhe as ka për të renë dakord me një drejtim të tillë”, deklaroi presidenti i kësaj organizate më të madhe sindikaliste të vendit, Janis Panagopullos, i cili me një frazeologji të majtë foli për “poshtërsi të sajuar” dhe synimin për të vendosur në “shtratin e Prokrustit interesat kryesisht të punonjësve të sektorit privat”.

Masat të nevojshme për t'i hapur rrugën rimëkembjes ekonomike

Gazetari Babis PolychroniadisFotografi: Nikos Anagnostis

“Duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë se lirimi i afarizmit nga moria e pengesave do të mund të hapë rrugën përseri zhvillimit ekonomik dhe progresit social”, deklaroi nga ana e tij presidenti i Unionit të Industrialistëve, Dhimitris Dhaskallopullos, që propozoi punë dhe të shtunën dhe kompesimin e saj me pushim gjatë javës duke elektrizuar dhe më tepër atmosferën.

Asnjë dhe sidomos sindikatat, që nga punonjësit shihen në rastin më të mirë si të paafta për të frenuar ortekun e masave neoliberale, nuk do që të marrë përsipër përgjegjësinë e asaj që të gjithë besojnë se do pasojë pas këtij ndryshimi të statusit të punës. “Unë mendoj se kjo gjë çon në mesjetën e marrëdhënieve të punës dhe kam ndjesinë se kjo nuk rezultoi tani, me Memorandumin, por ishte një gjë, që e kërkonin bankierët prej kohësh, kur para 4 vjetesh nuk pranonin të nënshkruanin kontratë kolektive me përfaqësuesit e nëpunësve të bankave. Memorandumi thjesht i bën gërat më të lehta”, i thotë DW gazetari i çështjeve ekonomike Babis Polihroniadis. Më të lehta për punëdhënësit, por jo dhe për punonjësit, që ftohen tani të marrin mbi shpatullat e tyre barrën më të madhe të rimëkembjes ekonomike përmes privacionesh gjithnjë e më të mëdha.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica