1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania po plaket dhe rritja e popullsisë mbetet e ulët

10 Prill 2024

Një studim i fundit tregon se deri në vitin 2040 popullsia e Gjermanisë pritet të rritet me vetëm 0.6%. Njëkohësisht numri i njerëzve në moshë pune pritet të bjerë nën 50% .

Gjermani, plakja e popullsise
Deri në vitin 2040 rreth 28% e popullsisë së Gjermanisë do të jetë 65 vjeç ose më shumë Fotografi: Michael Gstettenbauer/IMAGO

Sipas një studimi të publikuar nga Fondacioni Bertelsmann Gjermania pritet të përjetojë deri në vitin 2040 një rritje të lehtë të popullsisë prej 0.6%.

Parashikimi bazohet në të dhënat për lindjet, vdekjet dhe migrimin të ofruara nga Zyra Federale e Statistikave.

Pabarazi gjeografike

Rritja më e madhe e popullsisë pritet në landin jugperëndimor Baden-Württemberg me një rritje prej 4.6%. Popullsia e Berlinitpritet të rritet me 5.8%, dhe Hamburgu, qyteti i dytë më i madh i Gjermanisë, parashikohet të ketë rritje prej 3.5%.

Kurse popullsia në landin lindor Saksoni-Anhalt pritet të ketë një rënie prej 12.3% të popullsisë.

Gjermania po plaket dhe rritja e popullsisë mbetet e ulët Fotografi: Jens Kalaene/dpa/picture alliance

Tkurrje e popullsisë parashikohet edhe në landet lindore të Tyringjisëme 10.9% dhe Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore me 7.3%.

Gjermania po plaket

Ralph Heck, kryetar i Fondacionit Bertelsmann, tha se rritja e numrit të të moshuarve në shoqërinë gjermane është e dukshme pothuajse në të gjitha landet federale.

Sipas studimit përqindja e banorëve të moshës 65 vjeç e lart do të rritet në Gjermani nga 22% në vitin 2020 në 28% në vitin 2040.

Në të njëjtin hark kohor përqindja e njerëzve në moshë pune do të bjerë nga 54 në 48%, ndërkohë që përqindja e grupmoshave më të reja në numrin e përgjithshëm të popullsinë do të mbetet pothuajse e pandryshuar.

"Tani nevojiten strategji të dedikuara për të zhvilluar një infrastrukturë të përshtatshme për brezat e vjetër dhe për të kapërcyer sfidat ekonomike që do të shfaqen", tha Heck.

Plakja e popullsisë në Gjermani

02:22

This browser does not support the video element.