1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KonflikteEuropë

Gjermania: Mijëra të plagosur çdo ditë në rast lufte

24 Shtator 2025

Forcat e armatosura gjermane po përgatiten për të trajtuar deri në 1,000 ushtarë të plagosur në ditë në rast lufte midis NATO-s dhe Rusisë, pas disa paralajmërimeve.

Bundeswehri gjatë stërvitjeve, disa ushtarë bartin një të "plagosur"
Bundeswehri gjatë stërvitjeveFotografi: Sean Gallup/Getty Images

Forcat e armatosura gjermane po planifikojnë se si të trajtojnë rreth 1,000 ushtarë të plagosur në ditë nëse shpërthen një konflikt i madh midis NATO-s dhe Rusisë. Këto përgatitje po bëhen pas paralajmërimeve nga Aleanca, se Moska mund të jetë e aftë të nisë një sulm ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s që në vitin 2029.

Moska ka hedhur poshtë të gjitha paralajmërimet se po përgatitet për luftë me Aaleancën ushtarake NATO, por incidetet e fundit nga aeroplanët dhe dronët rusë në territorin e vendeve të NATO-s kanë rritur frikën e përshkallëzimit.

Shefi i shtabit të Gjermanisë, Ralf Hoffman, tha se numri i ushtarëve të plagosur në një konflikt të mundshëm do të varet nga intensiteti i luftimeve dhe nga njësitë ushtarake që do të ishin të përfshira.

Ofrimi i ndihmave për ushtarët e "plagosur"Fotografi: picture alliance / dpa

"Realisht, po flasim për përgatitjet për një shifër prej rreth 1,000 ushtarësh të plagosur në ditë", tha ai për Reuters në një intervistë.

Ushtritë evropiane, përfshirë shërbimet e tyre mjekësore, kanë rritur përgatitjet për një konflikt të mundshëm me Moskën për shkak të një pushtimi të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, që është konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Mësimet nga Ukraina

Gjermania po e përshtat vazhdimisht trajnimin e saj mjekësor, duke përfshirë mësimet nga lufta në Ukrainë. "Natyra e luftës ka ndryshuar në mënyrë dramatike në Ukrainë”, thotë Hoffmann, duke përmendur kalimin nga plagët me armë zjarri në lëndime nga shpërthimet dhe djegiet e shkaktuara nga dronët dhe municione të tjera.

Ushtarët ukrainas e përshkruajnë një korridor të mbushur me dronë, i cili shtrihet rreth 10 km në të dyja anët e frontit, si një "zonë vdekjeje”, pasi dronët nga të dyja palët zbulojnë dhe neutralizojnë shpejt objektivat.

Shtretërit e përgatiturFotografi: Thomas Frey/imago

"Ukrainasit shpesh nuk mund t'i evakuojnë të plagosurit e tyre aq shpejt sa duhet, sepse dronët fluturojnë kudo”, tha Hoffmann. Ai nënvizon nevojën për stabilizim të ushtarëve të plagosur, që ndonjëherë mund të zgjasë me orë të tëra, pikërisht në vijën e frontit.

Hoffmann tha, se nevojiten opsione fleksibile për transportimin e të plagosurve, duke vënë në dukje se Ukraina përdor trena spitalorë. Për këtë arsye, ushtria gjermane po shqyrton trenat dhe autobusët spitalorë, si dhe zgjerimin e evakuimit mjekësor nga ajri.

Të plagosurit do të merrnin kujdesin fillestar në front dhe më pas do të transportoheshin përsëri në Gjermani për trajtim të mëtejshëm, kryesisht në spitale civile, shtoi Hoffmann.

Ai vlerëson se do të nevojiten rreth 15,000 shtretër spitalorë nga kapaciteti total i spitaleve gjermane prej 440,000. Shërbimi mjekësor i Ushtrisë gjermane, i cili ka 15,000 vetë personel, do të zgjerohet për të përmbushur nevojat e ardhshme, shtoi ai.

 

dw/bc

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW