1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania planifikon kontrolle afatshkurtra kufitare

23 Shtator 2023

Ministrja e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser po verifikon mundësinë e kontrolleve kufitare me afat të shkurtër në kufirin e Gjermanisë me Poloninë dhe Çekinë.

Një polic gjerman dhe polak në kufirin polako-gjerman
Fotografi: Patrick Pleul/dpa/picture alliance

Për një kohë të gjatë, ministrja gjermane e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser i kishte refuzuar kontrollet kufitare me Poloninë dhe Çekinë. Tani ajo nuk po e përjashton më këtë mundësi dhe i hap rrugë kështu një kërkese të Unionit. Në debatin për kufizimin e migracionit të ilegal, ministrja Faeser do të verifikojë kontrollet lokale kufitare me Poloninë dhe Çekinë. "Masa përkatëse shtesë të kontrolleve policore janë aktualisht duke u verifikuar", bëri të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Më parë në një intervistë për gazetën "Welt am Sonntag", Faeser ishte treguar e hapur për masa të tilla. "Sipas mendimit tim është një mundësi për të luftuar më shumë kriminalitetin e kontrabandës."

Duhen ruajtur kufijtë e jashtëm të BE

Politikanja socialdemokrate theksoi, se kontrollet shtesë duhet të bashkëveprojnë me mbikqyrjen e të gjithë zonës kufitare përmes kontrolleve të maskuara. Ka kohë që për këtë arsye është forcuar prezenca e policisë federale në kufijtë polakë dhe  çekë, tha Faeser. Sipas saj, nuk duhet të presim, se nuk do të vijnë më azilkërkues, sepse nëse një person kërkon azil në kufi, duhet që kërkesa të procedohet në Gjermani. Vendimtare është ruajtja e kufijve të jashtëm të BE, "të cilën e arrijmë me një sistem të përbashkët azili."

Ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy FaeserFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Të premten, Faeser u shpreh në Bundestag, se kontrolle të tilla "pjesërisht" mund të jenë efektive në luftimin e kontrabandës. Në debatin e Bundestagut, ministrja socialdemokrate u kritikua ashpër nga opozita. Kreu i grupit të CSU, Alexander Dobrindt e akuzoi qeverinë, se po bllokon masat që duhen marrë kundër shifrave në rritje të refugjatëve, si kontrollet kufitare edhe kategorizimin e Gjeorgjisë dhe Moldavisë vende të sigurta origjinë. Ministrja e Punëve të Brendshme nuk i pranoi akuzat dhe akuzoi Unionin konservator për populizëm. "Masat tona kanë efekt. Ne e komandojmë dhe rregullojmë migracionin", tha Faeser duke iu referuar kontrolleve të shtuara në kufijtë polakë dhe çekë.

la/ag