1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania do të dërgojë sisteme kundërajrore në Ukrainë

11 Tetor 2022

Gjermania do të dorëzojë të parin nga katër sistemet e mbrojtjes ajrore të teknologjisë së lartë brenda "disa ditësh".

 IRIS-T SL
IRIS-T SL Fotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Nxitimi për të përshpejtuar dërgimin vjen pasi sulmet e rënda me raketa ruse goditën qytetet kryesore të Ukrainës, përfshirë Kievin.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht tha të hënën se sulmet me raketa ruse në qendrat e popullsisë ukrainase shpjegojnë urgjencën e dërgimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore për forcat e Kievit.

Sistemet e premtuara prej kohësh, të cilat janë në gjendje të mbrojnë një qytet të tërë, fillimisht ishin planifikuar të dorëzoheshin deri në fund të vitit. Goditjet vdekjeprurëse të së hënës e përshpejtuan megjithatë planin e dërgimeve.

Çfarë thanë zyrtarët gjermanë?

Sipas ministres Lambrecht, sulmet ruse theksuan nevojën për të ofruar shpejt sistemet SLM Iris-T të montuara në automjete.

Kievi pas sulmit, 11.10.2022Fotografi: Efrem Lukatsky/AP/picture alliance/dpa

"Rifillimi i goditjeve me raketa në Kiev dhe shumë qytete të tjera tregon se sa e rëndësishme është që të pajiset shpejt Ukraina me sisteme të mbrojtjes ajrore”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes në një deklaratë.

"Sulmet e Rusisë me raketa dhe drone terrorizojnë kryesisht popullatën civile”, tha Lambrechti.

Ajo shtoi se i pari nga katër sistemet e mbrojtjes ajrore të teknologjisë së lartë tani do të jetë "gati për mbrojtje efektive të popullsisë në ditët në vijim".

Kancelari Olaf Scholz premtoi në qershor se do t'i dorëzonte sistemet e mbrojtjes ajrore në Ukrainë.

Çfarë mund të bëjnë mburojat e mbrojtjes ajrore?

IRIS-T SLM mund të mbrojë nga raketat që vijnë në një lartësi deri në 20 kilometra (12 milje) dhe në një distancë deri në 40 kilometra.

Kiev, 11.10.2022Fotografi: Efrem Lukatsky/AP/picture alliance/dpa

Sipas Scholz-it, sistemi i mbrojtjes mund të mbrojë "një qytet të tërë të madh kundër sulmeve ajrore ruse".

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha të hënën se Gjermania do të bënte "çdo gjë që mundet" për të ndihmuar në ndërtimin e shpejtë të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

"Është e neveritshme dhe e pajustifikueshme që Putini të bombardojë qytetet e mëdha dhe civilët me raketa”, shkroi Baerbock-u në Twitter.

Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, sulmet me raketa të mëngjesit të së hënës dëmtuan në Kiev një ndërtesë të madhe ku ndodhej një konsullatë gjermane. Ministria shtoi megjithatë se zyra nuk ishte përdorur që nga fillimi i luftës.

aud/rc/rs (Reuters, dpa, AFP, AP)