Gjermania ka stërvitur policë bjellorusë
28 Gusht 2012Nuk është e fshehtë se forcat bjelloruse të sigurisë nën presidentin autokrat Aleksandër Lukashenko, veprojnë me brutalitet kundër opozitarëve. Më pak e njohur ishte se Zyra gjermane e Kriminalistikës (BKA) për vite më radhë kishte stërvitur forcat bjelloruse të sigurisë. Nuk është hera e parë që trainimi i personelit të sigurisë jashtë vendit nga policë gjermanë, shkakton irritime. Politikanë të partisë "E Majta" patë ngritur pyetje kritike ndaj misionit të policisë gjermane në Arabinë Saudite, pasi në atë lloj bashkëpunimi me sa duket kishin luajtur rol edhe interesat ekonomike private. Ndër të tjera policia gjermane stërvit forcat saudite të mbrojtjes së kufirit për përdorimin e aparaturave teknike për sigurimin e kufirit, të cilat livrohen nga firma Cassidian, kompani bijë e koncernit EADS.
Bashkëpunimin tashmë të përfunduar me Bjellorusinë, për trainimin e policëve qeveria gjermane nuk e vlerëson të gabuar. Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme deklaruan se bashkëpunimi pati filluar asokohe me dëshirën e Minskut dhe ishte një nga projektet e shumta dypalëshe, pasi në 2008 kishte shpresa për një hapje të Bjellorusisë ndaj Perëndimit dhe BE-së. Pas zgjedhjeve presidenciale të manipuluara nga presidenti Aleksandër Lukashenko në dhjetor 2010 dhe represioneve të lidhura me to, bashkëpunimi u reduktua dhe më vonë u ndërpre plotësisht.
Ndihmë në ndërtimin e shtetit ligjor
Bashkëpunimi mes autoriteteve gjermane dhe të huaja të sigurisë zhvillohet në plane të ndryshme, shpjegon në bisedë me DW Jörg Radek, zv/kryetar i Sindikatës së Policisë (GdP). "Këtë e bëjmë në pjesën më të madhe të rasteve në kuadër të misioneve nddërkombëtare, të cilat kanë legjimimin e BE-së apo OKB-së. Veç kësaj kemi edhe projekte dypalëshe kualifikimi." Ndër projektet bilaterale, për të cilat bien në ujdi Gjermania dhe vendi përkatës, bëjnë pjesë edhe trainimet e forcave bjelloruse të sigurisë.
Shpesh stërvitja bëhet në kuadër të rindërtimit pas konflikteve të armatosura si në Afganistan apo në Kosovë. "Në këto raste në dërgojmë në këto vende kuadro të zgjedhur nga policia e federatës apo landeve dhe përpiqemi të stërvisim policinë vendore sipas parimeve tona dhe në përputhje me sjelljen policore në një shtet ligjor", thotë Radek.
Kualifikimi prek të gjithë gamën e detyrave policore, nga rregullat e qarkullimit, deri tek sigurimi i gjurmëve dhe kontrolli i personave apo misionet gjatë demonstrimeve. Radek thekson se në kultura të ndryshme ka edhe një perceptim të ndryshëm lidhur me punën e policisë, edhe imazhi i policëve është i ndryshëm: "Është shumë e rëndësishme t'u përcillet nxënësve policë në vendet përkatëse se si duhet të veprojnë, për shembull përdorimi i një gjuhe korrekte apo që dikush në rrugë nuk ndalohet menjëherë me shkopin e gomës", shpjegon polici gjerman.
Në përgjithësi synimi i policëve gjermanë është të përcjellin se si funksionion puna policore në shtetin ligjor gjerman dhe si kontrollohet ajo përmes ndarjes së pushteteve.
Misione në të gjithë botën
Çdo vit 300 deri 400 policë gjermanë ndodhen në misione jashtë vendit, për shembull në Bosnje-Hercegovinë, në Ukrainë, në Moldavi apo Gjerorgji, në krahinat palestineze, Liberi apo Sudanin e Jugut. Thuajse gjithnjë misionet kryhen bashkë me njësi ndërkombëtare policore.
Në parim Jörg Radek e vlerëson pozitiv tranimin e forcave të huaja të sigurisë nga policë gjermanë. Së bashku me partnerë ndërkombëtarë mund të ndihmohen vende të tjera për vënien në jetë të ideve si ndarja e pushteteve apo afërsia me qytetarin. Dhe në disa raste Gjermania ka një interes të drejtpërdrejtë: "Për shembull në Ballkan. Misionet e BE-së në Kosovë apo Bosnje-Hercegovinë kanë pasur si rezultat stabilizimin e këtyre vendeve", mendon Radek.