Gjermania kampion bote në eksport
14 Shkurt 2006
Në vitin kur në Gjermani do të zhvillohet kampionati botëror i futbollit ekonomia gjermane sipas të gjitha gjasave pritet të kurorëzoj të paktën titullin "kampion i botës në eksport". Drejtori i Agjensionit federal për ekonominë e jashtme gjermane Gerd Herks pret që sivjet të arrihen sërish shifra rekorde në eksportin e mallërave gjermane.
"Besojmë që ne në këtë vit do të arrijmë sërish një rekord të ri me një rritje reale prej 6,5 përqind. Po të kthehen në Euro bëhet fjalë për 850 miliardë ndërkaq në dollarë amerikan: 1 bilionë", sqaroi Herks.
Me këtë Gjermania për herë të tretë me radhë do të jetë në krye të listës së kombeve më të mëdha eksportuese. Megjithatë Agjensioni federal për ekonominë e jashtme gjermane është skeptik sa i përket zhvillimeve të mëtutjeshme. Kina ndërkohë është rradhitur ndër eksportuesit më të rëndësishëm në botë të prodhimeve elektroteknike. Ajo përveç kësaj ka filluar që tani të kaloj Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në disa fusha të tjera. Agjensioni federal për ekonominë e jashtme gjermane llogarit me atë që Kina në vitin 2008 të jetë prijëse me eksport në botë.
Megjithatë shpresëdhënëse për Gjermaninë mbeten zhvillimet në krahasim me vendet tjera evropiane. Herks:
"Gjermania në vitin e kaluar ka patur një ngritje prej 7,5 përqind në eksport. Kjo ngritje është dukshëm më e lartë se në vendet tjera konkurruese të Bashkimit Evropian. Përshembull Franca, Britania e Madhe apo Italia. Kjo nuk bën të mos mirret parasysh nëse këtu rregullisht diskutohet mbi gjendjen konkurruese të Gjermanisë", tha Herks.
Kina si një prej tregjeve në rritje e sipër të botës bën pjesë tek importuesit më të mëdhenj nga Gjermania. Nga ana tjetër në këtë vit sytë e ndërrmarrjeve gjermane janë kthyer nga India. India ashtu si Kina për modernizimin e saj ka nevojë për makinat dhe pajisjet të cilat i posedon Gjermania. Në këtë mënyrë vitin e kaluar është shënuar një rritje prej 30 përqind e eksportit në Indi dhe pritet që me këtë trend të vazhdohet edhe këtë vit.
Për dallim nga Kina India është ende larg ngjitjes në krye të listës së eksportuesëve më të mëdhenj në botë. Eksperti i Agjensionit Federal për ekonominë e jashtme gjermane, Bernd Shaaf:
"Në të vërtetë India nuk mund të shihet ende si një gjigant. Po të vërejmë shkurt shifrat për të krahasuar Kinën me Indinë atëherë kuptojmë se Kina bart 6,5 përqind të eksportit botëror ndërkohë që India vetëm 0,8 përqind, çka bënë që ato të jenë dy botëra të ndryshme. Dhe ky nuk është një hap i bër nga një vit në tjetrin, Indisë i janë dashur 20 vjet përpjekje për të arritur këtë përqindje në tregun botëror", sqaron Shaaf.
Një treg tjetër me rëndësi për gjermanët mbetet padyshim Rusia. Sipas vlerësimeve të Agjensionit Federal për ekonominë e jashtme gjermane mallërat e eksportit gjerman në Rusi këtë vit do të arrijnë shumën e 25 milardë dollarëve amerikan. Vëzhguesit e tregut ndërkombëtar llogarisin në të ardhmen një ngritje prej 10 përqind.
Në mesin e tregjeve të suksesshme bën pjesë edhe Lindja e Mesme me kombet e saj eksportuese të derivateve të naftës të cilat në vitin 2005 kanë furnizuar Gjermaninë me mallëra në vlerë prej 46 miliardë euro. Drejtori i Agjensionit federal për ekonominë e jashtme gjermane Gerd Herks theksoi lidhur me këtë se nuk mund të jap të dhëna konkrete për pasojat e mundshme të konflikteve politike.