1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nevojë urgjente për emigrantë!

Klaus Ulrich / Angelina Verbica8 Janar 2014

Për emigrantët nga shtetet më të varfëra anëtare të BE, Bullgaria dhe Rumania, po diskutohet shumë në Gjermani. A janë ata kryesisht emigrantë të varfërisë, apo sjellin gjallërim të tregut të punës?

Fotografi: picture-alliance/dpa

Viti 2013 u mbyll me rezultate të favorshme për tregun e punës. Numri i të papunëve u rrit më pak se zakonisht në këtë kohë të vitit, me rreth 67.000 duke arritur shifrën e përgjithshme 2.873.000. Kështu shkalla e papunësisë në mbarë vendin u rrit me 0.2 pikë në 6.7 për qind.

Situata relativisht e mirë në tregun e punës reflekton aftësinë e lartë inovative të ekonomisë gjermane, deklaroi eksperti i tregut të punës Gerhard Bosch nga universiteti Duisburg-Essen në një intervistë me DW. Përveç eksporteve në Gjermani është rritur edhe tendenca për konsum për shkak të shtimit të pagave. "Problemi është megjithatë, se në vitin 2013 nuk është investuar shumë, për shkak se kompanitë ishin të shqetësuara, nëse do të kishte perspektiva afatgjata", thotë Bosch. Megjithatë me vendimet e qeverisë së re duket se do të ketë përmirësime, sepse do të shpenzohen më shumë para në infrastrukturë dhe arsim. Edhe konsumi do të forcohet nga rritja e pensioneve dhe e pagave minimale.

Profesor Gerhard BoschFotografi: G.Bosch

Do të vazhdojë të ulet numri i të papunëve?


Për vitin 2014 ekspertët e Agjencisë Federale të Punës në Nyremberg presin sërish një rënie të lehtë të numrit të të papunëve. Më skeptikë janë zërat nga Instituti i Ekonomisë gjermane, i afërt me punëdhënësit. Në fakt sondazhi aktual i shoqatave të mëdha ekonomike në fund të vitit konstaton se ekziston një frymë përgjithësisht mjaft e mirë, thotë drejtori i institutit Michael Hüther. Megjithatë, sipas tij, nuk krijohen vende të reja pune. "Nuk ka shtim. Ne kemi një punësim të historikisht të lartë me 42 milionë të punësuar. Por vrulli po shteron."

Debati për migracionin

Agjencia Federale e Punësimit ndjek me qetësi debatin për mundësinë e shtimit të emigracionit në kërkim të punës nga të dy shtetet më të varfëra anëtare të BE, Bullgarisë dhe Rumanisë. Edhe në vitet e mëparshme njerëz nga këto vende kanë ardhur në tregun gjerman të punës: si punëtorë sezonalë në bujqësi, apo në fushat, ku ka nevojë shumë të madhe për personel, në kujdesin shëndetësor, infermieri dhe hotelieri.

"Shumica e bullgarëve dhe rumunëve, që jetojnë këtu në Gjermani, janë emigrantë të punës dhe jo emigrantë të varfërisë", thotë Herbert Brücker nga Instituti i Studimeve të Tregut të Punës për DW. Martin Wansleben, shefi ekzekutiv i Dhomave Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), paralajmëron nga rreziku i dëmtimit të ekonomisë prej debatit aktual mbi imigracionin. Në një intervistë ai tha, “nga debati i nxehtë politik nuk duhet hedhur një dritë negative mbi emigracionin në përgjithësi." Për shkak të zhvillimit të saj demografik Gjermanisë i nevojiten në vitet e ardhshme deri në 1.5 milion punëtorë të kualifikuar nga jashtë vendi. Kjo do të ndihmonte "për të siguruar zhvillimin dhe për të stabilizuar sistemin social", thotë Wansleben. Megjithatë diskutimi aktual tregon se ka nevojë për të punuar në shoqërinë gjermane: "Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për një kulturë, që mirëpret emigrantët. Kjo është një detyrë e të gjithë shoqërisë, e politikës, e kishës, sindikatave, e biznesit, të gjithë duhet të japin kontributin e vet..."

Martin Wansleben, shefi ekzekutiv i Dhomave Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK),Fotografi: picture-alliance/dpa

Nevoja e një integrimi më të mirë

155.000 rumunë dhe bullgarë janë të punësuar aktualisht në Gjermani, shkalla e papunësisë së tyre është më e ulët se e punëtorëve të tjerë të huaj. Tani rumunët dhe bullgarët mund të fillojnë punë në të gjitha degët e industrisë. "Prandaj ne kemi mundësi më të mira për integrimin e njerëzve nga këto dy vende, për të cilët tani nga 1 janari ka hyrë në fuqi liria e lëvizjes", thotë Heinrich Alt nga bordi i Agjencisë Federale të Punësimit.
Alt, i cili në krye të Agjencisë së Punësimit është përgjegjës për qendrën e vendeve të punës, si dhe për ndihmën sociale Hartz IV, thotë megjithatë, se "ne aktualisht kemi një problem, që imigrimi nga këto dy vende përqëndrohet në rajone të caktuara dhe atje lindin probleme, të cilat komunat Duisburg, Dortmund, Berlin, Mannheim, Offenbach, nuk mund t'i zgjidhin të vetme."

Komunat problematike vuajnë

Fotografi: picture-alliance/dpa

Në komunat problematike, sipas ekspertëve, punojnë vetëm rreth dhjetë deri 20 për qind e të ardhurve. Megjithatë atje shumë pak tërheqin ndihma sociale. Por këta njerëz, që nuk tërheqin as ndihma sociale dhe as nuk janë në marrëdhënie të tilla pune, që të jenë të obliguar për të paguar sigurime sociale, përbëjnë një problem të madh", thotë Herbert Brücker nga Instituti për Tregun e Punës. Po të shohësh në përgjithësi rumunët dhe bullgarët në Gjermani, "ata kontribuojnë për pensionet dhe sistemet e sigurimit shoqëror, kështu që shteti social fiton."

Në Agjencinë Federale të Punës në Nyremberg kanë filluar me marrjen e fuqisë së re të punës. Akoma mungojnë punonjësit e administratës dhe punonjës socialë me njohuri të mira të gjuhës rumune dhe bullgare për të ndihmuar personat, që kërkojnë punë nga këto dy vende.