140409 Deutschland Industrie
16 Prill 2009Të dhënat më të reja nga Visbadeni ku ndodhet instituti i statistikave, konfirmojnë pohimet për rënie masive të prodhimit në sektorin e industrisë. Por, shihet se rënia do të fillojë të ngadalësohet në tre muajt e ardhshëm. Në nëntor, dhjetor dhe janar rënia e prodhimit në industrinë e lehtë ka qenë rreth 6,6 përqind. Ndërsa në muajin shkurt rënia ishte 4,3 përqind. Ndonëse atmosfera në sipërmarrje ka filluar të përmirësohet, fundi i krizës është ende larg.
Kai Carstensen i institutit IFO nga Mynihu pohon se zhvillimet janë të ndryshme, varësisht prej sektorit. "Në sektorin e ndërtimtarisë ka shenja përmirësimi. Programi koniukturor duket, se po luan në këtë sektor një rol të veçantë, sepse sipërmarrjet presin që muajt e ardhshëm të përfitojnë nga ky program. Ndërsa në sektorin e tregtisë për shembull, shihen lëvizje në drejtimin e kundërt. Gjendja dhe prognozat shkojnë drejt uljes, ndonëse vlerësimet e fundit janë më të mira se më parë. Kjo ka të bëjë edhe me koncesionet për shitjen e veturave."
Ndërkohë që koncerni Hochtief njofton për kërkesa të mëdha pune, sektori i automjeteve vuan nga eksporti i dobët. Rënia reale e shitjes në shkurt ishte rreth 40 përqind. Në industrinë e metaleve rënia ishte rreth 30 përqind, ndërsa në industrinë e kimisë dhe të makinerisë, me një të katërtën. Përfaqësuesi i Shoqatës së industrisë së makinave, Hannes Hesse thotë se as aktivitetet e tanishme nuk janë të sigurta, sepse ka probleme me financimin prej bankave. Nga qeveria federale nuk pritet ndonjë paketë e tretë ekonomike, por lehtësime për sipërmarrjet. "Ajo, që kërkojmë ne është që përmes lehtësimeve në tatime, shteti të krijojë kushte për likuiditetin e sipërmarjeve. Duhet të mundësohet, që humbjet e vitit të kaluar të llogariten pjesërisht gjatë këtij viti. Kjo ka të bëjë edhe me shpenzimet për çështjet sociale, që janë futur para disa vitesh, dhe kanë ngarkuar shumë likuiditetin e sipërmarrjeve."
Kërkesa të tilla do të paraqiten të mërkurën e ardhshme në samitin e organizuar nga kancelarja. Qeveria do të informohet për gjendjen në ekonomi dhe të bëjë vlerësimet e para për rezultatet e deritanishme të paketave koniukturore.
Autor: Felix Lincke / Bahri Cani
Redaktoi: Aida Cama