1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritje dramatike e numrit të refugjatëve

cw/djo (afp, dpa, kna)18 Gusht 2015

Në Gjermani pritet rritje dramatike e numrit të refugjatëve. Qeveria gjermane korrigjon për lart parashikimin e saj për vitin 2015. Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët bën thirrje për lehtësimin e Gjermanisë.

Fotografi: Reuters/S. Loos

Sipas parashikimeve të reja të Zyrës Federale për Migrim dhe Refugjatë (BAMF), të cilat do t'i paraqesë të mërkurën ministri i Brendshëm federal Thomas de Maiziere, në Gjermani do të ketë një rritje dramatike të numrit të refugjatëve, njofton gazeta "Handelsblatt" duke cituar burime qeveritare. Sipas prognozave në Gjermani pritet të vijnë të paktën 650,000 ndoshta edhe 750.000 azilkërkues. Deri tani qeveria federale kishte përllogaritur me rreth 450.000 refugjatë.

"Çdo ditë duhet të ndërtoj një rrokaqiell"

Sipas gazetës "Handelsblatt" një anketë e zhvilluar me qeveritë e landeve federale tregon se gjatë verës numri i refugjatëve ishte rritur përsëri shumë. Në Hamburg sipas anketës kanë kërkuar azil në tremujorin e parë të vitit rreth 6.700 vetë, kurse në tremujorin e dytë më shumë se 7.300.

Azilkërkues të strehuar në një palestër në RosenheimFotografi: DW/K. Brady

Në landin Baden-Württemberg sipas raportit gjatë muajit korrik kanë bërë kërkesë për azil dy herë më shumë vetë se sa në muajin maj. "Mua më duhet të ndërtojr çdo ditë një rrokaqiell për strehimin e tyre," tha ministrja e Integrimit e landit Baden-Württemberg-së Bilkay Oney për gazetën "Handelsblatt". Edhe numri i kërkesave nga vendet e Ballkanit është ende i lartë. Ajo kërkoi përfshirje më të madhe nga qeveria federale. "Unë shpresoj që qeveria federale do të marrë përsipër strehimin paraprak, të paktën për ata që nuk kanë perspektivë për të qëndruar në Gjermani" tha Oney.

Thirrje për angazhim më të madh nga qeveria federale

Ministri i Brendshëm i landit NRW Ralf Jäger kritikon mungesën e mbështetjes nga qeveria federale. "Në këtë garë lodhen dhe djerësijnë landet federale, komunat dhe vullnetarët e shumtë", tha Jäger, duke vazhduar: "Qeveria federale është ulur në tribunë, shikon spektaklin dhe na brohoret. Kjo nuk ka kuptim."

Fotografi: DW/K. Salameh

Komisioneri i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u shpreh ndërkohë për lehtësimin e Gjermanisë në shpërndarjen e refugjatëve. "Ne duhet ta ndajmë përgjegjësinë më shumë mbi shpatullat e Evropës. Në aspekt afatgjatë është e pamundur që vetëm dy vende të BE-së, Gjermania dhe Suedia që kanë struktura të fuqishme azili të strehojnë shumicën e refugjatëve", tha Guterres për gazetën "Die Welt".

Komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatët paralajmëron ndaj frikërave

Sipas tij në brigjet e Evropës kanë arritur që nga fillimi i vitit rreth 240.000 refugjatë. "Shumica e njerëzve që vijnë përmes Mesdheut me anije largohen nga konfliktet dhe persekutimi. Të gjitha vendet në Evropë kanë një detyrim moral për t'i mirëpritur ata, dhe ata kanë detyrim të qartë ligjor për t'i mbrojtur ata," tha Guterres. "Vitin e kaluar sipas regjistrimeve tona ka pasur më shumë refugjatë se kurrë," tha komisioneri i OKB-së.

Më shumë se 60 milionë vetë janë larguar në mbarë botën si rezultat i konfliktit dhe përndjekjes nga vendlindja e tyre. "Ne nuk mund t'i pengojmë njerëzit që ikin për të shpëtuar jetën e tyre. Ata do të vijnë dhe ndoshta numri i tyre do të shtohet edhe më shumë," tha Guterres. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi ndaj nxitjes së frikës ndaj azilkërkuesve. "Unë jam i shqetësuar kur refugjatët konsiderohen si pushtues, punëkërkues dhe terroristë", tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët.