Gjermania feston dy dekada ribashkim
3 Tetor 2010Presidenti federal, Christian Wulff vlerësoi fillimisht guximin e gjermanolindorëve për kapërcimin e ndarjes me mur, 20 vjet më parë:
"Unë përkulem përballë të gjithë atyre, që luftuan për këtë liri," - tha ai të dielën (03.10.2010) në ceremoninë qendrore festive në Bremen. Gatishmëria e gjermanolindorëve për ndryshim deri tani nuk është vlerësuar si duhet, theksoi presidenti federal në fjalimin e tij të parë të madh pas ardhjes në post, para më pak se 100 ditësh.
Para përfaqësuesve drejtues të politikës federale dhe të landeve, si dhe miqve nga bota e jashtme, Wulffi paralajmëroi për rrezikun e shkëputjes së botëve ku jetojnë të vjetrit dhe të rinjtë, ata me fitime maksimale dhe njerëzit që jetojnë në minimumin e jetesës, populli dhe përfaqësuesit e popullit si dhe njerëzit e kulturave dhe besimeve të ndryshme. Pa i përmendur konkretisht tezat e diskutueshme të ish-anëtarit të kryesisë së Bankës Qendrore gjermane, Thilo Sarrazin, për mungesën e integrimit të myslimanëve, Wulffi e quajti të nevojshëm debatin për këtë temë. Por ky debat nuk duhet të çojë në cënim e lëndim të bashkëqytetarëve me origjinë të huaj, tha ai.
Presidenti i Gjermanisë tha se e ardhmja u përket kombeve, që janë të hapura për larminë kulturore, për përballjen me të huaj dhe të huajën. Ai theksoi se jo vetëm kristianizmi dhe hebraizmi, por edhe feja islame është pjesë e Gjermanisë. Wulffi kërkoi më tej që në garën për mendje të ndritura Gjermania duhet të tërheqë më të mirët.
"Ne jemi distancuar prej kohësh nga tri vetëmashtrime të mëdha. Ne konstatuam, që punëtorët mysafirë nuk erdhën përkohësisht, por qendruan këtu. Ne konstatuam se migracioni ndodhi, edhe nëse ne nuk e quajtëm veten vend migrimi dhe nuk e drejtuam migracionin sipas interesave tona. Dhe ne konstatuam se iluzionet multikulturore i nënvleftësuan rregullisht sfidat dhe problemet. Ngecja në ndihmën e shtetit, shkallë kriminaliteti, sjellje prej maçoje, refuzim për arsimim dhe për të punuar."
Të respektohet dhe të mbrohet kushtetuta
Në fjalë të qarta ai kërkoi që thirrja e ribashkimit "Ne jemi një popull" të jetë një ftesë për të gjithë. Të gjithë njerëzit që jetojnë në Gjermani duhet ta respektojnë dhe mbrojnë kushtetutën dhe vlerat që përmban ajo. Presidenti federal theksoi: "Ai që nuk e bën këtë, ai që përçmon vendin tonë dhe vlerat e tij, duhet të llogarisë me kundërshtim të vendosur - kjo vlen si për fundamentalistët, ashtu edhe për ekstremistët e djathtë ose të majtë."
Wulffi përmendi edhe mangësi: në shumë fusha ka nevojë të bëhet më shumë, si në kurset e integrimit dhe të gjuhës për familje të tëra, ofertat për mësim në gjuhët amëtare ose në mësimdhënien e fesë islame nga mësues të shkolluar në Gjermani. Asnjë fëmijë nuk duhet të shkojë në shkollë pa njohuri të gjuhës gjermane dhe ta përfundojë shkollën pa dëftesë, tha presidenti gjerman.
Thirrje për tolerancë dhe solidaritet
Njëkohësisht ai kërkoi tolerancë, aftësi për kompromis dhe solidaritet në të gjithë shoqërinë: "Ai që bën pjesë në elitë, në vendimmarrësit dhe mbajtësit e përgjegjësisë dhe i cili e mbyll veten në një botë paralele të shkëputur - edhe ai shkëputet nga kjo shoqëri."
Shërbesë ikumenike në hapje
Me një shërbesë fetare në Katedralen e Shën Pjetrit në Bremen nisën ceremonitë qendrore paradite. Krahas Wulffit dhe kancelares federale, Angela Merkel në ceremoni morën pjesë edhe shumë ministra federalë, kryeministra, ambasadorë dhe delegacione qytetarësh. Në predikimin e tij, ipeshkvi Franz-Josef Bode tërhoqi vëmendjen për arritjet e vlerave paqësore. Ai u kërkoi të pranishmëve që të jenë mirënjohës për unitetin e arritur.
Presidenti i SHBA Obama uron
Presidenti i SHBA, Barak Obama i uroi gjermanët me rastin e aktit ceremonial solemn. "Ne e nderojmë guximin dhe bindjen e gjermanëve, të cilët rrëzuan Murin e Berlinit dhe u dhanë fund dekadave të një ndarjeje të dhimbshme dhe artificiale, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë. Rezultati i ribashkimit gjerman është një liri që nuk ka ekzistuar kurrë në kontinentin evropian dhe në botë, u tha. "Ne mbetemi krenarë për partneritetin tonë me aleatët tanë gjermanë", shkruhej në urim.
Roli kyç i Moskës
Shefi i Kremlinit, Dmitri Medvedjev theksoi në përshëndetjen e tij se Rusia mundësoi me "rolin kyç" të saj jo vetëm ribashkimin e Gjermanisë, por edhe të Evropës. Që atëherë u hodh baza për një "dialog të besueshëm" midis Rusisë dhe Gjermanisë, thuhet në letrën e urimit të Kremlinit.
Përshëndetje nga universi
Madje edhe një përshëndetje nga universi u përcolli të ftuarve në Bremen komandanti i stacionit të hapësirës ISS, astronauti i SHBA, Doug Wheelock. Tri astronautë folën në mesazhet e tyre të shkurtra për një "bashkëpunim të ndershëm, ndërkombëtar." Në fund, në anijen kozmike ata hodhën në ajër disa kartolina urimi për ditën e ribashkimit të Gjermanisë.
Autor: Eleonore Uhlich/ Auron Dodi
Redaktoi: Pandeli Pani