Gjermania mbështet turizmin shqiptar
25 Prill 2012Fillimi i bashkëpunimit mes Shoqatës Shqiptare të Turizmit, ATA dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ (ish GTZ) ka nisur në vitin 2008. Ekspertët gjermanë kishin pasur më herët një model që ju kishte rezultuar i suksesshëm po në rajon. Ata kishin mbështetur riorganizimin dhe fuqizimin e e rrjetit të operatorëve dhe subjekteve të industrisë turistike në Malin e Zi. Këtë përvojë planifikuan ta sendërtonin dhe në Shqipëri.
Enver Mehmeti, president i ATA-s, e kujton shumë mirë situatën e katër viteve më parë, kur sipas tij, së bashku me gjermanët u tentua të bëhej një kapërcim reformues i shoqatës.
Hapat e parë
“Nuk ishte ky thjesht një kopjim, por një përshtatje në treg, nëpërmjet një organizimi të një shoqate turistike", pohon ai. Nga diskutimet dhe konsulencat që u bënë, duke marrë dhe përvojën gjermane të cilën atëherë e përfaqësonte Gerd Hesselemann, duke parë dhe që tregu ishte i vogël, u kalua në konceptin e një shoqate ‘ombrellë turistike'. Ajo në mënyrë modeste nisi të afrojë të gjitha shoqatat e interesuara në treg, atë të agjencive të udhëtimit, të hotelerisë, të restoranteve... Ndërkohë që sot po tenton të përfshijë dhe aktorë të ndryshëm të industrisë turistike, si aeroportin, agjencitë e udhëtimit, apo guidave që po krijohet, për të formuar një ombrellë.
Kjo ishte pikënisja e ATA-s. Në katër vite veprimtarie GIZ përshkruhet nga ekspertët shqiptarë të turizmit si një aktor aktiv që nëpërmjet projekteve të ndryshme, ka rolin e konsulentit efektiv për të përmbushur objektivat strategjike e logjistike. Një nga synimet prioritare është shndërrimi i kësaj organizate në një subjekt institucional që jeton fondet që thith nga vetë burimet e brendshme të rrjetit të shoqatave që e përbëjnë.
Format e ndihmës
Veprimtaria e ATA-s përfaqëson aktualisht një zë më të fortë në ngritjen e problemeve për autoritetet, për të lobuar me aktorë të ndryshëm të interesit nga sektori privat, publik a shoqëria civile, në aspekte që lidhen me kuadrin legjislativ, me marrëdhëniet me pushtetin vendor etj. Duke pasur në konsideratë dhe orientimin në partneritetin me subjektet homologe në rajon, duke zhvilluar veprimtari të përbashkëta si panaire, forume, shkëmbime të eksperiencave etj.
“Koncepti aktual i suportit të GIZ nuk është më si mbështetës financiar, por si mbështetës logjistik i projekteve të ATA-s. Do të thotë që është bërë një plan bashkëpunues, janë bërë takime intensive, duke parë statusin se ku aktulisht shoqata është dhe se ku GIZ-i shikon interesa të përbashkëta të kooperimit me ne. Aktualisht jemi në tratativa të një plani 3-vjecar që ne kemi për të orientuar projektet zhvilluese më shumë nëpër rajone të ndryshme të Shqipërisë, për forcimin, trajnimin, edukimin e stafeve.”- thotë Enver Mehmeti për DW-në.
GIZ ka mbështetur në dy vitet e fundit dhe prezantimin nga ATA të Indeksit të Klimës së Turizmit Shqiptar. Të dhënat e Indeksit bazohen në anketa të ndryshme që realizohen në destinacionet kryesore të vendit si në Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korcë, Durrës dhe Tiranë. Për vitin e kaluar Indeksi evidentoi një sërë aspektesh që kanë të bëjnë me zhvillimin e industrisë turistike në Shqipëri si, infrastruktura, mjedisi, taksat e larta, rregullimi i tregut mbeten probleme të mprehta në këtë fushë. Ndërkohë që zonat bregdetare kanë nevoja me urgjente për infrastrukturë dhe se në tërësi turizmi ka nevojë për politika specifike dhe prioritare.
Turizmi vlerësohet një ndër sektorët kryesore të ekonomisë shqiptare duke kontribuar me afër 1.2 miliard Euro në ekonomi, 43% të eksporteve dhe 14.7 të prodhimit të brendshëm bruto.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Bahri Cani