Gjermania ndihmon Kosovën
5 Korrik 2013
Ejup Rashica, kryetar i shoqatës së të verbërve në Prishtinë, sapo ka aplikuar te Ambasada Gjermane në Prishtinë me tri projekte të vogla: Projekti i parë është "Dita e Punësimit për Persona me Aftësi të Kufizuara. Fjala është për persona që kanë shikim të dobët. Projekti i dytë është "Identifikimi i Personave të Verbër" dhe i treti, "Niveli I dhe II i Gjuhës Angleze". "Meqenëse projektet kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve për persona të verbër dhe kostoja është e arritshme, shpresojmë shumë se do të fitojmë në një prej projekteve“, thotë z.Rashica.
Përkrahje mbi 30 projekteve të vogla zhvillimore
Ambasada gjermane në Prishtinë prej disa vitesh mbështet projekte të vogla të politikës zhvillimore me anë të të cilave realizohen në mënyrë prioritare nevojat themelore të shtresave të varfëra dhe të atyre në varfëri të skajshme, me qëllim që të ketë një përmirësim afatgjatë të jetës në Republikën e Kosovës. Ndërsa: "Synimi i projekteve të vogla të Ambasadës Gjermane është që të përkrahen iniciativat vendore në mënyrë të shpejtë dhe fleksibël, me anë të të cilave realizohen në mënyrë prioritare nevojat themelore të shtresave të varfëra të popullatës", shton per DW-në, Milena Tutsch, zëdhënëse e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, sipas së cilës: "Ambasada gjermane gjatë viteve të kaluara ka përkrahur mbi 30 iniciativa në kuadër të projekteve të vogla, ndër të tjera: xhirimin e një filmi dokumentar për sipërmarrje të suksesshme, largimin e mbeturinave, projekte të mediave për minoritetet apo projekte për përkrahjen e të moshuarve."
“Ndihmë për ta ndihmuar vetveten”
Meqenëse iniciativat lokale i njohin më së miri nevojat e popullsisë vendore, me këtë rast ambasada gjermane iu bën thirje organizatave joqeveritare, institucioneve lokale, e bartësve të tjerë të projekteve që t'i dorëzojnë projektpropozimet në mënyrë që t'u ndihmohet njerëzve që ata ta ndihmojnë vetveten. Ambasada gjermane tashmë ka pranuar disa projektpropozime interesante, shton zonjaTutsch sipas se cilës: "Ambasada dëshiron që ta bëjë të njohur instrumentin e projekteve të vogla, me qëllim që sa më shumë iniciativa të kenë njohuri lidhur me këtë mundësi dhe të dorëzojnë projektet e tyre, aq më tepër do të realizoheshin nevojat e shtresave të varfëra të popullatës."
Interesim i madh per projekte te vogla
Ndër këto shtresa padyshim janë edhe personat që kanë shikim të dobët, thotë z. Rashica sipas te cilit, „Miratimi i këtyre projekteve nga ambasada gjermane do të ishte ndihmë e madhe për shoqatën, sepse ky komunitet në Kosovë jeton në kushte tejet të vështira. Megjithëse ligji është miratuar vitin e kaluar, ai nuk po zbatohet. Edhe pse ne jemi shfrytëzues të barabartë të buxhetit të Kosovës, edhe më tej jemi të varur nga donacionet e huaja, sidomos prej ambasadave dhe popullit të shtetit gjerman dhe atij zviceran”.
Ndaj, mesazhi i zëdhënëses Tutsch për të gjithë bartësit e projekteve është: "Nëse keni dëshirë që të ndërmerrni masa të politikave zhvillimore, që i plotësojnë në veçanti nevojat themelore të personave të varfër, atëherë dorëzoni projektet tuaja tek ne!“Republika Federale e Gjermanisë është kontribuesja më e madhe pas SHBA-ve në zhvillimin e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore në Republikën e Kosovës.