111210 D Indien
12 Dhjetor 2010Sipas kancelares Angela Merkel Gjermania dhe India e kanë vënë në jetë patneritetin e tyre strategjik. Këtë ajo e tha ditën e shtunë pas një takimi me kryeministrin indian Manmohan Singh në Berlin. Në vitet e fundit marrëdhëniet janë bërë gjithnjë e më të ngushta, gjë që e tregojnë edhe vizitat jo të pakta reciproke të politikanëve të lartë. Po ashtu ata i kanë vënë vetes qëllime ambicioze për të ardhmen. Në këtë mënyrë ata dëshirojnë të rrisin vëllimin e tregtisë së jashtme, nga 13 miliardë euro, që është aktualisht, në nivelin prej 20 miliardë eurosh deri në vitin 2020. Përveç kësaj, vitin e ardhshëm është 60 vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Me këtë rast Gjermania do të prezantohet pas vjeshtës së ardhshme në shumë qytete indiane.
Bashkëpunimi Gjermani-Indi edhe në fushëne sigurisë
„Gjermania dhe India kanë jo vetëm bashkëpunim të mirë ekonomik, por edhe një bashkëpunim në fushën e kërkimeve, të zhvillimeve dhe në teknologji. Këtë bashkëpunim ne do ta përforcojmë dhe duam të zgjerojmë po ashtu bashkëpunimin tonë në çështjet e politikës së sigurisë, për shkak se India është një vend, që ka vuajtur vazhdimisht nga terrorizmi.“
Edhe kryeministri indian vlerësoi bashkëpunimin e mirë mes Indisë dhe Gjermanisë.
"Marrëdhëniet janë të shkëlqyera, nuk ka konfuzion dhe unë besoj se qielli është kufiri i bashkëpunimit tonë“.
India mbështet Merkelin në përpjekjet për shpëtimin e euros
India shpreson veçanërisht te mbështetja dhe ekspertiza gjermane në trajnimin profesional në Indi theksoi ai. Për më tepër Republika Federale është patneri më i madh tregtar i Indisë në Evropë. Në mëyrë të veçantë, Singh vuri në pah mbështejen e kancelares Merkel në debatin mbi të ardhmen e euros.
"Gjermania luan një rol kyç në sigurimin e stabilitetit financiar dhe në rimëkëmbjen ekonomike në eurozonë. Unë i sigurova kancelares mbështetjen e plotë të Indisë në këtë përpjekje. Ne kemi besim të plotë, se zona e vendeve të euros nën udhëheqjen e kancelares do të dalë nga kriza pa u dëmtuar. Eurozona ndihmon në stabilitetin dhe në mirëqënien e botës dhe për këtë arsye është në interes të botës që të lulëzojë eurozona“.
Singh theksoi se Nju-Delhi dhe Berlini do të bashkëpunojnë ngushtë dhe me besim të plotë edhe në Këshillin e Sigurimit. Të dyja vendet mbulojnë për dy vitet e ardhshme nga një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Por për të ardhmen ata pretendojnë një vend të përhershëm në forumin më të lartë të OKB-së. Për këtë arsye ne do të bashkëpunojmë edhe në reformimin e Kombeve të Bashkuara, premtoi Singh.
Merkel vlerëson përfundimin e negociatave në Cancun
Merkel nga ana e saj falënderoi mysafirin e saj për bashkëpunimin konstruktiv në samitin e klimës në Cancun.
"Ne kemi bërë në Cancun një hap përpara. Mbetet shumë, shumë për të bërë për të arritur në një marrëveshje paraprake për marrëveshjen e Kiotos, por sot ishte një ditë e rëndësishme për mbrojtjen e klimës në vazhdën e procesit të OKB-së dhe me përfundimin e negociatave atje, duhet tani të bashkëpunojmë më tej më intensivisht.“
Kjo do të thotë mbështetje dhe transferim i teknologjisë për vendet më të varfra në botë dhe me pretendimin për të arritur synimin e reduktimit të CO2-it për vendet e industrializuara.
Autorë: Bettina Marx /Mimoza Ciak-Kelmendi
Redaktoi: Elert Ajazaj