1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miratohet plani i veprimit kundër antisemitizmit

2 Dhjetor 2022

Qeveria federale miraton një plan veprimi kundër antisemitizmit. “Një moment historik”, thonë pjesëmarrësit. Por shumë gjëra varen nga zbatimi.

Deutschland Essen | Einschusslöcher bei der Alten Synagoge entdeckt
Fotografi: Markus Gayk/dpa/picture alliance

Është një mëngjes i vrenjtur nëntori në Berlin. Në mëngjes lajmet lokale në radio flasin për një kontrolli policor në pjesë të ndryshme të qytetit. Tre ose katër orë më vonë bëhet  më e qartë: në 14 shtete federale, hetuesit gjurmuan të ashtuquajturat "komente urrejtjeje” në internet dhe shkuan për kontroll në banesat e autoreve dhe autorëve të tyre.

Një 59-vjeçar nga Berlini dyshohet se është autori i një teksti në median sociale "VK", e cila konsiderohet si kopje ruse e Facebook-ut. VK është e mbushur me deklarata antisemite dhe "i cilëson hebrenjtë si satanistë". Të dyshuarit iu konfiskua laptopi, bëri të ditur  policia në Berlin. Dhe shprehimisht shton se 59-vjeçari ka edhe një armë me leje. Kontroll rutinë.

Një nga 91 aksionet e policisë atë ditë në Gjermani, por nuk është i vetmi që përfshin urrejtje ndaj hebrenjve. Gjermania në nëntor.

Moment historik në kabinet

Në të njëjtën ditë, kabineti federal miratoi një "Strategji kombëtare kundër antisemitizmit dhe për jetën hebreje". Strategjia synon të veprohet më me vendosmëri kundër urrejtjes ndaj hebrenjve. "Sot po arrijmë një moment historik," tha më pas i ngarkuari i qeverisë për luftën kundër antisemitizmit, Felix Klein.

Prej shumë vitesh, statistikat e policisë kanë regjistruar një numër në rritje të krimeve antisemite dhe gjyqeve përkatëse. Numri i postimeve të urrejtjes në internet është rritur tej mase. Në vitin 2021, policia regjistroi 3.027 krime antisemite në mbarë vendin, pothuajse 700 më shumë se një vit më parë. Dhe në këto javë vjeshte, u regjistruan disa sulme ndaj institucioneve hebraike, për shembull, të shtënat në shtëpinë e rabinit, në sinagogën e vjetër në Essen.

Felix Klein, i ngarkuari i qeverisë gjermane me luftimin e antisemitizmitFotografi: Wolfgang Kumm/dpa/picture alliance

Klein, i cili prej vitit 2018 është i ngarkuari i Qeverisë Federale për Jetën Hebraike në Gjermani dhe për Luftën kundër Antisemitizmit, së bashku me stafin e tij ka punuar dy vjet për të përgatitur strategjinë. Formati i dokumentit, i thukët dhe kompakt, perspektivat për veprim për shoqërinë në tërësi dhe qasja për ta bërë të dukshme jetën hebraike në jetën e përditshme janë veçanërisht të rëndësishme për të. Klein shprehimisht i referohet antisemitizmit të shtuar të lidhur me Izraelin, i cili haset më shpesh në mjediset intelektuale dhe akademike.

"Edhe për ndërgjegjësimin e trajnerëve"

Raporti i referohet, për shembull, rëndësisë së edukimit për parandalimin e urrejtjes ndaj hebrenjve dhe rëndësisë së një kulture kujtimi dhe një sensi të fortë historie. Lufta kundër antisemitizmit është detyrë e shoqërisë në tërësi dhe jo vetëm e shtetit. Prandaj, strategjia u drejtohet edhe palëve të interesuara si klubet sportive, trajnerët e të cilëve duan të ndërgjegjësohen. Raporti prej 48 faqesh jo vetëm që kërkon angazhim të ri ose aktivitete të mëtejshme, por gjithashtu - në stilin e shembujve të praktikave më të mira - rendit idetë dhe masat që tashmë janë zbatuar.

Katharina von Schnurbein, Komisionerja e BE-së për antisemitizminFotografi: Wolfgang Kumm/dpa/picture alliance

Me planin e veprimit, qeveria federale po zbaton në kohë një kërkesë të Komisionit Evropian. Në bazë të saj, çdo shteti anëtar të BE-së i kërkohet të paraqesë strategjitë kombëtare deri në fund të vitit 2022. Katharina von Schnurbein, komisionierja e BE-së kundër antisemitizmit dhe për promovimin e jetës hebreje, tha gjatë prezantimit të planit të veprimit se Gjermania është tani vendi i shtatë i BE-së që paraqet një koncept të tillë. Dymbëdhjetë vende të tjera i kanë vënë synim vetes ta miratojnë deri në fund të vitit ose në gjysmën e parë të 2023.

Ashtu si Klein, edhe von Schnurbein thotë se ndoshta ky është "një moment historik për Republikën Federale të Gjermanisë". Nuk duhet të ketë asnjë strehë të sigurt për antisemitizmin, thotë ajo dhe shton se, duke pasur parasysh historinë e saj, Gjermania duhet të luajë një rol kyç në këtë çështje. Dokumenti strategjik ka potencial të ketë një ndikim të gjerë, "dhe ne kemi nevojë për këtë." Sepse zhvillimi i lirë i jetës hebreje është "kriteri matës i demokracisë".

"Më shumë informacion rreth jetës hebreje"

Von Schnurbein e quajti "ide të mirë” sugjerimin nga pala hebreje për të shpallur në nivel evropian një vit tematik për jetën hebraike, siç ishte në Gjermani deri në verën e vitit 2022. Dy javë më parë ajo bisedoi në Bruksel me 200 përfaqësues komunalë nga vende të ndryshme evropiane. Dhe ajo tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e punës në komuna, duke shpresuar  që idetë për forcimin e jetës heberaike të shkojnë përtej kufijve.

7 gjëra që duhet të dini për antisemitizmin

13:13

This browser does not support the video element.

Për Felix Klein, viti tematik bëri që  "njerëzit të jenë më të interesuar për jetën hebreje". Komunitetet hebraike ishin gjithashtu të gatshme të hapeshin dhe të jepnin përgjigje për pyetjet e të interesuarve. Ai thotë se nuk e di nëse kjo do të ishte e mundur në Gjermani 20 vjet më parë. Sa më e natyrshme të konsiderohet jeta hebreje, aq më pak ka rrezik për t'u sulmuar.

Rrezik në rrjet

Që të dy tërhoqën vëmendjen për rrezikun që vjen nga interneti. "Interneti është porta numër një për antisemitizmin”, thotë von Schnurbein. Klein gjithashtu ankohet se urrejtja dhe gjuha e urrejtjes po shtohen gjithnjë e më shumë në internet. Ai flet për "kohë sfiduese” për shkak të pandemisë korona.

Kjo sjell ndërmend veprimet e policisë këtë mëngjes nëntori në Berlin, që ishin drejtuar kundër autorëve të deklaratave anti-hebreje në rrjet. Por edhe një ankesë që kryetari i Këshillit Qendror të Hebrenjve, Josef Schuster, kishte ngritur një ditë më parë në një intervistë për "Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Në rastin e krimeve antisemite, vendimet gjyqësore "shumë shpesh zbuten duke iu referuar një fëmijërie të vështirë ose rrethanave të përgjithshme problematike të dënimit të tyre". Sipas tij, kjo i relativizon këto akte antisemitizmi.