1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Thirrje për ndalimin e mediave sociale për fëmijët

28 Dhjetor 2025

Celularët vazhdojnë të jenë dhurata më preferuar e fetstave të fundvitit. Por Ministri federal gjerman i Çështjeve Digjitale kërkon kufizim moshe për mediat sociale.

Tri vajza duke parë në celularë media sociale
Ministri gjerman i Çështjeve Digjitale kërkon kufizim moshe për mediat sociale. Fotografi: Adam Haglund/Image Source/picture alliance

Ministri gjerman i Çështjeve Digjitale, Karsten Wildberger (CDU), është i hapur për ndalimin e mediave sociale për fëmijët në Gjermani, ngjashëm me modelin e Australisë. "Më duket shumë tërheqëse si ide. Në këtë rast unë e konsideroj çështjen e kufizimit të moshës më shumë se të justifikuar", i tha ai Agjencisë Gjermane të Shtypit dpa.

Studimet, vëzhgimet dhe prezantimet tregojnë se sa thellë ndikojnë mediat sociale në zhvillimin e të rinjve. "Pyetja tani është: si t'u mundësojmë atyre një zhvillim të shëndetshëm, ashtu siç e patën brezat e mëparshëm pa mediat sociale? Se cila është mosha e përshtatshme duhet të diskutohet e peshohet mirë", shtoi ai, duke iu referuar një komisioni ekspertësh që ka krijuar qeveria gjermane lidhur me "Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve në Botën Digjitale" .

Ministri gjerman i Çështjeve Digjitale, Karsten Wildberger (CDU), është i hapur për ndalimin e mediave sociale për fëmijët, ngjashëm me modelin e AustralisëFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Ekspertët pritet të paraqesin propozime deri në verë

Komisioni i përbërë nga studjues dhe punonjës nga fusha e mjekësisë, punonjësve sociale dhe kujdestarëve të të rinjve, nisi nga puna në vjeshtë dhe pritet t'i paraqesë rekomandimet e veta deri në verë. Këto rekomandime do të lidhen ndër të tjera me kufizime të mundshme për moshën për lejimin e mediave sociale dhe çështjen shumë të diskutuar të ndalimit të telefonave celularë në shkolla.

 Wildberger: "Ua kemi borxh fëmijëve”

Edhe në këtë pikë Ministri gjerman për Çështjet Digjitale është në favor të një qasje mjaft të rreptë: "Të ulesh një ose dy orë për të mësuar me vëmendje dhe të mos shpërqendrohesh është parakusht themelor për zhvillimin e fëmijëve. Prandaj, mendoj se jo vetëm që është e arsyeshme, por ua kemi borxh edhe fëmijëve që ta kenë këtë mundësi”, tha Wildberger. E domosdoshme për fëmijët është edhe koha e lirë, tha ai. Në debate të tilla është e rëndësishme të dëgjojmë ata që merren çdo ditë me këtë gjë, dhe ata janë mësuesit.

Ministri gjerman për Çështjet Digjitale është në favor të një qasje mjaft të rreptë lidhur me përdorimin e celularëve nga fëmijët Fotografi: Kira Hofmann/photothek.de/picture alliance

Wildberger është Ministri i parë federal i Gjermanisë për Çështjet Digjitale. Ai është gjithashtu përgjegjës për modernizimin e shtetit dhe reduktimin e burokracisë. Kancelari Friedrich Merz e mori në kabinetin e tij ish-drejtorin ekzekutiv të koncernit MediaMarkt-Saturn nga bota e biznesit.

Që nga 10 dhjetori fëmijëve dhe adoleshentëve nën 16 vjeç në Australi u është ndaluar të kenë llogaritëe tyre në shumë platforma kryesore të mediave sociale. Qeveria australiane synon të mbrojë me këtë hap të rinjtë nga ngacmimet kibernetike, konsumi problematik dhe përmbajtjet e dëmshme.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW