1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani:Socialdemokrati Pistorius nuk kandidon për kancelar

22 Nëntor 2024

Në partinë socialdemokrate u debatua, se cili mund të ishte kandidati më i përshtatshëm për kancelar: kancelari aktual Scholz apo ministri i Mbrojtjes Pistorius. Tani Pistorius deklaroi, se nuk do të kandidojë.

Fotografi portret i ministrit gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius
Boris PistoriusFotografi: Bernd Elmenthaler/Geisler-Fotopresse/picture alliance

Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius nuk do të paraqesë në partinë e tij socialdemokrate (SPD) kandidaturën për kancelar. Këtë ai e deklaroi të enjten (21.11.2024) në mbrëmje në një video-mesazh: "Sapo kam njoftuar kryesinë e partisë dhe të grupit parlamentar, që nuk jam në dispozicion për të kandiduar për postin e kancelarit", deklaroi Pistorius në video-mesazhin e publikuar në faqen e internetit të partisë socialdemokrate. Ai tha, se nuk e ka hapur ai këtë diskutim dhe as nuk e ka shtruar çështjen e kandidimit.

Pas një debati publik në këtë mënyrë iu hap rruga rikandidimit të kancelarit aktual Olaf Scholz. Pistoirus theksoi sërish, se Olaf Scholz është "një kancelar i shkëlqyer". Ai ka drejtuar një koalicion shumë të vështirë të përbërë nga tri parti pikërisht në "kohën e krizës ndoshta më të vështirë të dekadave të fundit".

Debati dëmton SPD-në

Debati për kandidaturën për kancelar e ka dëmtuar partinë dhe i ka çoroditur zgjedhësit, tha Pistorius. Në deklaratën e tij ai tha, që t'i jepet fund këtij diskutimi.

Në sondazhe Pistorius vlerësohet më shumë se sa Scholz. Në sondazhin aktual të ARD-së Deutschlandtrend realizuar nga isntituti i demoskopisë infratest-dimap, ku nga e hëna deri të mërkurën janë pyetur zgjedhës në Gjermani, 60 përqind janë shprehur se Pistoirus mund të ishte një kandidat i mirë për kancelar. Prej muajsh Pistoirus kryeson sondazhet si politikani më i preferuar në Gjermani. Ndërsa për Scholz vetëm 21 përqind shprehen pozitivisht. Vetëm 14 përqind e të pyeturve thanë, se nëse dotë votohej të dielën do të votonin për partinë socialdemokrate.

Të hënën (25.11.2024) kryesia e partisë socialdemokrate do të riemërojë Olaf Scholzin si kandidatin për kancelar në zgjedhjet parlamentare.

Kancelari Olaf Scholz dhe ministri i Mbrojtjes Boris PistoriusFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Pistorius në mesazhin e tij u bëri thirrje anëtarëve të partisë, që bashkarisht me vendosmëri të luftojnë për një mandat të dytë për Scholzin. "Unë javët e ardhëshme do të luftoj bashkë me ju", tha Pistorius.

Përpara dy javësh koalicioni qeverisës i përbërë nga socialdemokratët, ekologjistët dhe liberal-demokratët u shpërbë. Kancelari Scholz dhe partia e tij socialdemokrate qeverisin tani bashkë me ekologjistët me një qeveri pakice. Zgjedhjet e parakohshme do të zhvillohen më 23 shkurt 2025.

dw/dpa/ard/vfb