1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kushtet e integrimi në Gjermani - të avancuara në krahasim

5 Korrik 2024

OECD konkludon se Gjermania ecën mirë krahasuar me vendet e tjera për integrimin e emigrantëve. Ndërsa një analizë e detajuar e paraqitur për herë të parë tregon se dallimet jetësore mes rajoneve gjermane janë pakësuar.

Pamje simbolike - kurs gjuhe per migrantet
Fotografi: Sven Hoppe/dpa/picture alliance

Dy studime të gjera, të publikuara ditët e fundit, ofrojnë të dhëna se integrimi i emigrantëve dhe kushtet e jetesës në rajonet eGjermanisë  kanë përparuar edhe më fort se besohej.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dëshmon përparimin e Gjermanisë në integrimin e emigrantëve. Sipas një raporti të OECD-së publikuar të enjten (04.07.), kushtet e tyre të jetesës janë të mira edhe në krahasim me vendet e tjera të industrializuara.

Gjermaninë OSBE-ja e krahasoi në studim me 15 shtete, ndër to me Australinë, Belgjikën, Kanadanë, Danimarkën, Finlandën, Francën, Italinë, Zelandën e Re, Holandën, Norvegjinë, Austrinë, Suedinë, Zvicrën, Spanjën, Britaninë e Madhe dhe SHBA.

"Në vitin 2022, shkalla e tyre e punësimit arriti një nivel rekord prej 70 përqind në Gjermani, që është dukshëm më i lartë se në shumicën e vendeve të tjera krahasuese të BE-së,” tha tha Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim ekonomik.

Fotografi: Daniel Bockwoldt/dpa/picture alliance

Mbështetja e gjerë për mësimin e gjermanishtes - efekt pozitiv

Në veçanti, mbështetja e gjerë për mësimin e gjuhës duket se ka një efekt pozitiv. Aftësitë gjuhësore të emigrantëve janë përmirësuar më shumë në Gjermani sesa në shumicën e vendeve të tjera të BE. Pas pesë vjetësh, dy të tretat e emigrantëve tashmë kanë njohuri të mira të gjuhës.

Dallimet në kushtet e jetesës janë shpesh më pak të rëndësishme se në vendet e tjera dhe normat e punësimit të emigrantëve janë të larta në krahasimin ndërkombëtar.

Sfidat kanë të bëjnë kryesisht me migrantët që nuk kanë shkuar në shkollë përtej shkollës fillore. Në këtë grup, janë të punësuar vetëm gjysma e personave. Femrat migrante gjithashtu kanë vështirësi për të gjetur një vend në tregun gjerman të punës. Më shumë mbështetje është e nevojshme edhe për gratë emigrante me fëmijë të vegjël, shpesh kohët e fundit nga Ukraina.

Fotografi: Oliver Boehmer/picture alliance

Rezultatet akademike të fëmijëve të lindur në Gjermani nga prindër emigrantë janë dukshëm më të mira. Sipas OECD, ato janë më të larta se ato të vendeve më të krahasueshme. Pavarësisht nga mosha, rezultatet janë më të këqija se në vendet e krahasimit kur fëmijët e lindur jashtë vijnë në Gjermani vetëm në moshën shkollore. Asnjë përparim nuk është shënuar në këtë fushë. Të lindurit në Gjermani janë pra më të integruar. Por ata gjithashtu denoncojnë diskriminimin: pothuajse një në katër vetë ka ndjenjën e - siç shprehen ata - "jo të përkatësisë së plotë".

Gjermania - vendi i dytë në botë pas SHBA që pranon emigrantë

Në shifra absolute, në zonën e OECD-së (38 vende), Gjermania është vendi i dytë në botë pas SHBA që pranon emigrantë. Rreth një e gjashta e popullsisë së Gjermanisë (14 milionë) përbëhet nga emigrantë. Në vitin 2022, në Gjermani jetonin më shumë se 14 milionë emigrantë. Shumica e tyre janë persona nën lëvizjen e lirë të njerëzve brenda BE-së, të ndjekur nga punëtorët migrantë nga vendet jo anëtare të BE-së, si dhe refugjatët. Që atëherë, listës i janë shtuar më shumë se një milionë refugjatë ukrainas dhe rreth 600. 000 azilkërkues të tjerë. Sipas studimit të OECD, investimet në integrim duket se kanë dhënë fryte.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Një grup tjetër që, sipas OECD-së, duhet të inkurajohet më tej dhe integrimi i tyre të thjeshtohet shpejt janë njerëzit me kualifikim të lartë. Është midis këtij grupi që hendeku i punësimit në raport me popullsinë vendase është më i madhi - dhe krahasimi me vendet e tjera të OECD dhe BE është edhe këtu mjaft negativ. Në Gjermani është veçanërisht e vështirë për ta që të gjejnë një punë që korrespondon me kualifikimet e tyre. Arsyeja është shpesh njohja e ngadaltë e diplomave. Mes 800.000 emigrantëve që aplikuan kohët e fundit për njohje, vetëm tre të katërtat thanë se kualifikimet e tyre ishin pranuar, të paktën pjesërisht.

