1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

1953 - Kryengritja në ish-RDGJ

Sabine Kinkartz / Amarildo Topi17 Qershor 2013

Me një ceremoni të veçantë Bundestagu gjerman kujtoi kryengritjen popullore të 17 Qershorit 1953 në ish-RDGJ dhe viktimat e saj.

Fotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Të hënën (17.06.) përkujtohet 60 vjetori i shtypjes së përgjakshme të kryengritjes në ish-RDGJ. Në mëngjesin e 17 qershorit 1953 qindra mijra vetë në të gjithë vendin, e jo vetëm në qytetet e mëdha, lanë punën dhe nisën një demonstratë. Në më shumë se 700 vende të ndryshme kishte grumbullime njerëzish e në disa raste u sulmuan edhe stacionet e policisë.

Qindra-mijëra vetë u bashkuan në protesta dhe kërkonin liri e demokraci. Brenda pak orësh protesta u kthye në një revoltë kundër lidershipit politik. Tanket e regjimit të ish-RDGJ shtypën brutalisht kryengritjen edhe me ndihmën e forcave sovjetike. Shumë protestues u vranë.

Nga 1953 deri tek revolucioni i vitit 1989

Bundestagu gjerman nisi aktivitetet për kujtimin e kësaj dite që nga e premtja. Me prezencën e Kancelares gjermane Angela Merkel, Zëvëndës Presidentit të Këshillit Federal dhe Presidentit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Bundestagut Norbert Lammert nderoi në një senacë të veçantë "gratë dhe burrat guximtarë që u bënë viktima të forcës së shtetit të atëhershëm".

17 Qershori i vitit 1953 ishte një datë "kyç për historinë e Europës". Ishte një ditë që nuk shkoi si duhet, “por që i dha më vonë efektet e saj". Ishte fillimi i shumë kryengritjeve dhe lëvizjeve për liri: në Hungari, Çekosllovaki, Poloni dhe së fundmi po në RDGJ me shembjen e Murit të Berlinit në vitin 1989.

Ceremonia e varrimit të viktimave të kryengritjesFotografi: picture-alliance/dpa

Ditë e shënuar për të gjithë gjermanët

Presidenti gjerman Joachim Gauck, i cili gjatë kohës së kryengritjes ishte një fëmijë 13 vjeçar në qytetin e Rostokut në ish-RDGJ, tha në fjalimin e tij se 17 Qershori ishte më shumë se një protestë e punëtorëve. "Rebelimit, që nisi nga mllefi i miliona punëtorëve, të cilët punonin në kushte të këqija dhe trajtoheshin me padrejtësi, iu bashkuan studentët, fermerët dhe gratë amvise." Ishte një luftë për demokraci dhe drejtësi.

Gauck sugjeron që 17 Qershori të jetë një simbol i lirisë për "kujtesën e përbashkët". Ai shprehu dëshirën që "17 Qershori të njihet nga të gjithë gjermanët dhe kësaj dite t'i njihen meritat si një kryengritje popullore". Para rënies së Murit kjo ditë ishte një feste në Gjermaninë Perëndimore dhe në të ardhmen duhet të flitet më shumë për të në shkolla dhe institute arsimore. Një gjë të tillë e kanë sugjeruar edhe disa grupe qytetarësh.

Presidenti gjerman Joachim Gauck, gjatë fjalimit në Bundestag.Fotografi: picture-alliance/dpa

Të hënën do të zhvillohen evente të tjera

Tradita e nderimit të 17 Qershorit duhet të zgjerohet akoma më shumë. "Edhe sot pothuajse në të gjithë Botën ka njerëz të tillë dhe ne duhet të mbështesim ata që edhe pse diskriminohen e përjashtohen, luftojnë për liri, demokraci dhe drejtësi", theksoi Gauck. Gjermanët duhet tu japin atyre "zë kur u ndalohet të flasin dhe t'i bëjnë ata të dëgjohen ", kur duan t'i drejtohen një publiku.

Të hënën, qeveria federale do të organizojë një ceremoni zyrtare në rrugën Friedhof Seestraße në Berlin, ku janë edhe e varrezat e viktimave të kryengritjes. Pas ceremonisë së vënies së luleve në varreza dhe fjalimeve të Kancelares, Presidentit Joachim Gauck dhe dëshmitarëve të kryengritjes, aktivitetet do të mbyllen me një darkë në kështjellën Bellevue.