1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu miraton miliardat për mbrojtje dhe infrastrukturë

18 Mars 2025

Bundestagu miraton një paketë historike për mbrojtjen dhe infrastrukturën, ndërsa kundërshtarët e quajnë një “farsë"

Friedrich Merz duke hedhur fletëvotimin në kuti, rrethuar nga deputetë të tjerë
Friedrich Merz, lideri i CDU-së dhe kandidati i mundshëm për kancelar, voton gjatë një seance të jashtëzakonshme në Bundestag më 18 mars 2025, në Berlin. Gjatë votimit u miratua ndryshimi kushtetues për të reformuar rregullat e borxhit dhe për të krijuar një fond prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturëFotografi: Pool/REUTERS

Pas debatesh të gjata dhe polemikave të ashpra, Bundestagu më në fund miratoi me dy të tretat e votave një ndryshim kushtetues që do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si financohet mbrojtja gjermane. Me këtë vendim, frena buxhetore nuk do të kufizojë më shpenzimet për ushtrinë. Për ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë votuan pro 513 deputetë, ndërsa 207 votuan kundër; nuk pati asnjë abstenim.

Pjesë e këtij vendimi historik ishte edhe miratimi i një fondi special prej 500 miliardë euro për investime në infrastrukturë dhe klimë, të cilat do të shtrihen në 12 vitet e ardhshme. Investimet synojnë modernizimin e rrugëve, sistemeve energjetike, por edhe shkollave. 

Merz: "Është një luftë edhe kundër vendit tonë që ndodh çdo ditë"

Friedrich Merz, kandidati për kancelar nga CDU dhe arkitekti kryesor i kësaj pakete, e paraqiti vendimin si një hap të domosdoshëm për sigurinë kombëtare dhe evropiane, kondicionuar nga lufta e Putinit ndaj Ukrainës. "Është një luftë edhe kundër vendit tonë që ndodh çdo ditë, me sulme ndaj rrjeteve tona të të dhënave, me shkatërrimin e linjave të furnizimit, me zjarrvënie, me vrasje të porositura në territorin e vendit tonë, me spiunim të kazermave dhe me fushata dezinformimi që mashtrojnë shoqërinë tonë," paralajmëroi Merz.

Vendim historik në Bundestag: Me dy të tretat e votave ndryshohet Kushtetuta për shkëputjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga frena buxhetore. Pamje simbolike Fotografi: Ebrahim Noroozi/ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Merz këmbënguli se Gjermania duhet të jetë e përgatitur për një epokë të re sfidash globale. "Tani duhet ta rindërtojmë aftësinë tonë mbrojtëse thuajse nga e para, me strategji të reja, me armatim të teknologjisë së lartë, me sisteme të automatizuara dhe me mbikëqyrje të pavarur satelitore evropiane, me kontrata të besueshme dhe të planifikueshme që u jepen mundësisht prodhuesve evropianë" tha ai. 

Pistorius: "Kjo është një epokë e re për Evropën dhe Gjermaninë"

Në një fjalim që synonte të qetësonte skeptikët, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD), theksoi se ky vendim nuk bëhet për të militarizuar vendin, por për ta mbajtur atë të sigurt. SPD, e cila mund të jetë partnere në qeverinë e ardhshme, kishte kërkuar që krahas borxheve për mbrojtjen, të miratohej edhe borxhi për infrastrukturën. "Po hyjmë në një epokë të re për Evropën, për Gjermaninë, për NATO-n dhe për brezat e ardhshëm. Sot bëhet fjalë mbi të gjitha për sigurinë e fëmijëve dhe nipërve tanë. Prandaj po propozojmë një paketë të plotë financimi. Kjo siguron që aftësia jonë mbrojtëse të forcohet, pa rrezikuar kohezionin tonë shoqëror," tha Pistorius.

Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, drejton një Panzerhaubitze 2000 gjatë vizitës së tij në Shkollën e Artilerisë së Bundeswehr-it në Idar-ObersteinFotografi: Florian Wiegand/Eibner-Pressefoto/picture alliance

AfD kritikon ashpër legjitimitetin e vendimit

Shumë deputetë, shumica nga Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) u përpoqën ta ndalonin këtë vendim me kërkesa urgjente në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se Bundestagu i mëparshëm po përdorej për të cementuar pushtetin e qeverisë së ardhshme. Bundestagu i ri do të konstitutohet të martën e ardhshme, më 25 mars 2025 dhe një e treta e deputetëve të tij përbëhet nga AfD dhe E majta. Këto dy parti e kundërshtojnë fuqimisht këtë paketë, secila për arsye të ndryshme.

Kryetari i AfD-së, Tino Chrupalla, kritikoi vendimin me tone të ashpra: "Bundestagu i 20-të i zgjedhur më parë po përdoret për të forcuar qeverinë e ardhshme federale, sepse vetëm këtu ata kanë shumicën. Edhe pse shumica e deputetëve të rinj janë të pranishëm sot, ky proces mund të ishte bërë me ta," tha ai. Chrupalla vuri në pyetje legjitimitetin e vendimit. "Dhe ne duhet të pyesim: Ku është Olaf Scholz? Ai ende drejton qeverinë sipas Kushtetutës. A nuk është kjo një farsë?"

Hapi i fundit: Këshilli Federal

Pas miratimit në Bundestag, paketa ligjore duhet të kalojë me dy të tretat e votave edhe në Këshillin Federal, ku pritet të shqyrtohet dhe të hidhet për miratim miratohet të premten e ardhshme, më 21 mars 2025.