1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dyshon për sabotim pas dëmtimit në Detin Baltik

19 Nëntor 2024

Pas lajmit se është prerë një kabllo të dhënash që lidh Gjermaninë dhe Finlandën, Gjermania përjashtoi mundësinë e një aksidenti. Mbetet e paqartë se kush qëndron pas aktit të sabotimit.

Unterseekabel von Finnland nach Deutschland auf dem Grund der Ostsee verlegt
Fotografi: Lehtikuva/Heikki Saukkomaa/REUTERS

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha të martën se dëmtimi i një kablloje nënujore të dhënash, që lidh Gjermaninë me Finlandën, ka të ngjarë të jetë një akt sabotimi.

Dëmtimi i kabllos C-Lion1 u raportua për herë të parë të hënën. Autoritetet thanë se linja 1.173 kilometra e gjatë ishte prerë, megjithëse pasoja nuk ka gjasa të ndihet nga shumica.

Ministri suedez i Mbrojtjes Civile Carl-Oskar Bohlin tha gjithashtu të hënën se ishte dëmtuar një kabllo e dytë nën det, sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP.

Incidenti ndodhi në të njëjtin rajon detar ku u sabotuan në vitin 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës, tubacionet e gazsjellësit Nord Stream.

Deti i Veriut është në fokus të sigurisë që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë dhe pranimi i Finlandës e Suedisë në aleancën e NATO-sFotografi: Heikki Saukkomaa/Lehtikuva/dpa/picture alliance

"Nuk mund të jenë vetëm rastësi"

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se Evropa do të mbetet e bashkuar përballë kërcënimeve hibride, pas prerjes së kabllove me fibra optike në Detin Baltik.

"Ne po e përjetojmë këtë edhe në Gjermani [...] me sulme kibernetike, monitorim të infrastrukturës kritike, paketa që shpërthejnë papritmas kur transportohen me avion dhe dje [...] një kabllo të dhënash midis Finlandës dhe Gjermanisë që ndoshta ka prekur edhe Suedinë,” tha Baerbock. "Këto nuk mund të jenë thjesht rastësi.

Çfarë tjetër thotë Gjermania për kabllon e dëmtuar të Detit Baltik?

"Askush nuk beson se këto kabllo janë prerë aksidentalisht. Unë gjithashtu nuk dua të besoj versionet se ishin spiranca që i dëmtuan aksidentalisht këto kabllo," tha Pistorius përpara një takimi me ministrat e Mbrojtjes të BE në Bruksel.

Boris Pistorius flet në BrukselFotografi: NICOLAS TUCAT/AFP

"Prandaj, duhet të pohojmë, pa e ditur saktësisht se kush është, se është një veprim "hibrid”. Dhe ne gjithashtu duhet të supozojmë, pa e ditur ende, se ky është sabotim,” shtoi ai.

Pistorius nuk ishte në gjendje të siguronte ndonjë provë për dyshimet e tij, por homologu i tij estonez, Hanno Pevkur, tha gjithashtu se nuk kemi të bëjmë me një "shkak natyror" bazuar në informacionin e tyre paraprak.

Ministrat e jashtëm gjerman dhe finlandez nxorrën një deklaratë të përbashkët të hënën në mbrëmje: "Siguria jonë evropiane nuk kërcënohet vetëm nga lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës, por edhe nga lufta hibride e nxitur nga aktorë keqdashës".

ab(sms/Reuters, AFP, dpa)