1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania gati e paralizuar këtë të hënë

27 Mars 2023

Një grevë paralajmëruse e sindikatave ver.di dhe EVG shtrihet të hënën në të gjithë Gjermaninë. Megjithë kritikat ndaj grevës, sipas ekspertëve pasojat e pandemisë dhe inflacioni i lartë krijuan një situatë të re.

Aeroporti i Mynihut
Aeroporti i MynihutFotografi: Johann Medvey/Eibner/IMAGO

Dy sindikatat më të fuqishme në Gjermani, ver.di dhe ajo e transportit dhe hekurudhave, EVG kanë rënë dakord të koordinojnë të hënën një grevë paralajmëruese që do të shtrihet në të gjithë Gjermaninë. Autobusët dhe trenat do të qëndrojnë në vend, avionët nuk do të ngrihen gati në gjithë aeroportet gjermane. Trafiku ajror në Frankfurt, Mynih pezullohet i gjithi. Edhe shumë aeroporte të tjera si Hamburgu, Laipzigu, Halle, Drezden, Dyseldorf, Kölni, Dortmundi janë në grevë të hënën. Vetëm aeroporti i Berlinit do të jetë në funksion, por edhe aty do të ndjehen pasojat e grevës.

Karin Welge, presidente e shoqatës së punëdhënësve komunalëFotografi: biky/IMAGO

Të dielën për të minimizuar pasojat negative në furnizimin e popullsisë u lejua në shumë lande zbutja e rregullores për ndalimin e qarkullimit të mauneve në autostrada. Ministri federal gjerman i Transportit, Volker Wissing u shpreh për lirimin e rregullores për ndalimin e mauneve në autostrada të dielën. Ai apeloi tek të gjithë pjesëmarresit të tregohen të përgjegjshëm për të reduktuar sa më shumë pasojat e grevës.

Kritika ndaj grevës së sindikatave

Kritika kundër sindikatave që kanë thirrur këtë grevë të përgjithshme vijnë nga përfaqësuesja e negociatave në komuna, Karim Welge. Presidentja e VKA tha se "e drejta e grevës po përdoret në mënyrë të tepërt", dhe kujtoi se në raundin e tretë të negociatave do duhej të arrihej një rezultat. Ajo thotë se "është pak e zemëruar" që sindikatat e shkallëzojnë situatën, duke  theksuar se "ky nuk është toni negociues që ne përdorim". Ajo akuzoi sindikatat se bëjnë sikur nuk mund të arrihet një kompromis në tryezën e bisedimeve. "Unë besoj në përgjegjësinë tonë për komunitetin dhe kërkoj nga sindikatat që të bëjnë realitet këtë përgjegjësi që kanë."

Edhe Deutsche Bahn, Hekurudha Gjermane kritikoi sindikatat duke e quajtur grevën "tërësisht të ekzagjeruar e të panevojshme" dhe kërkoi nga sindikatat kthimin në tryezën e bisedimeve.

Kërkesa të larta për të minimizuar humbjen e fuqisë blerëse

Megjithëse grevat në shërbimin publik kërcënojnë ta paralizojnë të gjithë Gjermaninë, politologu, Wolfgang Schroeder nga Universiteti i Kasselit thekson, se kjo grevë solidarizuese, që nuk është tipike për Gjermaninë rezulton nga një situatë e pazakontë që doli nga pasojat e pandemisë dhe inflacioni i lartë. Gjatë pandemisë së Coronës nuk mund të mobilizoheshin anëtarët e nuk kishte përplasje për tarifat e pagesës së shërbimit publik. Nga ana tjetër sindikatat konfrontohen me një inflacion të jashtëzakonshëm, prandaj anëtarët e tyre duhet të bëjnë kërkesa të larta për të kufizuar humbjen e aftësisë blerëse. Kërkesat e sindikatës së shërbimit publik ver.di janë për 10,5% më shumë rrogë mujore kurse ajo e sindikatës së Trafikut dhe Shinave, EVG për 12,5% më shumë rrogë mujore për të kompensuar inflacionin e lartë, që vitin e kaluar arriti afër 10%.

Greva paralizon Gjermaninë, 26.03.2023Fotografi: Sven Hoppe/dpa/picture alliance

Në tryezën e negociatave ndodhet edhe shteti, sipas politologut. Në aksionin e përbashkët të qeverisë federale dhe partnerëve u vendos se është e mundur të paguhet një herë një shumë 3000 euro pa tatim në një marrëdhënie pune mbi bazë tarifash. Nga kjo kanë përfituar të punësuarit në degën e industrisë së metalit dhe atë kimike, thotë politologu Schroder në intervistë me shërbimin e shtypit epd. Sipas politologut sindikatat punojnë me masë për sa kohë kjo mund të kuptohet kështu. Ato zhvillojnë greva të kufizuara në kohë dhe grevat janë paralajmëruar paraprakisht që të bëhen përgatitjet.

Deutsche Bahn pezullon trafikun e distancave të gjata të hënënFotografi: Matthias Rietschel/picture alliance/dpa

Frika se në Gjermani mund të ketë zhvillime grevash e situata të ndezura si në Francë është shprehur shpesh ditët e fundit. Steffen Kampeter, drejtues i Shoqatës Federale të Punëdhënësve Gjermanë tha se "një vështrim nga Franca na mëson se ku të çon kjo, nëse futesh në rrugë të gabuar". Por politologu, Wolfgang Schroeder e kundërshton këtë. "Këtu bëhet fjalë për sindikata të përgjegjeshme që bëjnë thirrje për grevë të kufizuar në kohë, mundësisht shpejt, mundësisht në mënyrë efektive për të arritur një marrëdhënie tarifash. Greva nuk ndjek qëllime politike, por kërkon arritjen e një marrëveshjeje. Gjermania është një vend ku ka pak greva, dhe për këtë kanë luajtur rol grevat paralajmëruse. Mund të ketë më shpesh greva, por nga ana tjetër redukohet numri i ditëve ku nuk është punuar.

 

la/ag