1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania nga vendet e mesit

Lydia Leipert15 Shkurt 2007

Studimi i UNICEF-it mbi gjendjen e fëmijëve në vendet e industrializuara

Një nxënëse e klasës së parë në ditën e parë të shkollës në Frankfurt mbi Main
Një nxënëse e klasës së parë në ditën e parë të shkollës në Frankfurt mbi MainFotografi: AP

Pikërisht në ditën e dashurisë, Shën Valentinin, Gjermanisë i duhet të mësojë që prindërit gjermanë kanë shumë pak kohë për fëmijët e tyre - para së gjithash ata flasin tepër pak me ta. Në krahasim me këtë prindërit italianë apo hungarezë u përkushtohen dukshëm më shumë fëmijëve të tyre. Këtë e dëshmon një studim mbi gjendjen e fëmijëve në vendet e industrializuara, i publikuar dje në Berlin nga UNICEF-i. Organizata e Kombeve të Bashkuara i dha një notë të keqe Republikës Federale Gjermane. Sepse në krahasim ndërkombëtar kushtet e jetës të fëmijëve gjermanë gjenden në mes të renditjes.

Vetëm vendin e 11 nga gjithsej 21 zë Gjermania kur bëhet fjalë për gjendjen e fëmijëve në krahasimn ndërkombëtar. Në një studim UNICEF-i krahasoi gejndjen e brezit të ri në vende të ndryshme të industrializuara. Pjesë e studimit ishin të dhënat për situatën materiale, shëndetin dhe arsimimin e fëmijëve. Por edhe vlerësimi i fëmijëve vetë u morr parasysh, shpjegon drejtuesja e studimit Marta Santos Mais:

"Për të parën herë i kushtohet mjaft vëmendje këndvështrimit të fëmijëve. Se si e shohin fëmijët jetën e tyre të përditshme dhe si e vlerësojnë ata të ardhmen e tyre."

Pritjet ndaj së ardhmes janë të zymta pikërisht tek fëmijët gjermanë. Më shumë se 30 për qind e 15 vjeçarëve besojnë që nuk do të zënë punë të kualifikuar - për kryetaren e UNICEF-it në Gjermani, Heide Simonis, arsye për shqetësim:

"Shqetësues është fakti që ata kanë siguri relativisht të vogël që shkolla i pajis me ato dije që do u duhen më vonë në tregun e punës. Dhe kur sheh nivelin e papunësisë së të rinjve, atëherë ky është një përfundim i natyrshëm."

Studimi dëshmon që fuqia financiare e një vendi nuk është faktori vendimtar për mirëqenien e fëmijëve: Sepse paratë e një familjeje nuk shpenzohen automatikisht në kujdesin për fëmijët - për shembull në rastin e prindërve alkoolistë apo kumarxhinj patologjikë. Gjendja materiale e fëmijëve në Gjermani, Itali dhe Japoni - të gjitha këto vende financiarisht të forta - zë pozicionet e fundit të renditjes.

Brendapërbrenda Gjermanisë ekzistojnë dallime të mëdha, shpjegon Hans Bertram. Ai drejton pjesën gjermane të studimit dhe thekson përshtatshmërinë e Saksonisë për fëmijët, land i cili nuk bën pjesë ndër më të pasurit në Gjermani:

"Për shembull në arsim , por edhe në shëndetësi Saksonia zë një pozicion shumë më të mirë sesa një qytet-land si Hamburgu, ku gjendja ekonomike është jashtëzakonisht e mirë. Kjo do të thotë që lande të veçanta si për shembull qytetet-lande duhet të hartojnë strategji të ndryshme nga ato të landeve me sipërfaqe të mëdha."

Pikërisht Berlini, Hamburgu dhe Bremeni zënë vendet e fundit në renditjen gjermane dhe shënojnë hendekun tejet të madh mes landeve. Por këto dallime brendapërbrenda një vendi shfaqen gjithashtu në SHBA ose edhe në Itali.

Përmirësimin e mjedisit për fëmijët në Gjermani e kërkon drejtuesi i degës së UNICEF-it në Gjermani Dietrich Garlichs. Kjo është arritur sipas tij tjetërkund:

"Në thelb vendet e tjera kanë epërsi në ofrimin e një mjedisi më të sigurt për fëmijët jashtë familjes. Ato kujdesen më mirë për familjet e dobta nga pikëpamja sociale dhe për fëmijët me sfond migrant."

Si për shembull në Holandë, e cila sipas studimit është vendi më i përshtatshëm për fëmijët. E ndjekur nga afër prej evropianoveriorëve, si Suedia, Danimarka dhe Finlanda. Fare në fund janë nga ana tjetër Britania e Madhe dhe SHBA.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW