Gjermani: Jo kufi për numrin e refugjatëve nga Ukraina
19 Prill 2022Ministri gjerman i Transportit, Volker Wissing, tha se Berlini nuk do të vendosë një kufi të sipërm për numrin e refugjatëve që do të pranojë nga Ukraina.
Wissing tha se Gjermania ende duhet të përgatitet për të papritura, sepse që nga 24 shkurti, kur Rusia filloi luftën e saj kundër Ukrainës, nga Ukraina janë larguar më shumë se 5 milionë vetë. "Ne po i mbajmë strukturat logjistike dhe ato të transportit në dispozicion, sepse nuk mund të parashikojmë rrjedhën e luftës dhe mund të përjetojmë në çdo kohë një rritje të numrit të refugjatëve”, theksoi ai.
Wissing, që i përket Partisë Liberale (FDP), tha për grupin mediatik "Redaktionsnetzwerk Deutschland" se Gjermania nuk do të refuzojë asnjë refugjat nga Ukraina, sepse njerëzit në nevojë në Ukrainë duhet të gjejnë strehim në Gjermani."
Volker Wissing tha po ashtu se ministria që ai drejton ka bërë të pamundurën për të sjellë refugjatë nga Polonia, e cila ka strehuar pjesën më të madhe të refugjatëve ukrainas. Për refugjatët ukrainës janë ngritur qendra pritjeje në Hanover, Cottbus dhe Berlin. Nga aty ata shpërndahen në zona të tjera të Gjermanisë.
Wissing tha se presioni mbi Poloninë është i madh, sepse çdo ditë në Poloni arrijnë rreth 120,000 refugjatë ukrainas, dhe se vetëm në Varshavë kanë gjetur strehë më shumë se 300,000 refugjatë.