Gjermani: Aseksualët - përkëdhelje po, seks jo!
28 Nëntor 2022Lenarti jeton në Hamburg. Qyteti ka një kulturë të hapur seksuale - në lagjen Reeperbahn ka kinema pornografike dhe prostitucion. Por 38-vjeçarit ato nuk i bëjnë përshtypje. "Fotografitë pronografike më duken kot. Kur shoh fotografi me gra me prapanica dhe gjoks jashtë, nuk më hipën në kokë të shkoj e të prek tani ndonjë gjoks.
Për mua këto janë reklama jo shumë të suksesshme për diçka që nuk e kuptoj" - thotë Lenarti duke shkundur kokën dhe qeshur me gulç.
Nuk ndjej neveri nga seksi, por ...
Lenarti e kishte vënë re që në pubertet, se seksi nuk e tërhiqte as shumë sa të tjerët. Ndërsa befas të gjithë në klasë flisnin për këtë temë, ai nuk e kuptonte se për çfarë bënin gjithë atë bujë. Gjithsesi edhe ai e provoi një herë. "Thjesht nuk e kuptoj çfarë është aq e mrekullueshme, apo e veçantë kur bën seks. Unë mund të bëj seks dhe nuk ndjej neveri, por thjesht nuk më pëlqen, prandaj nuk bëj seks." - sqaron Lenarti.
Kur të gjesh vërtet personin e duhur ...
Akaya është rritur në një fshat afër Bielefeldit. Si adoleshente ajo donte që të mos ndahej nga të tjerët. Dhe megjithëse nuk e shijonte seksin, vazhdonte të kishte seks për shkak të presionit social. "Kush e di sa herë u them të tjerëve se seksi nuk më pëlqen, ose se nuk kam qejf për seks, por përgjigja është gjithmonë e njëjta: 'Kur të gjesh vërtet personin e duhur, atëherë do ta pëlqesh dhe do të kënaqesh! Por kjo nuk më ka ndodhur asnjëherë." - thotë Akaya.
As Martinit nuk i pëlqen seksi. Dhe kjo që kur ishte i ri. Për shkak se ai dikur nuk po e kuptonte shkakun, kërkoi për arsye të tjera. "Fillimisht mendova se mos isha homoseksual. Mendoja se nëse nuk më tërhiqin vajzat, atëherë ndoshta djemtë. Sepse mendoja se nuk ka shkak tjetër - çdo qenie njerëzore duhet të ketë një lloj tërheqjeje seksuale. Por pas një kohe të shkurtër e kuptova që nuk ishte ashtu." - tregon Martini.
Faseta të ndryshme të aseksualitetit
Në fillim të të 30-ave, Lenarti mësoi për ekzistencën e aseksualitetit. Disa vite më vonë ai u tregoi të tjerëve se ishte aseksual dhe sot jeton pa seks – dhe pa problemet e lidhura me të. Prandaj Lenarti nuk ka kërkuar kurrë një lidhje klasike me një grua, por vetëm shoqëri.
"Më ndodh që ndjej se dikush më pëlqen shumë. Por kjo nuk më shndërrohet në dëshirë për të qenë gjithmonë me të, apo për të nisur një lloj marrëdhënieje klasike. Prandaj kur njoh dikë, nuk më intereson fare që ta di, nëse është apo jo në ndonjë lidhje." - thotë Lenarti.
Përkëdhelje po, seks jo
Në rastin e Martinit ishte ndryshe. Edhe pse nuk ndjen tërheqje seksuale, ai gjithmonë donte një lidhje të përhershme. Të shoqen ai e njohu gjatë një udhëtimi me varkë me vela, kur ishte në mesin e të njëzetave. Për një kohë të gjatë ata nuk kishin seks. "Njerëzit thonë gjithmonë se dashuria dhe seksi nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri. Por kjo është krejtësisht absurdie. Ka kaq shumë njerëz që bëjnë seks pa dashuri, përndryshe shtëpitë publike do të shuheshin. Pra pse nuk mund të funksionojnë dashuria dhe një lidhje mes dy njerëve pa seks? Seksi nuk është i nevojshëm për një marrëdhënie." - thotë Martini.
Edhe Akaya donte një lidhje. Sot ajo është e lumtur me Merilinin. Ato bëjnë kostume së bashku, por nuk bëjnë seks. Ato u njohën përmes një faqeje interneti – ku të dyja kishin deklaruar se ishin aseksuale dhe po kërkonin dikë që ishte po ashtu aseksual. "Po të lidhesha me dikë që nuk ishte aseksual, do të më duhej t'i kërkoja që të mos bënim seks. Kjo nuk më pëlqen. Dhe meqë asnjërës prej nesh nuk i mungon seksi, asnjëra nuk bën ndonjë sakrificë. Dhe kjo më bën të ndihem më mirë." - thotë Merilini.
As Martinit dhe gruas së tij nuk u mungon seksi. Ajo e pranon aseksualitetin e tij. Por kjo nuk do të thotë se ata nuk janë intimë me njëri-tjetrin. "Nuk kam probleme me përkëdhjet dhe as që ta prek me dorë gruan time. Ne flemë çdo natë të përqafuar me njëri-tjetrin. Por nga kjo nuk rezultojnë kurrë, ose shumë, shumë rrallë veprime që mund të quhen vërtetë seks. Thjesht seksin nuk e kemi të nevojshëm. Dhe nuk na mungon aspak." - tregon Martini.
Lenarti, Martini, Akaya e jetojnë aseksualitetin e tyre në forma të ndryshme. Ajo që i bashkon të tre është se ata nuk duan që askush t'u shpjegojë se çfarë do të thotë intimitet.