Gjermani - Shtohen sulmet përmes internetit
3 Gusht 2014
Në statistikat gjermane të krimeve gjenden mes shumë shifrave të tjera shqetësuese edhe të dhëna për sulme kibernetke përmes internetit. 64.400 sulme të tilla ka pasur gjatë vitit të kaluar në Gjermani. Kemi pra një mesatare prej gati 200 sulmesh në ditë dhe në këtë mënyrë aq shumë sa kurrë më parë. Prej këtyre sulmeve janë të prekur si persona privatë edhe sipërmarrje, të cilët shkëmbejnë gjithnjë e më shumë të dhëna përmes internetit apo i depozitojnë të dhënat e tyre në magazinat virtuale. Me sa duket kriminelëve kibernetikë nuk u interesojnë më vetëm llogaritë bankare, por të gjitha informacionet e mundshme që mund të marrin, që nga të dhënat për klientët, statistikat financiare apo madje si në rastin e sipërmarrjes së veshjeje Work in Progress edhe gjatësitë e pantallonave.
Humbje e dhimbshme
Biznesi i firmës Work in Progress janë rroba tradicionalisht pune nga SHBA, të ridizenjuara për klientë të rinj që ndjekin modën. "Ne bëjmë shumë marketing përmes internetit meqë jemi shumë të pranishëm në ambjente të caktuara, qoftë në BMX, Skate-Boarding, në ato muzikore dhe njerëzit i përdorin shumë teknologjitë e reja." - thotë Till Droege, manaxher i IT në Work in Progress.
Para pak kohësh hakeret vodhën nga serveri i kësaj firme të gjithë fushatën e marketingut të koleksionit të verës dhe për këtë firmës iu desh ta ndryshonte fushatën në minutën e fundit. Për firmën kjo ishte një humbje e dhimbshme. Sikurse u konstatua më vonë sulmet vinin nga Rusia, e cila është krahas vendeve aziatike një nga pikënisjet më të shpeshta të krimit kibernetik. Që t'i ndjekësh dhe t'i ndëshkosh keqbërësit është gati e pamundur.
Rrezik nga celularët
Në asnjë vend tjetër të botës këto lloj sulmesh nuk shkaktojnë dëme kaq të mëdha sa në Gjermani, po t'i krahasojmë me produktin e brendshëm bruto. Deriçka të rrezikshme nuk janë vetëm rrjetet e pasiguruara mirë të firmave.
"Një nga problemet më të mëdha që hasim në firma të ndryshme, është që pajisjet mobile nuk kriptografohen, kjo do të thotë që mbrojtja është e pamjaftueshme për këto sisteme, ose që edhe roadwarrior, të cilët gjithë vitin ndodhen në udhëtime pune, nëpër hotele, në hollet e pritjes të Lufthansës dhe nuk janë të sensibilizuar e nuk kanë masat teknike, për t'i mbrojtur telefonët celularë apo smartphonet." - thotë Nicolai Landzettel, ekspert për mbrojtjen e të dhënave informatike pranë Data Sec.
Forcim i konsiderueshëm i masave të sigurisë
Tani firma Work in Progress, e cila ka zyra dhe biznese në të gjithë botën, të cilat janë të lidhura me kompaninë mëmë nëpërmejt internetit, i ka rritur në mënyrë të konsiderueshme masat e sigurisë.
Sipas Till Droeges në qendër të sulmeve kibernetike është infrastruktura e kësaj firme, sepse "infrastruktura jonë mund të përdoret për të kryer sulme të tjera. Ne kemi filiale në të gjithë botën, kemi qendra në vende të ndryshme, kështu që sigurisht ekziston mundësia e sulmeve në nivel global."
Dhe pasojat e sulmeve të tilla do të ishin pa dyshim më të rënda se sa vjedhja e një fushate marketingu.