1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania do të jetë më prezente me investime në Maqedoni

Fatos Musliu16 Qershor 2006

Ministri i ekonomisë dhe teknologjisë së Gjermanisë, Mihail Glos është shprehur në Shkup se, Maqedonia po ecën e sigurtë drejt reformave dhe krijimit të një klime pozitive për biznesin

Pamje nga qendra e Shkupit
Pamje nga qendra e ShkupitFotografi: DW

Qeveria gjermane vazhdon të japë sinjale pozitive për bashkëpunim ekonomik me Maqedoninë. Gjermania është partneri ynë më i madh jo vetëm politikisht por edhe ekonomikisht dhe ne dëshirojmë pozicion të ngjajshëm edhe në investime. Kështu ka deklaruar ministri i ekonomisë së Maqedonisë, Fatmir Besimi pas bisedimeve të zhvilluara në Shkup me homologun e tij gjerman, Mihail Glos.

Këmbimi i dokumentit kornizë midis koncernit gjerman “Siemens” dhe qeverisë së Maqedonisë do te hap një kapitull të ri të bashkëpunimit ekonomik midis Maqedonisë dhe Gjermanisë. Ministri i ekonomisë dhe teknologjisë së Gjermanisë, Mihail Glos është shprehur se qeveria gjermane mbështet marrëveshjen e arritur midis koncernit “Siemens” dhe qeverisë së Maqedonisë.

“Siemensi do të shqyrtojë tre projekte në sferën e mjekësisë dhe gjashtë projekte në infrastrukturë, prej të cilave do të zgjedhë se cilat janë prioritare për t’i financuar. Marrëveshja parasheh edhe formimin e një kompanie të përzier midis Siemensit dhe Emo nga Ohri,” ka deklaruar ministri gjerman i ekonomisë, Mihail Glos.

Gjithnjë sipas tij, Maqedonia po ecën e sigurtë drejt reformave dhe krijimit të një klime pozitive për biznesin. Stabiliteti i Ballkanit perendimor dhe zhvillimi i sukseshëm i Maqedonisë, janë faktor mjaft domethënës për stabilitetin e rajonit në tërësi, ka vlerësuar Mihail Glos.

Interesimin e afaristëve gjermanë për të investuar në Maqedoni, ministri i ekonomisë, Fatmir Besimi e vlerëson si nje dorë të shtrirë nga një mik i vërtetë: “Ne synojmë që në të ardhmen të rritim bashkëpunimin në sferën e investimeve , për arsye se me investimet gjermane ne do të përfitojmë kapital, dituri dhe teknologji të re dhe ajo që është më me rëndësi edhe krijimin e vendeve të reja të punës”- është shprehur ministri Fatmir Besimi.

Menaxheri i Bordit te drejtorëve të Simensit , Johanes Feldmajer ka thekuar se nga ana e tyre tani më janë identifikuar projektet dhe se së shpejti ekonomia e Maqedonisë do ti ndjejë investimet gjermane.

Ministri gjerman Mihal Glos ka zhvilluar biseda të veçanta edhe me kryeministrin Vllado Buçkovski dhe presidentin Branko Crvenkovski.