"Integrimi në Gjermani funksionon më mirë se reputacioni i tij"

E ngarkuara e qeverisë federale për integrimin, Reem Alabali-Radovan, tha çdo euro e investuar në këtë fushë është para e shpenzuar mirë. Ajo shtoi  se"integrimi në Gjermani funksionon shumë më mirë se reputacioni i tij.” Megjithatë, mbetet shumë për të bërë. "Sistemi ynë arsimor nuk është përshtatur ende me shoqërinë e imigracionit që kemi qenë për një kohë të gjatë.”

***

Në analizën e paraqitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Brendshme të Gjermanisë të mërkurën (03.07.) ishte në fokus barazvlershmëria aktuale e kushteve të jetesës në Gjermani. Studimi me 102 harta u ndal në ndryshimet aktuale midis zonave urbane dhe rurale dhe zonave me struktura të forta dhe të dobëta. Ky është studimi i parë i këtij lloji në Gjermani.

Raporti kujton se"barazvlershmëri nuk do të thotë barazi". Ky synim i sanksionuar në kushtetutë ka si objektiv një shpërndarje të drejtë të burimeve dhe mundësi të drejta për pjesëmarrje, forcimin e rajoneve strukturore të dobëta dhe ruajtjen e strukturës së decentralizuar të vendit. Gjermania e mbështet këtë synim, ndër të tjera me programe dhe fonde të posaçme.

Robert Habeck ne paraqitjen e raportitFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Analiza konkludon ndër të tjera se dallimet midis rajoneve janë pakësuar vitet e fundit. 

Veç të dhënave të vjela nga zyrat rajonale, ekspertët pyetën në një sondazh 31.000 vetë (70-80 vetë nga çdo rreth administrativ) se sa të kënaqur janë ndër të tjera me koston e strehimit, punësimin, shpërndarjen e kopshteve ditore, të mjekëve, të rrjeteve të telefonisë celulare dhe përfitimeve sociale, dhe shqyrtuan efektivitetin e programeve shtetërore të ndihmës.

Dallimet mes rajoneve janë pakësuar

Sipas të dhënave, dallimet midis rajoneve janë pakësuar në 27 nga gjithsej 38 tregues. Këtu përfshihen të ardhurat nga taksat komunale, shkalla e papunësisë, numri i veprave penale, numri i lindjeve dhe jetëgjatësia, mundësia e përdorimit të supermarketit më të afërt, cilësia e ajrit etj. për 400 qarqe dhe qytete të pavarura në Gjermani.

Gjermanolindorët të kënaqur vetë, por jo ndaj të tjerëve

Studiuesi i njohur Jens Suedekum shkroi në platformën X se rezultatet për "kënaqësinë me situatën jetësore" nuk tregojnë ndarjen e qartë perëndim-lindje, jug- veri, që mund të pritej. "Ishuj lumturie ka kudo në Gjermani, por banorët e qyteteve kanë tendencë të jenë njerëzit më të pakënaqur" 

"Shumë banorë të Gjermanisë Lindore duket se janë të kënaqur në terma absolutë, por në të njëjtën kohë ata supozojnë se njerëzit diku tjetër janë në situatë më të mirë."

Wernigerode, Harz, landi lindor Saksoni-AnhaltFotografi: Andreas Vitting/imageBROKER/picture alliance

Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, tha në paraqitjen e raportit se për shembull, kujdesi për fëmijët në Gjermaninë Lindore është shumë i mirë, por qytetarët nuk janë gjithmonë të kënaqur. Nga ana tjetër, në disa zona të Bavarisë, ku mbulimi i nevojave me kopshte e çerdhë është më i ulët, njerëzit janë më të kënaqur. "Ndonjëherë situata është e ndryshme nga gjendja shpirtërore," tha Habeck.

Rritet dallimi për fuqinë punëtore të kualifikuar

Por është rritur paralelisht dallimi midis rajoneve, përsa i përket proporcionit të fuqisë punëtore të kualifikuar e ekspertëve, si dhe popullatës aktive që paguajnë kontribute të Sigurimeve Shoqërore. Dallimet janë shtuar midis rajoneve edhe në dendurinë e ndërtesave të banimit, raportin e fëmijëve me një vend në kopsht ditor, përqindjen e familjeve me një anëtar dhe kuoticienti i të moshuarve.

Për herë të parë raporti tregoi se ku janë derdhur fondet e mbështetjes nga shteti. Më shumë se gjysma e fondit prej 4.2 miliardë eurosh të barazvlershmërisë u investua në 2022 në zonat e Gjermanisë lindore. Fonde relativisht të larta për frymë u dhanë edhe për rajone strukturore të dobëta të Gjermanisë Veriore, rajonin e Ruhrit, landin Rheinland-Pfalz, landin e Zarës dhe në kufirin e Bavarisë me Republikën Çeke.

Të dhënat e programit ofrojnë premisa për t'i ndarë më me saktësi në të ardhmen fondet mbështetëse.