1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëGjeorgji

Gjeorgji: Kavelashvili zgjidhet president, opozita bojkotoi

Bashir Kitachayev
14 Dhjetor 2024

Gara elektorale në zgjedhjet presidenciale në Gjeorgji u shoqërua me diskursin e ashpër për orientimin politik të vendit në të ardhmen.

Mikhail Kavelaschwili duke folur në konferencë shtypi
Mikhail Kavelashvili, president pasi opozita bojkotoi zgjedhjetFotografi: Georgian Dream party/dpa/picture alliance

(e aktualizuar)Siç pritej, kandidati anti-perëndimor, Kavelashvili u zgjodh  si President i Gjeorgjisë. Mikhail Kavelashvili mbështetej nga qeveria pro-ruse. 224 anëtarë të asamblesë zgjedhore gjeorgjiane prej 300 anëtarësh të përbërë nga deputetë dhe përfaqësues lokalë e rajonalë votuan për ish-futbollistin profesionist antiperëndimor. Opozita gjeorgjiane bojkotoi zgjedhjet, pasi nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të tetorit. Kavelashvili ishte kandidati i vetëm. 

Atmosfera në vend është e tensionuar. Çdo ditë zhvillohen protesta masive në mbarë vendin, të cilave autoritetet po u kundërvihen duke përdorur dhunën.

Konfrontime opozitë qeveri

Sfondi i protestave ka të bëjë me konfrontimin ndërmjet opozitës dhe partisë në pushtet "Ëndrra Gjeorgjiane". Konfrontimi nisi me zgjedhjet parlamentare në tetor (2024) dhe u përshkallëzua, kur qeveria shpalli së fundi pezullimin e procesit të integrimit europian.

Kreu i shtetit me kompetenca të kufizuara

Një ndryshim kushtetues e ashpërsoi krizën, Në vitin 2017 parlamenti me shumicë votash të partisë "Ëndrra Gjeorgjiane" miratoi reformat. Këto ndryshuan procedurën e zgjedhjes së presidentit dhe e kthyen vendin në një republikë parlamentare, në të cilën presidenti ka kompetenca të kufizuara.

Zgjedhjet presidenciale më 2018 ishin të fundit, në të cilat kreu i shtetit u zgjodh direkt nga populli. Presidente e vendit atëherë u zgjodh Salome Surabishvili, kandidatura e së cilës u mbështet nga partia në pushtet. Por më vonë u përkeqësuan raportet ndërmjet partisë pro-ruse "Ëndrra Gjeorgjiane" dhe presidentes pro-europiane Surabishvili.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome SurabishviliFotografi: Alexander Patrin/Tass/IMAGO

Zgjedhjet aktuale presidenciale u zhvilluan sipas një procedure të re. Për herë të parë presidenti zgjidhet nga një kolegj zgjedhor i përbërë nga 300 persona. Në kolegj bëjnë pjesë 150 deputetë të paralmentit të ri dhe 150 të deleguar nga rajonet e vendit. Meqënëse partia në pushtet "Ëndrra Gjeorgjiane" ka shumicën në parlament dhe influencën më të madhe në rajone, për një kandidat të opozitës nuk ka shanse për fitore.

Opozita i bojkoton zgjedhjet

Meqënëse opozita bojkoton parlamentin e ri dhe zgjedhjet presidenciale, vetëm partia "Ëndrra Gjeorgjiane" ka paraqitur një kandidat për president. Sipas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në tetor partia qeverisëse ka fituar 89 nga 150 mandatet parlamentare.

Zgjedhjet janë nën hijen e parregullsive të shumta, gjë që bëri që BE të kërkojë rivotim. Opozita bën fjalë për mashtrime masive elektorale ndaj ka bojkotuar parlamentin.

Presidenta Salome Surabishvili nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve dhe thekson, se tani ajo është i vetmi institucion legjitim shtetëror i Gjeorgjisë. Ajo nuk do të heqë dorë nga posti derisa të ketë zgjedhje të reja parlamentare.

Politologu gjeorgjian Gela Vasadze mendon, se zgjedhjet presidenciale nuk zhvilohen sipas ligjit. "Si mund të zhvillohen zgjedhje, kur parlamenti është ilegjitim?", shtron ai pyetjen. Sipas vlerësimit të tij ka pasur mashtrime masive në zgjedhjet, shoqëria gjeorgjiane nuk i njeh ato.

"Po më e rëndësishmja është, se kushtetuta është shkelur kur u mbajt seanca e parë e parlamentit pa thirrjen nga kreu i shtetit. E kjo ndodhi në një kohë, kur presidentja dhe një numër opozitarësh ngritën padi në Gjykatën Kushtetuese", thotë ai në intervistë për DW.

Protesta kundër qeverisë në TiflisFotografi: GIORGI ARJEVANIDZE/AFP

Kandidati i qeverisë për postin e presidentit

"Ëndrra Gjeorgjiane" ka zgjedhur kandidat për president Miheil Kavelashvili, një ish-futbollist profesionist dhe deputet i parlamentit nga partia pro-qeveritare "Pushteti i Popullit". Përfaqësuesit e shoqërisë civile gjeorgjiane e konsiderojnë atë si autorin e "ligjit për influencën e huaj".

Kjo shkaktoi protesta në vend dhe çoi në përkeqësimin e shpejtë të marrëdhënieve të Gjeorgjisë me vendet perëndimore. Një pjesë e shoqërisë gjeorgjiane e kritikon kandidaturën e Kavelashvilit edhe për arsyen, se ai nuk ka arsim të lartë.

Kavelashvili e akuzon opozitën, se "kontrollohet nga deputetët e Kongresit të SHBA-së", që duan të provokojnë në Gjeorgji një gjoja "revolucion" dhe raporte si në Ukrainë.

Politologu Gela Vasadze mendon, se Kavelashvili nuk mund të konsiderohet si i zgjedhur, por vetëm si një "president i emëruar". Sipas Vasadze në Gjeorgji në kushtet aktuale është e pamundur të zhvillohen zgjedhje.

Protesta në GjeorgjiFotografi: Grzegorz Szymanowski/DW

Gjeorgjia para protestave të mëtejshme

Ndërkaq partia "Ëndrra e Gjeorgjisë"e ka paralajmëruar presidenten Salome Surabishvili, që deri më 29 dhjetor ajo duhet të largohet nga pallati qeveritar në Tiflis. Në këtë ditë do të bëhet ceremonia e inagurimit të presidentit të ri.

Qeveria duket se u druhet protestave të reja. "Organizatorët e aksioneve kriminale duan që të dështojnë zgjedhjet presidenciale më 14 dhjetor në Gjeorgji dhe duan me çdo mënyrë ta pengojnë zgjedhjen e presidentit", thuhet në një deklaratë (10.12.2024) të shërbimit shtetëror të sigurisë.

Ky shërbim pretendon, se autorët me gjasë duan që "mundësisht ta përshkallëzojnë sa më shumë situatën", derisa të çojë në "dy deri në tre viktima". Me këtë synohet, sipas shërbimit shtetëror të sigurisë, që qeveria të akuzohet për "vrasje" me qëllim që "të nxitet edhe më shumë fryma e protestës në vend".