1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
MigracionGjermani

Gjermani: Integrimi po ecën gjithnjë e më mirë

12 Nëntor 2026

22 milionë vetë në Gjermani kanë sfond emigrimi. Një raport i ri tregon arritjet në integrimin e tyre. Por planet e qeverisë për shkurtime buxhetore po shkaktojnë debate politike.

Një kalimitare me shami në kokë në Gjermani
22 milionë vetë në Gjermani kanë sfond emigrimi. Një raport i ri tregon arritjet në integrimin e tyreFotografi: Christoph Hardt/Panama Pictures/picture alliance

Vështirë se ka ndonjë temë tjetër në Gjermani që shkakton kaq shumë debate, shpesh edhe të nxehta, sa integrimi. A po funksionon integrimi i njerëzve të ardhur nga vende të tjera? Çfarë nevojitet që integrimi të ketë sukses? Dhe cilat janë problemet më të mëdha? Çdo dy vjet, e ngarkuara e qeverisë për integrimin paraqet një raport të gjerë me të dhëna dhe statistika. Në tërësi raporti për integrimin  shqyrton 14 fusha tematike, ndër to arsimin, shëndetësinë, strehimin, por edhe të ardhurat, gjuhën dhe racizmin.

Që nga viti i kaluar këtë detyrë e ushtron deputetja e SPD-së në Bundestag, Natalie Pawlik. Duke paraqitur para parlamentit raportin vjetor ajo bëri fillimisht një bilanc përgjithësisht pozitiv: "Integrimi po ecën gjithnjë e më mirë, pavarësisht pengesave dhe sfidave që vazhdojnë të ekzistojnë."

Ajo shtoi: "Njerëzit në vendin tonë duan që integrimi të ketë sukses. Ata presin me të drejtë që njerëzit që jetojnë përgjithmonë në Gjermani të mësojnë gjuhën tonë dhe të respektojnë ligjet tona."

Dhe për shkak se është veçanërisht e rëndësishme që njerëzit që mbërrijnë në Gjermani të punësohen sa më shpejt, zyra e së ngarkuarës për integrimin është vendosur pranë Ministrisë Federale të Punës.

Shkalla e punësimit të emigrantëve më e lartë se në shumicën e vendeve të BE-së

Një ekip i drejtuar nga Frank Kalter, kreu i „Qendrës Gjermane për Kërkime mbi Integrimin dhe Migracionin" (DeZIM), e ka hartuar raportin mbi bazën e statistikave zyrtare shtetërore, sondazheve dhe studimeve të pavarura.

Rezultati: Nëse merren së bashku të gjitha grupet, tashmë rreth 30 për qind e popullsisë kanë një histori emigrimi, qoftë edhe vetëm përmes njërit prej prindërve. Shumica dërrmuese e tyre, 81 për qind, identifikohen me Gjermaninë.

Integrimi i të huajve në Gjermani po ecën gjithnjë e më mirëFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Pawlik tha: "Ky është një mesazh i rëndësishëm në një kohë kur shpesh flitet para së gjithash për problemet e një integrimi që pretendohet se ka dështuar."

Kalter shtoi se, me gati 70 për qind, shkalla e punësimit të emigrantëve është më e lartë se në shumicën e vendeve të tjera të BE-së.

Ata punojnë veçanërisht në një sektor: „Gjatë viteve të fundit kemi pasur rritje veçanërisht të fuqishme të numrit të të punësuarve pa shtetësi gjermane, sidomos në sektorin e shëndetësisë dhe atë social."

Në vitin 2009 në Gjermani punonin rreth 1,8 milionë vetë pa pasaportë gjermane. Deri në vitin 2025 ky numër është më shumë se trefishuar, duke arritur në 5,8 milionë.

Gratë dhe të rinjtë hasin vështirësi për të gjetur punë

Megjithatë ka edhe probleme. Pothuajse në të gjitha grupet, gratë hasin vështirësi për të gjetur punë. Kjo vlen sidomos për familjet me fëmijë, ku burri është i punësuar. Vetëm rreth 60 për qind e grave në familje të tilla janë të punësuara, ndërsa në familjet me shtetësi gjermane kjo shifër arrin në pothuajse 88 për qind.

Edhe grupi i të rinjve që kanë ardhur në Gjermani si refugjatë shpesh e ka më të vështirë qasjen në mundësitë e arsimimit dhe në tregun e punës. Dhe nëse si kriter dallues merret vetëm pasaporta gjermane, atëherë përqindja e autorëve të veprave penale të dënuar me vendim të formës së prerë, mes personave që nuk kanë një dokument të tillë, është 40 për qind, pra dukshëm më e lartë se pesha e tyre në popullsinë e përgjithshme.

Megjithatë, sipas studimeve, gatishmëria për të denoncuar autorët e veprave penale që perceptohen si migrantë është gjithashtu dukshëm më e lartë. Përveç kësaj, mes të huajve ka më shumë burra të rinj, një grup që në të gjitha shoqëritë ka prirjen më të lartë drejt kriminalitetit.

Qeveria shkurton fondet për kurset e integrimit

Pawlik thekson se baza dhe pikënisja e çdo integrimi të suksesshëm është mësimi i gjuhës. Por pikërisht këtu qeveria ka nisur shkurtimet që në fillim të vitit, me synimin për të kursyer. Shumë kurse integrimi tani ose nuk ofrohen më fare, ose marrin më pak mbështetje financiare nga shteti. Politikania e SPD-së e bëri të qartë se kjo ndeshet me kritika të forta nga ana e saj, megjithëse edhe ajo vetë është pjesë e qeverisë federale.

Për të kursyer qeveria gjermane ka nisur shkurtimet e mbështetjes financiare nga shteti për kurset e gjuhës dhe të integrimit Fotografi: Patrick Pleul/dpa/picture alliance

Aktualisht socialdemokratët duan të angazhohen që personat, sidomos ata nga Siria dhe Ukraina, të cilët prej kohësh punojnë në Gjermani, të marrin leje qëndrimi më të sigurta. Të martën, deputetët e SPD-së miratuan një dokument përkatës.

Në të propozohet që të drejtat e qëndrimit të parashikuara në ligjinn për fuqinë punëtore të vlejnë në të ardhmen edhe për refugjatët. Me fjalë të tjera: kush ka ardhur si refugjat dhe punon, duhet të ketë një status qëndrimi më të sigurt.

A do ta mbështesin këtë edhe konservatorët e CDU-së dhe CSU-së, Unioni i kancelarit federal Friedrich Merz (CDU)?

„Për këtë duhet të pyesni ministrin e Brendshëm", iu përgjigj Pawlik pyetjes së DW-së. Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt (CSU) njihet si përkrahës i një politike të ashpër për migracionin.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW