Gjermani: Shtrenjtohet sigurimi i makinave në disa qarqe
23 Gusht 2024Sigurimi i makinave do të shtrenjtohet së shpejti për rreth 4,7 milionë njerëz në Gjermani. Por njëkohësisht nga rregullat e reja do të përfitojnë po ashtu rreth 4,7 milione pronarë makinash, për shkak të ndryshimit të klasifikimit nga Shoqata për Sigurime në Gjermani (GDV). Ndërkohë që për shumicën dërmuese të pronarëve, rreth 33 milionë, nuk ndryshon asgjë as në vitin që vjen.
Kategorizimet rajonale
Kategorizimi rajonal në Gjermani pasqyron bilancin vjetor të gjendjes në 413 qarqe të ndryshme gjermane të regjistrimit të makinave, ndërsa vlerësimi i gjendjes bëhet një herë në vit nga GDV. Kjo Shoqatë vlerëson dëmet nga aksidentet, frekuencën e aksidenteve dhe dëmet nga vjedhjet, dëmet nga moti i keq, breshëri dhe dëme të tjera, por edhe numrin e aksidenteve me kafshë të egra si dhe sasinë e dëmeve të përgjithshme në rajone të ndryshme.
Sa më i mirë të jetë klasifikimi në një rajon, aq më të ulëta do të jenë edhe çmimet e sigurimeve të makinave, gjë që mund të ndryshojë në kategorizimin tjetër. Rreziku nga aksidentet dhe dëmet është më i madhi në qytetet e mëdha, por një qytet më i vogël mban rekordin. "Offenbach ka rekordin më të keq të dëmeve. Më pas vjen Berlini, por në të dyja qytetet dëmet janë dikur rreth 40 për qind mbi mesataren e Gjermanisë," shpjegoi zëvendësdrejtoresha e GDV, Anja Käfer-Rohrbach.
Ku është gjendja më e mirë?
Gjendja më e mirë në bilance është nëBrandenburg, Schleswig-Holstein, Saksoni të Ultë dheMecklenburg-Pomerani. Drejtuesit e makinave në këto rajone shkaktojnë më rrallë aksidente dhe dëme, ndaj edhe sigurimet janë më të ulëta. Rajoni me çmimet më të ulëta është Elbe-Elster në Brandenburg, që mban rekordin për dëmet më të vogla në makina - këtu dëmi është rreth 30 për qind më i vogël se mesatarja në Gjermani.
Ndërsa në shumë rajone të Bavarisë dhe Hessenit në veçanti pritet të rriten çmimet edhe për shkak të dëmeve nga moti i keq, vërshimet e mëdha dhe breshëri, që gjatë vitit të kaluar kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në makina. Megjithatë dallimet në çmime për pronarët nuk janë tepër të larta, shpjegojnë ekspertët e sigurimeve.
Vlerësimet e tilla bëhen një herë në vit. Ndërsa rritja apo ulja e çmimeve mund të bëhen menjëherë me rastin e nënshkrimit të ndonjë kontrate të re për sigurime. Kontratat e nënshkruara më parë nuk ndryshojnë deri në lidhjen e një kontrate të re.