1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Atentatori i sinagogës merr burgim të përjetshëm

21 Dhjetor 2020

Ekstremisti i djathtë, i cili qëlloi për vdekje dy persona në Halle, në Gjermaninë lindore, pasi u përpoq të sulmonte një sinagogë ka marrë dënimin maksimal. Gjyqi pesëmujor ishte sprovë për disa të mbijetuar.

Halle Saale | Synagoge
Fotografi: Hans Pfeifer/DW

Një gjykatë gjermane e dënoi të hënën me burgim të përjetshëm atentatorin e një sulmi vdekjeprurës të vitit 2019 ndaj një sinagoge në Halle.

Ekstremisti i djathtë Stephan B. u gjet fajtor për dy vrasje dhe më shumë se 50 vrasje të mbetura në tentativë në fund të procesit gjyqësor 26 ditor kundër tij.

Gjykatësja Ursula Mertens vuri në dukje natyrën e veçantë të rëndë të krimeve dhe i përshkroi vazhdimisht dy vrasjet dhe vrasjet në tentativë si "frikacake" dhe "mizore".

Fotografi: Hans Pfeifer/DW

Ajo shprehu tmerr për vrasjen e 20-vjeçarit Kevin S. në qebaptore. "Ju e ekzekutuat z. S. të pambrojtur në një mënyrë frikacake," i tha ajo Stephan B. drejtpërdrejt, para se ta krahasonte sulmuesin me viktimën e tij: "Ndryshe nga ju, ai nuk u tërhoq në dhomën e tij të fëmijërisë - ai punonte, atij i pëlqente futbolli, ai ishte kualifikuar".

Mertensi tha se i pandehuri rrinte në dhomën e tij të gjumit të fëmijërisë në moshën 27 vjeçare, duke konsumuar "teori konspirative" në internet. Gjykatësja tha se ajo nuk mund ta fajësonte familjen e tij se dështoi për të shmangur krimin, por vetëm sepse ata refuzuan të dëshmonin.

I pandehuri herë pas here buzëqeshte dhe rrotulloi sytë kur gjykatësja shqiptoi vendimin. Rreth 45 të mbijetuar morën pjesë në gjyq si bashkëpaditës dhe ishin të pranishëm në shqiptimin e dënimit.

Fotografi: Hendrik Schmidt/dpa/picture alliance

Sulmi i mbetur në tentativë ndaj sinagogës do të kishte qenë akti më mizor në Gjermani që nga Holokausti.

Çfarë dimë për sulmuesin?

I pandehuri është një gjerman 28-vjeçar, i cili tregoi pak pendim për krimin gjatë fjalës përmbyllëse në gjyqin e tij.

Ai e pranoi sulmin dhe e përdori deklaratën e tij për të shpjeguar pikëpamjet antisemite dhe për të mohuar Holokaustin, akt që është vepër penale në Gjermani.

Çfarë ndodhi në Halle?

Më 9 tetor të vitit të kaluar, Stephan B. u përpoq të shpërthente derën e sinagogës në qytetin lindor gjerman të Halles, ku 52 njerëz po festonin Yom Kippur, ditën më të shenjtë në kalendarin hebre.

Ai dështoi kryesisht, sepse arsenali i tij i armëve të zjarrit dhe eksplozivëve të bëra në shtëpi nuk qenë në gjendje të shpërthenin portën e jashtme të mbyllur.

Nga zhgënjimi, ai qëlloi për vdekje dy persona të tjerë - kalimtaren 40-vjeçare Jana L. dhe 20-vjeçarin Kevin S., një punëtor që po hante drekë në një dyqan qebapësh aty pranë - përpara se të qëllonte në drejtim të disa policive dhe kalimtarëve të tjerë në arrati e sipër.

Megjithëse arriti t'i shpëtojë me automjetin e tij policisë pranë sinagogës, atë e ndaluan vetëm 90 minuta më vonë, rreth 40 kilometra jashtë qytetit.

Cili ishte reagimi ndaj sulmit?

Akti mizor e tronditi Gjermaninë, jo vetëm për shkak të synimit të sulmuesit: ndaj komunitetit hebre të qytetit, shumica e të cilit ishte brenda sinagogës së vetme të Halles, së bashku me vizitorë hebrenj nga SHBA dhe gjetkë.

Po të kishte arritur ta shpërthente portën e jashtme, Stephan B. do të ishte përgjegjës për një nga sulmet më të rënda antisemite në Gjermaninë e pasluftës. Avokati i tij mbrojtës Hans-Dieter Weber e krahasoi krimin me ato të kryera nga nazistët.

Dënimin e tij e lehtësoi pak fakti që Stephan B. kishte vepruar me sa duket i vetëm. Ndryshe nga shumica e terroristëve të tjerë të ekstremit të djathtë që Gjermania ka përjetuar vitet e fundit, Stephan B. nuk ishte anëtar i ndonjë celule terroriste neonaziste dhe nuk qe bashkuar me asnjë grup politik ekstremist.

Në vend të kësaj, ai përfaqëson një lloj të ri, të globalizuar të terroristit të izoluar: ai u radikalizua nga një komunitet i gjerë global në internet i meshkujve të rinj shpesh të izoluar, që mblidhet në forume të njohura si "imageboard".

Meqenëse këto forume janë të pamoderuara, ato janë bërë terrene për antisemitizëm dhe racizëm. Sulmet si ai kundër Christchurch në mars 2019 dhe në Halle janë transmetuar drejtpërdrejt në kanale të tilla, posaçërisht për të frymëzuar dhe inkurajuar njëri-tjetrin.

Ngurrimi i dukshëm i policisë për të hetuar këtë nënkulturë virulente ishte një temë e qëndrueshme gjatë gjykimit, duke zemëruar disa nga të mbijetuarit, të cilët qenë bashkëpaditës. Në rolin e dëshmitarit, disa nga policët pranuan se kishin pak njohuri për kulturën e përhapur në internet, që e radikalizoi të pandehurin.