Gjermania optimiste për negociatat e statusit
23 Janar 2006
Qeveria gjermane shpreson, që në vazhdim të negociatave për statusin, pala kosovare do ta kujtojë Rugovën si simbol të bashkimit. Këtë e shprehu në konferencën e sotme për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane, Martin Jaeger.
Mes të tjerash, ai vuri në dukje meritat kryesore të ish-presidentit kosovar: "Rugova ka qenë për vite me radhë një mik besnik dhe i besueshëm i Gjermanisë. Ai ka luajtur një rol qëndror në ndërtimin e strukturave demokratike në Kosovë dhe ka qenë dhe do të mbetet simbol për bashkimin e popullit kosovar."
I pyteur nga Dojçe Velja për situatën e sigurisë në Kosovë, Jäger tha më tej, se për momentin nuk ka shenja që flasin për keqësim: "Përkundrazi, me deklaratat e saj të para, pala kosovare bëri të qartë njëzëri, se është më se e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka. Mbi këtë bazë ne mund të vazhdojmë me optimizëm bisedimet për statusin," – tha Jaeger.
Qeveria gjermane ende nuk e ka caktuar se kush do ta përfaqësojë atë në ceremoninë e varrimit të presidentit kosovar.