1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania do të pësonte kolaps pa infermieret e Evropës Lindore!

Nadine Vojcik22 Nëntor 2006

Çfarë rruge duhet zgjedhur në rast se nëna, babai apo partneri do të jenë pacient në trajtim të vazhdueshëm?

Azil pleqsh në Frankfurt (Oder)
Azil pleqsh në Frankfurt (Oder)Fotografi: dpa

Në azilin e pleqve apo përkujdesje në shtëpi? Për shumë familje është ky një vendim i vështirë financiar për shkak se pensionet nuk mjaftojnë shpesh për të paguar një vend të shtrenjtë në shtëpinë e azilit. Përveç kësaj shumë familje nuk duan të largojnë pjesëtarët e tyre nga katër muret e shtëpisë, nga rrethi ku janë mësuar dhe vendosin për përkujdesje në shtëpi. Megjithatë të pakta janë ato familje që arrijnë të përkujdesen vetë për të afërmit e tyre. Zgjidhja më e mirë mbetet një forcë punëtore nga Evropa Lindore. Me këtë këto familje shkelin edhe ligjin.

Ato janë 24 orë në detyrë. Infermieret e Evropës Lindore ndihmojnë në pastrim dhe veshje, përkujdesen për punët e shtëpisë dhe kujdesohen edhe natën për pacientët në trajtim të vazhdueshëm. Për të ofruar këtë shërbim të pandërprerë, 24 orë në ditë, shumicën e rasteve ato banojnë me njerëzit e moshuar në nevojë. Kështu që europianolindoret shpesh nuk janë infermiere anonime por pjesëtarë të rinj të familjes për njerëzit në nevojë. Në shumicën e rasteve gratë që vijnë ngë Evropa lindore flasin gjermanisht, janë të motivuara dhe kanë më tepër kohë, thotë eksperti Klaus Fussek:

"Dhe ky është një faktor i cili është shumë i nevojshëm sidomos për përkujdesjen ndaj njerëzve që vuajnë nga sëmundja Alzheimer. Ato kanë kohë, mund t'u japin ushqimin pa u ngutur me qetësi, mund ta shoqërojnë pacientin për në banjo pa qenë nën presionin e kohës, mund të dalin në qetësi për shetitje, të gjitha këto çfarë me kënaqësi do t'i bënin edhe shumë infermiere gjermane por nuk kanë kohë për një gjë të tillë", sqaron Fussek.

Vlerësohet se në Gjermani aktualisht punojnë rreth 100 mijë infermiere nga Evropa Lindore. Numrin e saktë të tyre nuk e di askush - për shkak se në shumicën e rasteve bëhet fjalë për punë në të zezë pasi që infermieret nga Evropa Lindore nuk posedojnë leje pune dhe nuk paguajnë shpenzimet sociale. Për shërbimin 24 orë në ditë ato fitojnë prej 800 deri në 1200 euro në muaj. Një pagë e mirë kjo për këto gra. Dhe një alternativë e mirë për familjet gjermane. Përkujdesja shtëpiake pa gratë nga Evropa Lindore është tani pothuajse e paparamendueshme, thotë Klaus Fussek:

"Druhem - dhe kjo çfarë po them tani më është konfirmuar mua jozyrtarisht nga shumëkush, besoj që përkujdesi shëndetësor do të pësonte kolaps", nënvizon Fussek.

Mungojnë alternativat. Andaj kërkesa për fuqi punëtore ilegale është kaq e madhe, thotë Fussek. Ndërkaq sekretari i përgjithshsëm i Lidhjes së Shoqatave të ofruesëve privat të shërbimeve sociale Bernd Tevs nuk pajtohet me qëndrimin e zotit Fussek. Një përkujdesje ambulante e një institucioni gjerman në fakt është më e shtrenjtë: 1200 deri në 1800 euro në muaj kushton përkujdesja themelore me tre vizita në ditë. Por këtu kemi të bëjmë me personel të shkolluar dhe me përvojë. Një përkujdesje 24 orëshe në ditë siç ofrohet nga infermieret e Evropës lindore do të kushtonte deri në 8000 euro. Megjithatë një kujdestari e tillë është e nevojshme në raste të rralla. Kështu që sipas pikëpamjeve të Bernd Tevs çmimet e ulëta të infermiereve nga Evropa Lindore janë duke rrezikuar në radhë të parë tregun e punës në fushën gjermane të përkujdesit për pacientët në trajtim të vazhdueshëm.

"Përsa i përket vendeve të punës gjendja është e atillë që natyrisht se nuk rrezikohen vetëm vendet e punës por institucione të ndryshme është dashur të mbyllen tërësisht apo të nxjerrin nga puna bashkëpunëtorët e tyre për shkak se përkujdesja me fuqi punëtore në të zezë po pranohet", tha Tevs.

Që prej vitit 2005 me ndihmën e qendrës për ndërmjetësim të vendeve të punës ekzsiton mundësia që infermieret nga Evropa Lindore të angazhohen legalisht. Por kjo zgjidhje deri tani nuk është marrë seriozisht nga gjermanët. Përmes kësaj rruge brenda një viti e gjysëm janë punësuar vetëm 3000 infermiere. Një i punësuar legalisht në këtë formë kushton 1100 euro në muaj. Por për shkak të ndalesave për shpenzimet sociale për një infermere nga Evropa Lindore në fund të muajit mbeten 500 euro pagë. Në këtë mënyrë puna në të zezë mbetet për të dyja palët ende më fitimprurëse. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti që europianolindoret nuk guxojnë zyrtarisht të punojnë si infermiere por vetëm si ndihmëse në punët e shtëpisë.

Klaus Fussek: "Unë nuk e di se nga kush është shpikur kjo. Nuk e di asnjë ekonomi familjare ku do të mund të punësoja dikend me 38 orë e gjysëm punë në javë. Ky është një konstrukt që nuk ka të bëj me praktikën. Problemi është shumë i komplikuar që të provohet të zgjidhet me veprime aksionare", sqaron Fussek.

Andaj zgjedhjet e praktikueshme janë urgjentisht të nevojshme në këtë drejtim. Dy milionë njerëz në Gjermani aktualisht varen nga ndihma e infermierëve dhe numri i tyre shtohet nga dita në ditë. Në 15 vitet e ardhshme pritet që ky numër të shtohet për 50 përqind, pra në tre milionë njerëz. Prandaj ata që duan një zgjidhje të qëndrueshme duhet të mendojnë seriozisht për gjetjen e alternativave, të cilat mund të paguhen nga njerëzit në nevojë dhe të afërmit e tyre.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW