Gjermania dhe Franca në një pozicion për krizën e borxheve
21 Korrik 2011Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy janë këshilluar në Berlin për krizën në Greqi e vende të tjera edhe me presidentin e Bankës Qendrore Europiane Jean-Claude Trichet. Rezultati i këtij takimi do t'i paraqitet edhe presidentëve dhe kryeministrave të tjerë në samitin e BE-së në Bruksel të enjten (21.07). Besohet se rezultati do të ndikojë edhe tek presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy në konsultimet që zhvillohen në Bruksel, thonë burimet zyrtare në Berlin. Samiti i posaçëm i zonës së euros duhet të vendosë për paketën e re të ndihmës financiare për Greqinë e zhytur në borxhe.
Vullnet i mirë nga të dyja palët
Ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht, burimet në Berlin thonë se kancelarja Merkel dhe presidenti i Francës Sarkozy janë dakorduar për disa nga çështjet më të rëndësishme, por edhe më tej ndër pikat më të kontestuara mbetet përfshirja në kredi e bankave private dhe përgjegjësia e tyre për daljen nga kriza. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha se të dy vendet e kanë të qartë se për çfarë përgjegjësie bëhet fjalë. Të dy palët "kanë treguar vullnet të mirë për dalje nga kriza", tha ai.
Lidhur me këto konsultime dhe samitin e ardhshëm u deklarua edhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle."Mbrojtja e monedhës së përbashkët dhe mbrojtja e Evropës janë vlera të rëndësishme për të cilat duhet të angazhohemi. Nëse nuk e bëjmë këtë, besoj se Gjermania do të paguajë një çmim të dyfishtë, trefishtë e ndoshta edhe të dhjetëfishtë", theksoi ministri i Jashtëm.
E vërteta e krizës duhet pohuar!
Edhe kryetari i socialdemokratëve Sigmar Gabriel është i mendimit se Gjermania dhe Franca duhet të dërgojnë sinjale shumë të qarta për unitetin mes tyre. Por ai kritikoi krerët e këtyre dy shteteve se "nuk e kanë thënë deri tani të vërtetën e plotë" për gjendjen me borxhet në Greqi dhe krizën e thellë që ka kapluar këtë vend. "Ne kemi nevojë për një sinjal të fuqishëm gjermano-francez. Ata të dy, Merkel dhe Sarkozy, po hezitojnë dhe në 18 muajt e fundit gjermanëve nuk ua kanë thënë të vërtetën", theksoi Gabriel.
Autor: Bahri Cani
Redaktoi: Lindita Arapi