Gjermania zgjedh parlamentin e ri
22 Shtator 2013Në Gjermani zgjidhet sot parlamenti i ri. Rreth 62 milionë vetë janë ftuar të përcaktojnë me votën e tyre përbërjen e Bundestagut të ri. Ndër ta janë tre milionë votues që votojnë për herë të parë. Sipas sondazheve të fundit kancelarja Angela Merkel, CDU, mund të shpresojë për një mandat tjetër katërvjeçar.
Paqartësi rreth partnerëve në koalicion
Gjithësesi është e paqartë se cili do të jetë partneri në koalicion. Sipas sondazheve të opinionit publik gara mes kampit qeveritar të CDU / CSU dhe FDP dhe opozitës është kokë më kokë dhe duket se dallimet në rezultate nuk do të jenë të thella.
Si koalicionet më të mundshme konsiderohen vazhdimi i qeverisë së përbërë nga CDU / CSU dhe FDP apo një koalicion i madh mes CDU dhe SPD. Partia Socialdemokrate SPD nga e saj parapëlqen si partner për koalicion Të Gjelbrit. Vendimtare për rezultatet e zgjedhjeve me sa duket është pjesëmarrja e votuesve.
Mobilizim deri në fund të fushatës
Të shtunën, si Merkel dhe Steinbrück bënë përpjekjet e fundit për të thithur votuesit.
Merkel, 59-vjeç, tha para rreth 4.000 përkrahësve të saj në kryeqytetin gjerman, Berlin, se dëshiron të vazhdojë ta drejtojë ekonominë më të madhe të Evropës si "kancelarja tuaj edhe për katër vjet të tjera." Në mes të frikërave se Gjermanisë mund t'i duhet në fund të mbajë barrën kryesore për shpëtimin Greqinë nga problemet e saj me borxhet, Merkeli foli gjerë e gjatë për rëndësinë e Evropës për Gjermaninë.
Peer Steinbrück, 66 vjeç, qëndroi në ditën e fundit të fushatës elektorale në Frankfurt. Në takimin e tij elektoral ai u kërkoi të pranishmëve ta votojnë për të ndryshuar politikën në Gjermani.
Votime edhe për parlamentin në landin e Hesenit
Paralelisht me zgjedhjet për Bundestagun, sot zhvillohen edhe zgjedhjet për parlamentin e ri në landin e Hesenit. Si edhe në nivel federal, edhe në Hesen pritet gjithashtu një garë të ngushtë, sepse sipas sondazheve të fundit si koalicioni që qeveris këtë land i përbërë nga CDU dhe FDP edhe opozita e përbërë nga SPD dhe të Gjelbrit kanë dalë pothuajse barabar.
Rezultatet e para paraprake priten pak pas orës 18:00. Rezultati paraprak zyrtar pritet gjatë mesnatës.