Gjermania kampione e botës në hendboll
5 Shkurt 2007
Ëndrra dimërore ishte më e suksesshme se ajo verore. Në ndryshim nga futbollistët, të cilët në verën e kaluar dolën të tretët në botë, hendbollistët gjermanë fituan mbrëmë medaljen e artë. Titulli i kampionit botëror ishte më se i merituar. Në çerekfinale Gjermania mundi kampionin e deritanishëm botëror, Spanjën. Në gjysmëfinale pas një loje sensacionale dhe dy vazhdimeve, mundi kampionin evropian, Francën.
Ndërsa në finale iu hakmorr Polonisë, për humbjen gjatë kualifikimeve në grupe. Në këtë ndeshje, Gjermania ishte dominuese tërë kohën. Në fillim të pjesës së dytë kishte epërsi prej shtatë golash, por lëndimi dhe dalja nga loja e portierit Hening Fric, sikur i preu duart lojtarëve gjermanë. Polonia arriti deri tek një gol diferencë.
"E kam ditur që në bankën e rezervistëve nuk është mirë, por 20 minutat e fundit m'u dukën si një vit i tërë. Lëndimi erdhi pikërisht në fazën kur Polonia luante më mirë. Ishte ky një horror i vërtetë. Prandaj, kurrë me dëshirë nuk do të pranoja të jem në pozicionin e trajnerit, i cili tërë kohën duhet të rri jashtë lojës", thotë Fric.
Trajneri Hainer Brand dhe brohoritjet frenetike të më shumë se 19.000 shikuesve në palestrën e Këlnit, megjithatë i dhanë zemër lojtarëve te kombëtares gjermane. Me disa gjuajte shumë të mira në lojtarit Hens, Gjermania sërish ngriti epërsinë dhe në fund me meritë fitoi titullin e kampionit botëror. Në shenjë respekti ndaj trajnerit të tyre, Hainer Brand, në ceremoninë e ndarjes së medaljeve, lojtarët u paraqitën me mustaqe të gjata.
"Ende nuk kam mundur të kuptojë rëndësinë e kësaj fitore. Në qoftë se doni të jem i sinqertë, para tre javësh as vetë nuk e kam besuar se mund të fitojmë titullin e kampionit, për shkak të problemeve të shumta me lëndime. Në momentet vendimtare kemi pasur edhe pak fat, por unë jam shumë i lumtur", thotë trajneri Brand, i cili titullin e kampionit botëror e ka fituar edhe si lojtar në vitin 1978.
Për shkak të lëndimeve të shumta të lojtarëve, trajneri u detyrua që në ekip të thërrasë edhe disa lojtarë që nuk ishin në plan të parë. Ndër ta ishte edhe Kristian Shvarcer, lojtari më me eksperincë. "Nuk e di çfarë të them. Para dy javësh ende kam qenë në pushim. Falënderoj shumë trajnerin i cili më ka ftuar në ekip", thotë Shvarcer, i cili nuk ka mundur të paramendojë një ndarje më të mirë prej fanellës me stemën kombëtare. Mirëpo edhe Polonia mund të jetë shumë e knaqur, sepse ka shënuar suksesin më të mirë në historinë e hendbollit. Më parë ka shënuar dy vende të treta, një herë në lojërat olimpike dhe në një kampion bote. Tani zurin vendin e dytë.
"Mendoj se gjermanët sot ishin një kundërshtar më i mirë. Ata pas vetes kishin 19.000 shikues. Në mbrojtje kanë luajtur shumë mirë, ndërsa ne më dobtë. Kemi bërë dhjetë lojëra në këtë kampionat dhe me të vërtetë jemi të lodhur. Për fat të keq sot nuk patën freskinë e duhur të luajmë si në ndeshjen e parë kur mundëm Gjermaninë", thotë një prej lojtarëve më të mirë polak, Karol Bilecki. Lojtari më i mirë i finales ishte Torsten Jensen me tetë gola. Shumë të kënaqur me fitoren u shprehën edhe presidenti Horst Köhler dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.
"Fillimisht dua të uroj kombëtaren gjermane. Mund të them se ajo i ka tejkaluar edhe shpresat e vetë skuadrës dhe i ka sjellë tifozëve një kënaqësi të madhe", deklaroi Merkel, e cila gjendet për vizitë në Gjirin Persik. Ndërsa në Këln dhe shumë qytete të tjera, dhjetëra mijëra tifozë festuan titullin e tretë të kampionit botëror në hendboll. Për herë të parë Gjermania ishte kampione në vitin 1938, të dytën në vitin 1978 dhe të treten në vitin 2007.