1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania ndërpret përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën

7 Korrik 2023

Gjermania ndërpreu përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Gjermania ndërpret përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën
Gjermania ndërpret përkohësisht bashkëpunimin me KosovënFotografi: Nenad Kreizer/DW

Mospajtimet e kryeministrit Albin Kurti me bashkësinë ndërkombëtare rreth situatës në veri të Kosovës, të cilat rezultuan me masa ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, tashmë po fillojnë të kalojnë edhe në nivel bilateral.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë i konfirmoi Deutsche Welles, se Gjermania ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Projektet me shoqërinë civile nuk preken

Ambasada gjermane i tha DW-së, se këtë masë Gjermania e mori në përputhje me veprimet e Brukselit, por nga kjo "nuk preken projektet me sektorin e shoqërisë civile, si dhe projektet që kemi filluar t'i zbatojmë”.

Masat merren për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të KosovësFotografi: Bojan Slavkovic/AP/picture alliance

"Masat përfshijnë shtyrjen e konsultimeve qeveritare për bashkëpunimin për zhvillim, pezullimin e një partneriteti të parashikuar dypalësh rreth klimës dhe dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë”, i tha ambasada gjermane DW-së.

Më tej nënvizohet se "të gjitha projektet që preken nga masat gjermane  mund të rifillojnë në çdo kohë dhe kjo kërkon zbatimin urgjent të masave të nevojshme për të shpërpërshkallëzuar situatën në komunat veriore. Gjermania mbështet shprehimisht përpjekjet e BE-së, punën e Përfaqësuesit Special të BE-së në dialog Lajçak si dhe Dialogun me ndihmën e BE-së”.