1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania në kërkim të masave parandaluese kundër salafizmit

Mathias von Hein11 Dhjetor 2014

Në Gjermani po shtohet numri i personave të rrezikuar nga salafizmi dhe islamiz. Gjermania po kërkon rrugëdalje për zgjidhjen e këtij problemi. Por vështirësitë janë të mëdha.

Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Roessler

Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve gjermane, rreth 600 gjermanë të rinj gjenden në të ashtuquajturën luftë e shenjtë në Siri. Vlerësohet se rreth 60 prej tyre janë vrarë atje. Të tjerët vlerësojnë se numri i tyre është madje shumë më i lartë. Si për shembull, psikologu dhe eksperti i fesë islame, Ahmad Mansour, i cili flet për 1500 deri 2000 xhihadistë gjermanë që kanë shkuar në luftën civile atje. Psikologu e shpjegon këtë me përvojat e tij në zyrën për këshillimin e familjarëve të personave që kanë rënë pre e qarqeve radikale. Eksperti Peter Neumann tërheq vëmendjen për brutalitetin e të kthyerve nga lufta në Siri dhe kërkon një punë më të mirë parandaluese. Shkencëtari nga Kings College thotë se njerëzve nga Gjermania që shkojnë atje duhet bërë të qartë se cili është realiteti i "shtetit islamik" dhe se kjo s'ka të bëjë aspak me propagandën që shohim në internet. Neumann thotë në intervistë për DW se luftëtarët e IS më shumë luftojnë kundër bashkëbesimtarëve se sa kundër trupave të qeverisë irakiane. "Ndërkohë që shumë sirianë e refuzojnë pjesëmarrjen e të huajve atje", shton Neumann.

Peter NeumannFotografi: Peter Neumann

Parandalim me ata që heqin dorë nga islamizmi

Një qëndrim të ngjashëm ka dhe Susanne Schröter nga Qendra për Hulumtime " Islami Global" në Frankfurt. Mënyra më e mirë për luftimin e kësaj dukurie, sipas saj, është përdorimi i mesazheve me video nga personat që kanë vendosur të largohen nga këto njësi. "Burrat që thonë se atje nuk kanë gjetur atë që kanë pritur. Nuk kam shkuar atje për të vrarë myslimanë të tjerë. Apo dhe gratë e reja që thonë: mua më kanë martuar atje me një person krejt të panjohur. Dëshira e vetme ka qenë të largohem, por nuk kam ditur si", thotë Schröter për DW.

Masat parandaluese çështje e landeve


Në Gjermani ekzistojnë iniciativa të shumta për preventivë. Por ato dallojnë varësisht nga landi. 16 landet e Gjermanisë e kanë për detyrë të informojnë të rinjtë që të mos bien pre e ideve ekstremiste. Ndonjëherë landet financohen për këto aktivitete edhe nga qeveria federale. Por deri tani nuk ekziston ndonjë strategji preventive në nivel federal. Në fillim të dhjetorit ekologjistët paraqitën në Bundestag (parlamenti) një propozim për hartimin e strategjisë së përbashkët. Kjo kërkon edhe shumë kohë. Por vet fillimi paraqet një pikënisje të mirë për harmonizimin e politikës së përbashkët. Ministrat e landeve dhe ai federal do të shkëmbejnë në një takim në Këln përvojat e tyre në punën preventive. Në Hamburg, ku kanë jetuar dikur disa nga atentatorët e 11 shtatorit 2001, këtë verë u hartua një koncept i përbashkët me shoqatat e myslimanëve dhe alevitëve, për të evituar ekstremizmin fetar. 1,1 milionë euro do të kushtojë puna sqaruese. Në projekt janë përfshirë shkollat, kopshtet dhe puna me të rinjtë. Përgjegjësinë për këtë projekt e kanë autoritetet sociale në land.

Nga shitës picash në salafist: Philipp B.Fotografi: Youtube

Preventiva përmes Mbrojtjes Kushtetuese

Landi me numrin më të madh të banorëve, Reania Veriore - Vestfali, ka zgjedhur një rrugë tjetër. Përgjegjësinë për preventivë e kanë atje autoritetet për Mbrojtjen Kushtetuese - shërbimi i brendshëm informativ në land. Për punën preventive në këtë land janë vënë në dispozicion për vitin e ardhshëm 600.000 euro. Në gjashtë vende do të ketë edhe zyra për këshillime dhe një hotline në mbarë vendin. Prindërit e shqetësuar, mësuesit apo nxënësit mund të thërrasin atje, nëse mendojnë se dikush nga rrethi i tyre ka devijuar në rrjetet islamike apo salafiste. Deri tani në këtë linjë telefonike paraqiten rreth 50 persona në javë. Mbrotja Kushtetuese pohon se nëpunësit e këtij shërbimi nuk mund të kenë qasje tek këto infromacione, me të cilat merren vetëm punonjësit socialë. Autoritet janë duke bashkëpunuar edhe me shkolla dhe institucionet përkatëse për të ndihmuar personat e cënuar nga radikalizimi.

Preventiva në mesin e myslimanëve


Një masë preventive është edhe në duart e mësuesve të fesë islame. Bernd Ridwan Bauknecht u jep mësim në Bon rreth 300 nxënësve në javë. Numri i personave që janë të rrezikuar nga radikalizimi nuk është shumë i lartë, thotë Bauknecht. Ata nuk janë radikalizuar vetëm përmes internetit, por edhe nga qarqet shoqërore dhe familjare. Bauknecht përpiqet ta shpjegojë propagandën islamike, përmes sqarimit të nocioneve si xhihadi, shahria si dhe synon të hapë perspektiva të tjera për të rinjtë e fesë islame. Por tek personat e radikalizuar kjo nuk ndihmon. Ndaj Bauknecht përqendrohet tek nxënësit, që kanë vetëm simpati për format radikale të fesë islame, për t'i shpjeguar sa më mirë këto dukuri.