Gjermani: nipërit dhe mbesat e Luftës II Botërore
1 Shtator 2013
Te Beate Bornmüller e tëra filloi në vitin 1991. Lufta e Gjirit diktonte ngjarjet botërore dhe sidomos përmes televizionit pamjet e tmerrshme të luftës arritën edhe në Gjermani. "Unë fillova të kem frikë se avionët do të vijnë menjëherë edhe tek ne dhe netë të tëra i kaloja zgjuar", përshkruan Beate Bornmüller frikën e saj në Gjermaninë e sigurtë mdërkohë që bombat binin rreth 4000 km larg në Irak.
Me prindërit e saj Beate Bornmüller i vinte vështirë për të folur për frikën e saj. Marrëdhënia e tyre kishte qenë gjithmonë e komplikuar, thotë ajo. Por kur asaj i ra në dorë libri "Lufta pastaj" ajo e kuptoi se çfarë po ndodhte me të. "Libri është shkruar nga një hebreje e cila ishte nga brezi i dytë i të mbijetuarve të Holokaustit. Në libër nuk bëhet fjalë vetëm për luftën por në esencë për përcjelljen e traumës", sqaron Bornmüller.
Ankthe, trauma dhe përvoja tronditëse që nga brezi i luftës u përcollën pavetëdijshëm te gjenerata e ardhshme. Një lidhje që tingëllon absurde në shikim të parë: Fëmijët të cilët janë rritur të sigurtë nga viti 1960 në mrekullinë ekonomike të quajtur Gjermani, larg nga mizoritë e luftës, duhet ende të ballafaqohen në jetën e tyre me pasojat e Luftës së Dytë Botërore.
Fenomen i panjohur në Gjermani
Në Gjermani ky fenomen ishte ende krejtësisht i panjohur. Kështu, te Beate Bornmüller për shembull, përsëritet një lëndim shpirtëror i nënës së saj të cilin ajo e kishte përjetuar menjëherë pas luftës. Atëherë në moshë pesëvjeçare, nëna e saj kishte qëndruar me muaj të tërë në shtëpi pa prindërit e saj. Kur Beate erdhi në jetë nëna e saj e la si foshnje dy muaj te gjyshërit e saj. Për foshnjet dhe fëmijët një veprim i rëndë në një fazë shumë vendimtare të zhvillimit.
Në Bon, psikologja Cora Kepka është ulur në një karrige të rehatshme në ordinancën e saj. Ngjyrat në mure janë të ndritshme dhe miqësore. Shpesh në zyrat e saj ajo pret njerëz të cilët nuk e dinë se i përkasin të ashtuquajturve, nipëra dhe mbesa të luftës. "Pacientët vijnë të frikësuar, me depresione, me burn-out dhe me obsesione. Te nipërit dhe mbesat e luftës në thelb unë kap gjithnjë se çfarë kanë përjetuar prindërit e tyre, se çfarë ata dinë për prindërit e tyre. Dhe shumë shpesh aty mund të gjinden lidhje spese edhe prindërit kanë pasur përvoja të këqija dhe ato i kanë kaluar indirekt tek fëmijët e tyre", sqaron Kepka.
Ajo ka vite që mirret me trajtimin e nipërve dhe mbesave të luftës dhe ajo gjithnjë e më shumë zbulon mënyra të sjelljes së familjeve që janë tipike për nipërit dhe mbesat e luftës."Për shembull, nëse prindërit nuk shfaqin dashuri për fëmijët e tyre atëherë mungon diçka. Apo fëmijët të cilët mësojnë qysh në moshë të re se ata duhet të jenë të orientuar nga rendimenti. Kështu ata nuk ndihen të dashur pa pasur nevojë për të arritur një rezultat", nënvizon Kepka.
Zbulohet bërthama e një problemi deritash të panjohur
Me fenomenin e nipërave dhe mbesave të luftës është marrë edhe autorja Sabine Bode nga Kölni. Në vitin 2004 ajo ka publikuar librin e saj "Brezi i humbur", i cili merret me fëmijët e luftës, pra me fëmijët të cilët e kanë përjetuar vet luftën. Por reagimet ndaj librit të saj ishin të papritura. Asaj i shkruajtën jo vetëm fëmijët e luftës, por, çuditërisht, edhe fëmijët e tyre. Ajo e kuptoi pastaj se kishte zbuluar ndoshta bërthamën e një problemi deritash të panjohur. "Për shkak se ata nuk ndaluan së shkruari emaile, gjithnjë e më shumë, deri më sot", tregon Bode.
Dy përmbajtjet kryesore të emaileve: "Faleminderit që më keni ndihmuar për të kuptuar prindërit e mi dhe mesazhi i dytë ishte se nuk është e lehtë të jesh fëmijë i prindërve të tillë".
Përveç kësaj, shumë prej lexuesve e kanë lutur autoren që të shkruante edhe një libër në lidhje me brezin e tyre. Pas një kohe shkrimtarja në vitin 2009 boton librin e saj "Nipërit dhe mbesat e luftës".
Beate Bornmüller ka arritur ndërkohë të mbajë frikën e sja nën kontroll. Ajo nuk nervozohet më kur sheh pamje të luftës në televizion. Aktualisht, ajo është në një fazë të riorientimit profesional, ajo dëshiron të ndërroj profesionin dhe të mirrte me diçka tjetër. Tipike kjo për nipërat dhe mbesat e luftës.