Gjeorgji: paraprakisht sinjalizohen protesta
21 Maj 2008Në sheshin e lojërave përballë godinës së parlamentit gjeorgjian, Jelena, gati 60 vjeç kujdeset për mbesën e saj gjashtëvjeçare, që ka filluar pushimet e verës. Jeta në Gjeorgji është përmirësuar shumë vitet e fundit, thotë ajo. Kjo është e dukshme dhe e ndieshme, megjithë problemet ekonomike dhe papunësinë e lartë.
"Kjo është e qartë. Ne kemi qenë gjithmonë për qeverinë. Unë nuk shoh askënd që të ishte në gjendje t'i zgjidhte problemet, veç qeverisë", na tregon ajo.
Sipas sondazheve të fundit, partia në pushtet e presidentit "Lëvizja e Bashkuar Nacionale" pritet të marrë numrin më të madh të votave. Megjithatë ka mundësi që ajo të mos e marrë shumicën prej dy të tretave, që ka aktualisht. Por fitorja e partisë së tij në pushtet, as që diskutohet për Konstantin Gabashvilin, kryetarin e Komisionit të jashtëm të Parlamentit:
"Ne vendosëm që të bëjmë publicitet për vete pa kritika personale, pa sulme personale. Kjo është e mirë për popullin, për situatën e përgjithshme, për politikën e rindërtimit."
Opozita shkon me skepticizëm në zgjedhje
Opozita, e cila është mbledhur në pjesën më të madhe në bllokun "Opozita e bashkuar" i sheh punët ndryshe. Ajo e akuzon qeverinë se përdor konfliktin me Rusinë për rajonet jo besnike të Osetisë Jugore dhe Abkazisë për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme. Salome Surabishvili, e cila nga zhgënjimi për politikën jodemokratike të Sakashvilit dorëzoi postin e saj si ministre e jashtme, themeloi një parti të vetën, e cila tani është pjesë e opozitës:
"Këto zgjedhje mbahen në një situatë shumë të tensionuar dhe me një masë të pabesueshme parregullsish. Kërkesat e organizatave ndërkombëtare nuk janë plotësuar, as ato të opozitës. Nuk ka asgjë që i bën zgjedhjet të besueshme për popullin."
Vëzhguesit afatgjatë të OSBE-së kritikojnë gjithashtu parregullsi. Ata thonë se qeveria përdor nëpunës dhe burime shtetërore për qëllime të fushatës elektorale.
Opozita ka deklaruar, që si vitin e kaluar, pas zgjedhjeve presidenciale në janar, edhe këtë vit do të dalë në rrugë, nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe besueshme.