Gjermania: Rugova, simbol i bashkimit kosovar
26 Janar 2006
"Angazhimi gjerman në Kosovë është i madh dhe do të mbetet i tillë. Ne mbështesim grupin e kontaktit dhe shpresojmë që mbas vdekjes së Rugovës, në varrimin e të cilit do të marr pjesë edhe unë, në Kosovë do të dalin udhëheqës të aftë për të marrë vendime dhe që janë në gjendje, ta vazhdojnë procesin e negociatave," kështu ka deklaruar ministri gjerman i punëve të jashtme Frank Valter Shtajnmajer të mërkurën në Berlin.
Në konferencën e shtypit të qeverisë, zëdhënësi i tij do ta bënte edhe një herë të qartë, se çfarë simbolizon udhëtimi i ministrit gjerman për në Prishtinë: "Qeveria gjermane me kete nënvizon edhe një herë vlerësimin që i bëjmë Rugovës për rolin e jashtëzakonshëm, që ka luajtur. Ai ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i bashkimit të Kosovës," deklaroi të mërkurën në Berlin, zëdhënësi i ministrisë së jashtme Martin Jaeger.
Ballkani zinte të mërkurën një vend të rëndësishëm në axhendën e ministrit gjerman të punëve të jashtme, Frank Valter Shtajnmajer. Mbasdite ai pati një takim me përfaqësues të Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanit, ku mes të tjerëve, merrnin pjesë ish-kryeministri italian, Xhuliano Amato, si edhe ish-presidenti i Gjermanisë, Rihard fon Vajczeker. Temë e bisedës ishte perspektiva evropiane e Ballkanit.
Deri në shtator të këtij viti, Gjermania është zotuar se do të ketë hartuar planin e punës për veprimtarinë e saj në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, kur do të jetë kryetare e radhës së Bashkimit Evropian.
Një orë më parë, mysafir i ministrit të jashtëm Shtajnmajer, kishte qenë, Kristian Shvarc-Shilling, që në fillim të muajit të ardhshëm do të fillojë detyrën e re si Përfaqësuesin i Lartë i Bashkimit Evropian në Bosnjë Hercegovinë. Shtajnmajer i garantoi politikanit gjerman mbështetje të plotë në detyrën e tij të re. Për televizionin e Dojçe Veles ai përmblodhi:
"Nga këto dy biseda, u bë e qartë, se sa e rëndësishme është, që të ruhet perpektiva evropiane e Ballkanit. Pa këtë perspektivë evropiane nuk do të ketë stabilizim të rajonit. Ky stabilitet është i rëndësishëm për Evropën, prandaj edhe ne duhet të këmbëngulim në të."