1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani - Kritika ndaj detyrimit për punë të azilkërkuesve

3 Mars 2024

Shfrytëzuese dhe denigruese - kritikohen kërkesat për detyrimin për punë të azilkërkuesve nga disa politikanë e organizata të ndryshme në Gjermani. Ministri i Punës, Hubertus Heil e përfytyron këtë në raste të caktuara.

Qendër pranimi e azilkërkuesve në ish-aeroportin Tegel, Berlin
Qendër pranimi e azilkërkuesve në ish-aeroportin Tegel, BerlinFotografi: picture alliance/dpa

Në debatin për angazhimin me detyrim për punë komunitare të azilkërkuesve në Gjermani janë shtuar kritikat. Kryetarja e Partisë Sociademokrate, Saskia Esken është shprehur për gazetën "Thüringer Allgemeine", se nuk e sheh si zgjidhje këtë. Masa të përafërta kanë treguar se nuk janë të suksesshme tek të papunët afatgjatë, tha ajo. "Për shkak të mungesës së fuqisë së kualifikuar punëtore sot është më mirë që refugjatët të mund të hyjnë më shpejt dhe pa komplikime në marrëdhënie të rregullta pune me sigurime shoqërore", tha Esken.

Edhe drejtuesja e Agjencisë Federale të Punës, Andrea Nahles shprehet kritike. "Fillimi i punës nga refugjatët është prej kohësh ligjërisht e mundur për refugjatët në strehimore, po përdoret me rezerva nga komunat", ka thënë Nahles. Në ligjin e kontributeve për azilkërkuesit thuhet në nenin 5, se "Të aftët për punë, ata që marrin ndihma e nuk punojnë dhe nuk janë në moshë shkollore janë të detyruar të marrin në konsideratë një mundësi pune që iu ofrohet."

Heil: Detyrim për punë në raste të veçanta

Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil e shikon si të arsyeshme detyrimin për punë të azilkërkuesve. "Është e drejtë në fuqi që komunat mund t'i angazhojnë me detyrim për punë komunitare azilkërkuesit që jetojnë në strehimoret e refugjatëve. Në raste të veçanta është e arsyeshme që të gjendet punë për njerëzit që kanë një kohë të gjatë pritjeje në strehimoret e azilëkërkuesve." Debati u nxit kohë më parë nga presidenti i Shoqatës së Qarqeve Gjermane, Reinhard Sager. Ai kishte kërkuar disa herë, që azilkërkuesit të detyrohen të punojnë. "Kush është me shëndet të mirë dhe jo me kufizime, duhet të punojë." Mbështetja që jep shteti nuk mund të jetë pa kushte, kishte thënë Sager për gazetën Bild. Në qarkun Saale-Orla në Tyringji, azilkërkuesit do të duhet të punojnë katër orë në ditë. Azilkërkuesit do të marrin 80 cent në orë për punë të thjeshta, e nëse refuzojnë do të ketë shkurtime të ndihmave sociale deri në 180 euro në muaj.

Ministri gjerman i Punës, Hubertus HeilFotografi: Bernd Elmenthaler/IMAGO

Puna për 80 cent është shfrytëzuese

"Është raciste dhe denigruese të paramendosh, se azilkërkuesit nuk janë të vullnetshëm të punojnë", deklaroi organizata për të drejtat e njeriut, Pro Asyl. Zëdhënësi i saj, Tareq Alawos u shpreh kundër që njerëzit që kërkojnë ndihmë "tani të detyrohen për punë në marrëdhënie shfrytëzuese për 80 cent në orë", në një kohë që shumë personave iu mohohet një marrëdhënie e rregullt pune: Edhe drejtuesja e partisë E Majta, Janine Wissler e kritikon këtë propozim të Sagers. Kush punëson refugjatët për 80 cent në ore minon kontratat me tarifa dhe pagat minimale, tha Wissler. "Kështu azilkërkuesit futen në rolin e atyre që ulin rrogat", tha politikanja e majtë. Kjo nuk e nxit integrimin, por shton konkurrencën në sektorin e pagave të ulta.

Mbështetje për propozimin e Sager erdhi nga CDU. Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Carsten Linnemann e përshëndeti mundësinë e detyrimit për punë. "Gjithçka që forcon parimin e mbështetjes, por edhe të kërkesave është e mirëpritur", tha ai për gazetën Bild. Kurse kreu i degës së CDU-së për Tyringjinë, Mario Voigt deklaroi se "ne duhet të dërgojmë mesazhin, se kush gjen solidaritet në Gjermani, duhet të japë edhe diçka vetë", tha ai për rrjetin redaksional, Gjermania.

Fotografi: Uwe Zucchi/dpa/picture alliance

Qasja në tregun e punës e kufizuar

Për azilkërkuesit që sapo vijnë në Gjermani qasja në tregun e punës është shumë e kufizuar. Sipas të drejtës aktuale në fuqi, azilkërkuesit parimisht mund të punojnë vetëm pas tre muajsh pas ardhjes, kush jeton në një qendër pranimi refugjatësh dhe nuk është minoren mund të punojë vetëm pas nëntë muajsh. Kurse "Gedultete" persona me leje të toleruar qëndrimi ose refugjatë me fëmijë minorenë në një qendër pranimi mund të punojnë pas gjashtë muajsh. Azilkërkuesit nga vendet të sigurta të origjinës, që kanë shtruar kërkesën për azil pas gushtit 2015 parimisht nuk kanë qasje në tregun e punës.

la/tgsch

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë