1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e interesuar për Trepçen

Bekim Shehu23 Maj 2006

Në Kosovë po qëndron një delegacion gjerman nga landi i Saksonisë së ulët. Kryesuesi i delegacionit Jurgen Gansauer, pas takimeve që zhvilloi me udhëheqësit politik, tha se Gjermania do të vazhdojë mbështesë proceset në Kosovë, ndërsa ai shpreson se pavarësia e Kosovës do të arrihet shumë shpejtë.

Angela Merkel vizitoi Kosovën më 15 korrik 2005
Angela Merkel vizitoi Kosovën më 15 korrik 2005Fotografi: AP

Kryetari i parlamentit të Landit gjerman të Saksonisë së ulët, Jurgen Gansauer, po qëndron në Kosovë së bashku me një grup deputetësh, të cilët po vizitojnë dy nga gjigandët insustrial të Kosovës, kompleksin industrial Trepça dhe korporatën elektroenergjetike të Kosovës.

Jurgen Gansauer tha se, Gjermania është i interesuar për gjigandin industrial Trepça, ndërsa qëllimi i vizitës së tij në Trepcë është për të parë mundësinë e investimeve. Landi i Saksonisë së ulët, sipas zotit Gansauer do të vazhdojë bashkëpunimin edhe me Universitetin e Prishtinës në fushën e shkencës duke këmbyer pervoja me profesor dhe student. Pas një takimi që kryesuesi i delegacionit gjerman të landit të Saksonisë së ulët, Jurgen Gansauer, zhvilloi me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, ai u angazhua sic tha për pavarësinë e Kosovës duke shpresuar se kjo do të arrihet shumë shpejtë.

Jurgen Gansauer, tha se kontaktet e mira politike të Gjermanisë me Kosovën do të vazhdojnë në mënyrë të veçantë do të ketë kontakte në fushën e arsimit dhe të zhvillimit ekonomik. Ai tha se shpreson se shumë shpejtë do të kthehet në Kosovë për të festuar pavarësinë e Kosovës. Ai tha se, arritja e pavarësisë së Kosovës nuk është e lehtë mirëpo, autoritet kosovare sipas tij janë në rrugën e duhur për të arritur këtë synim.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, thotë se Gjermania është shumë e angazhuar për proceset në Kosovë dhe në këtë rast ai përmendi angazhimin e vazhdueshëm të udhëheqësve të Landit të Saksonisë së ulët me vizitat e shpeshta që i bëjnë Kosovës.

Në Kosovë të hënën dhe të martën qëndruan dy delegacione gjermane, një nga bundestagu gjerman, i kryesuar nga sekretari parlamentar i shtetit, Friedbert Pfluger dhe një nga landi i Saksonisë së ulët i kryesuar nga Jurgen Gansauer.

Të dy delegacionet u angazhuan për pavarësinë e Kosovës, mirëpo thanë se zgjidhja më e mirë do të ishte, që pavarësia e Kosovës të arrihet mbi bazën e kompromisit, jo vetëm ndërkombëtar por edhe të palëve në bisedime shqiptarëve dhe serbëve.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW