1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Sërish 40 orë punë në javë?

14 Korrik 2026

"Të paktën" 40 orë përsëri, dëgjon dikush nga industria. Kohërat janë të vështira dhe Gjermania nuk mund të përballojë më të bëjë më pak. Por si sindikatat ashtu edhe punonjësit mendojnë ndryshe.

Cottbus 2026 | Dy punëtorë duke punuar në ndërtimtari
A duhet të punohet 40 orë në javë? Fotografi: Frank Hammerschmidt/dpa/picture alliance

Duhet të mendosh, ta peshosh mirë dhe të vendosësh, thotë Albert Sauter. E peshimi është edhe puna e vërtetë e Sauter, sepse kompania e tij në Balingen, prodhon peshore dhe pesha.

Albert Sauter drejton biznesin familjar Kern & Sohn në gjeneratën e tetë dhe në kompaninë e tij nuk ka pasur kurrë një javë pune 35-orëshe.

Kompania nuk mbulohej nga marrëveshja kolektive e industrisë metalike dhe gjithmonë punonte 40 orë në javë. Drejtori gjithmonë e ka konsideruar një ide të mirë dhe sot, në kohë të vështira ekonomike, ai e konsideron edhe më të rëndësishme.

"Pesë orë më pak punë do të thoshte se na duhen më shumë njerëz", thotë ai. "Por kjo do të thoshte gjithashtu më shumë marrëveshje brenda ekipeve. Kur je në punë? Kur është dikush tjetër?" Kostot organizative do të rriteshin dhe do të nevojiteshin më shumë para për ambientet dhe licencat e softuerëve.

Sauter është i bindur se Gjermania thjesht nuk mund të përballojë më një javë puneme më pak se 40 orë. Para së gjithash, sepse konkurrenca ndërkombëtare shpesh bën më shumë. Si shembull, ai përmend Indinë, të cilën e njeh mirë sepse një pjesë e prodhimit të peshoreve të tij zhvillohet në bashkëpunim me kompanitë lokale.

Punëtorët në industriFotografi: Sylvio Dittrich/IMAGO

"Unë shkova në shkollë edhe të shtunën"

Atje punohet 45-orë në javë, thotë ai. Por ai i referphet edhe të kaluarës në Gjermani: "Si nxënës i shkollës fillore, shkoja në shkollë edhe të shtunave në mëngjes. Pra, është e mundur. Kjo është arsyeja pse është e mundur edhe për industrinë gjermane."

Meqenëse kompania nuk është e lidhur me një marrëveshje kolektive, kushtet e punës në Kern & Sohn negociohen drejtpërdrejt me Këshillin e Punës. Ai vlerëson atmosferën e punës dhe marrëdhëniet e mira me drejtorin. Megjithatë, çështja e orarit javor të punës hapet edhe në bisedime. Një javë pune më e shkurtër do të ishte në dobi edhe të menaxhmentit, sipas Stefan Rothmund, anëtar i Këshillit të Punës.

"Për shkak të konkurrencës me punëdhënës të tjerë, sigurisht që kur kërkoni njerëz të rinj, do të ishte më tërheqëse nëse ju thua se edhe ne punojmë 35 orë në javë", thotë Rothmund. Ai shton se vetë është i kënaqur që punon në kompani për arsye të tjera.

Drejtori i merr parasysh edhe këto "arsye të tjera". Ai përpiqet të tërheqë punonjës të rinj me përfitime të veçanta. Për shembull, me një subvencion për anëtarësim në një qendër fitnesi, por edhe me një pagë pak më të lartë se ajo e përcaktuar në marrëveshjet kolektive.

Ndërsa ata që, për arsye private, dëshirojnë përkohësisht të punojnë me orare më të shkurtra, mund ta diskutojnë këtë me të individualisht, thotë Albert Sauter. Për shembull, pak para daljes në pension ose kur duhet të kujdesen për anëtarët e familjes.

Më shumë punë - për të njëjtat para

Mercedes-Benz, tema e orarit javor të punës aktualisht po shkakton shumë zhurmë. Të premten e kaluar, punonjësit e disa fabrikave protestuan kundër planeve të menaxhmentit. Koncerni dëshiron një kthim në javën e punës 40-orëshe në mënyrë që të mbetet konkurrues.

Dallimi kryesor krahasuar me prodhuesin e peshoreve nga Balingen është se në Mercedes nuk do të kishte rritje page si kompensim për orare më të gjata pune. Me fjalë të tjera: pesë orë më shumë punë për të njëjtën pagë.

Sindikata IG Metall e konsideron këtë të papranueshme. Situata e vështirë në këtë kompani është gjithashtu pasojë e gabimeve të menaxhmentit, ndërsa zhvendosja e barrës te punonjësit do të ishte një tjetër gabim. Në vend të kësaj, nevojiten investime të zgjuara në inovacionin e duhur.

Për më tepër, Sindikata IG Metall nuk është e bindur se prodhuesi i makinave aktualisht ka punë të mjaftueshme për 40 në vend të 35 orëve të punës në javë. Sindikata fitoi javën e punës 35-orëshe në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.

Në industrinë metalike dhe elektroteknike, kjo është në fuqi që nga viti 1995. Në Gjermaninë Lindore, marrëveshjet kolektive në shumë vende ende parashikojnë 38 orë punë në javë.

Vetëm një përjashtim - apo një realitet i ri?

Ndërsa Sindikata në Mercedes është kategorikisht kundër orarit më të gjatë të punës, kohët e fundit ka rënë dakord për një kompromis diku tjetër: në prodhuesin e pjesëve të automobilave Aumovio në Villingen-Schwenningen.

Protestat e sindikatave për shkak të kursimeveFotografi: Bernd Weißbrod/dpa/picture alliance

Atje, nga 1 korriku, punohet 38 në vend të 35 orëve në javë, pa rritje page. Sindikata thekson se ky është një përjashtim i madh: vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohen shkurtimet e vendeve të punës dhe pritet që së shpejti të rritet vëllimi i punës.

Por ky "përjashtim" duhet të bëhet urgjentisht rregull në industrinë gjermane të automobilave, sipas prodhuesit të peshoreve Albert Sauter. Situata në Volkswagen është tashmë dramatike. Ai ka frikë se diçka e ngjashme do të pasojë Mercedesin.

Nuk është më çështje nëse duhet të punohet 40 orë apo jo: 40 orë, sipas mendimit të tij, tani është minimumi. "Edhe atëherë do të na duhet të ndezim shumë qirinj në kishë dhe të lutemi për të shpëtuar vendet e punës", paralajmëron sipërmarrësi.

Për të siguruar këtë, ka shumë të ngjarë të duhet të bëhet shumë më tepër. Propozimi i tij thotë: heqja e disa festave zyrtare. Sigurisht që nuk do të fitojë popullaritet. Megjithatë, ai është i bindur se sakrifica të tilla, kur gjithçka peshohet, janë një e keqe më e vogël sesa dobësimi i mëtejshëm i ekonomisë gjermane.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW