Gjermania ka ndryshuar
4 Shtator 2016Ka disa gjëra që kanë ndryshuar në Gjermani këtë vit. Fillimisht një lajm i keq: racizmi në Gjermani është rritur. Partia populiste e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AFD), e cila kishte humbur ithtarë para krizës së refugjatëve, përfitoi nga frika e shumë gjermanëve prej refugjatëve. Ndërkohë AFD mund të fitojë sipas sondazheve të fundit në mbarë vendin deri në 15 për qind të votave. Në zgjedhjet e fundit parlamentare ajo nuk arriti të kalonte pragun prej pesë për qind dhe kështu nuk mund të hynte në parlament. Por sot gjërat duken ndryshe. Ksenofobia është bërë e pranueshme në shoqërinë gjermane.
Vatër e drejtimeve politike të qendrës
Megjithatë këtë fakt duhet ta klasifikojmë në krahasim me vendet e tjera evropiane: në Francë dhe Bullgari, për shembull, populistët e djathtë kanë më shumë se njëzet për qind vende në parlamentet, në Hungari dhe në Poloni drejtojnë madje qeverinë. Në Britaninë e Madhe, partia ksenofobike UKIP dha shtysën fillestare për daljen e vendit nga BE-ja. Krahasuar me vendet me orientim të thellë nacionalist të Evropës Lindore, Gjermania është ende një vatër e orientimit politik të qendrës dhe e stabilitetit.
Raporti i gjermanëve ndaj kancelares ka ndryshuar: popullariteti i saj kanë rënë. Shumë gjermanë janë të pakënaqur me qëndrimin në krizën e refugjatëve. Nga ana tjetër, shifrat e sondazhit për partitë e unionit konservator në pushtet janë ende të qëndrueshme. Jashtë vendit kancelarja vazhdon të vlerësohet ende shumë lart. Edhe pse politika e saj ndaj refugjatëve nuk pëlqehet në shumë vende të BE-së, për pyetje kyç si se si do të vazhdohet pas referendumit për Brexitin fjala e saj ka ende peshë. Gjesti humanitar ndaj refugjatëve u vlerësua jo vetëm nga Presidenti amerikan Obama: "Gjermania ka vepruar drejt në këtë histori".
Frika nga terrori rritet
Kancelarja ndesh gjithashtu në mirënjohjen e shumë njerëzve në Afrikë dhe Lindjen e Mesme: për shkak se Gjermania i bëri fjalët veprat dhe u lejoi njerëzve në nevojë të vijnë këtu. Raporti i gjermanëve ndaj refugjatëve ka ndryshuar. Pas valës së parë të ndihmës po përhapet një lloj zhgënjimi. Sulmet në prag të Vitit të Ri, sulmet islamike e Ansbach dhe Würzburg kanë nxitur frikën nga terrorizmi islamik në mesin e gjermanëve, edhe pse të dy atentatorët kishin ardhur në Gjermani shumë kohë para hapjes së kufirit në shtator 2015 dhe vetëm pak nga sulmuesit e ditës së Vitit të Ri në Këln kishin ardhur si refugjatë në Gjermani
Ne tani e dimë, megjithatë, se islamistët e kanë përdorur rrjedhën e pakontrolluar të refugjatëve të vitit të kaluar për të hyrë në Gjermani. Por nëse kufijtë do të ishte mbajtur të mbyllur, do të kishin mbetur pa ndihmë qindra-mijëra vetë. Pavarësisht pasigurive gatishmëria për të ndihmuar që ndihet në Gjermani që vjeshtën e kaluar, vazhdon të ndihet ende. Gjermanët ndihmojnë ku të munden: strehojnë refugjatët e mitur që janë të pashoqëruar ose u ndihmojnë për të gjetur punë. Pa punën e madhe vullnetare të mijëra qytetarëve shumë gjëra nuk do të ishin organizuar dot kaq mirë. Në Gjermani refugjatëve nuk u duhej të flinin në rrugë.Pjesa më e madhe e refugjatëve që kanë ardhur në Gjermani janë në gjendje më të mirë se më parë. Ky gjest bujar i strehimit të njerëzve në nevojë mund të konsiderohet prej Gjermanisë me të drejtë si histori suksesi.
Detyra të mëdha përpara
Por sfidat e vërteta janë ende përpara. Shoqëria që pranon refugjatë duhet të ndërmarrë shumë masa integruese që fëmijët të shkojnë në shkolla dhe të rriturit të gjejnë në punë. E gjithë kjo kushton para dhe shkakton debate nga zilia që mund të prishin paqen sociale.
Në të njëjtën kohë, kriza e refugjatëve është edhe një mundësi për ta nxjerrë në pah bashkësinë individuale të vlerave me më tepër vetëbesim nga në të kaluarën. Duhet të jetë e vetkuptueshme që të gjithë refugjatët që mund të qëndrojnë në Gjermani duhet të mësojnë gjermanisht, të respektojnë vlerat e shoqërisë së lirë dhe demokratike, të venë Kushtetutën mbi Biblën, Kuranin apo shkrime të tjera të shenjta dhe të pranojnë barazinë e burrit dhe të gruas. Shkeljet e ligjit duhet të dënohen menjëherë dhe dëbimi i të huajve që kryejnë vepra penale duhet të bëhet shumë më shpejt se deri tani.
Nevojitet solidaritet
Po, kriza e refugjatëve i ka nxjerrë gjermanët nga zona e tyre e rehati dhe kërkon shumë prej tyre. Ajo ofron sfida të reja duke krijuar njëkohësisht edhe mundësi. Sepse një lajm i mirë është që diversiteti i kulturave përmban gjithashtu një potencial të madh, në qoftë arrihet që refugjatëve t'u përcillet ndjenja se ata i përkasin këtij vendi. Atëherë ata do të kontribuojë pozitivisht në shoqëri. Paratë që refugjatët dërgojnë në shtëpitë e tyre, janë më shumë se paratë që paguan Gjermania për ndihmën për zhvillim.
Nëse gjermanët nuk i shohin refugjatët si problem, por i shohin gjërat realisht, në qoftë se ata konstatojnë se solidariteti me njerëzit në nevojë mund ta forcojë një komunitet, atëherë në retrospektivë mund të themi: mirë që Gjermania ka ndryshuar!