1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanishtja në Maqedoni - Projekti "Shkollat - Partnere të së ardhmes"

15 Maj 2010

Mësimi i gjuhës dhe njohja e kulturës gjermane po institucionalizohet me sukses në sistemin edukativ arsimor në Maqedoni. Ndihmë të madhe po ofron Ministria e Jashtme gjermane përmes projektit PASH.

Nxënës në një shkollë fillore në Maqedoni.
Fotografi: Petr Stojanovski

Pesë shkolla fillore dhe gjimnaze nga qyteti i Shkupit janë inkuadruar në sistemin global edukativ për mësimin e gjuhës dhe kulturës gjermane, që mundësohet përmes projektit PASH me moton “ Shkollat - Partnere të ardhmërisë”. Projekti i inicuar nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë dhe Instituti Gëte, ka për qëllim që të rinjtë nga mbarë bota përmes rrjetit PASH të mësojnë gjuhën gjermane dhe të njohin nga afër kulturën gjermane.

“Projekti PASH është prezent në 1500 shkolla anë e mbanë botës. Në të mund të inkuadrohen shkollat më të mira të vendeve, të cilat kanë profil të sukseshëm dhe tregojnë interesim për gjuhën dhe kulturën gjermane", thotë Tomas Dikhaus, drejtor i Institutit Gëte në Shkup.

Ministria e Arsimit i ka dhënë mbështetje të plotë projektit PASH sepse nxënësit në Maqedoni përkrah gjuhës angleze mund të mësojnë edhe gjuhën gjermane që në klasën e parë të shkollës fillore.

“Po bëjmë përpjekje që ky projekt të jetë pjesë e zgjidhjes sistemore në procesin arsimor në Maqedoni. Ne dëshirojmë që nxënësve t'u mundësojmë mësimin e gjuhës gjermane në vazhdimësi, në mënyrë që një ditë të kenë mundësi edhe të studiojnë në universitetet e Gjermanisë “, deklaron Vesna Horvatiç, drejtore e Zyrës për Zhvillim të arsimit.

Tek nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme interesimi për mësimin e gjuhës gjermane është tejet i madh. Ata janë krenarë që tani mund të shprehen edhe në gjuhën gjermane.

“Jam Ivana Janevska nxënëse e shkollës fillore “Vllado Tasevski”. E dua gjuhën gjermane dhe jam e gëzuar që e mësoj këtë gjuhë”, thotë një nxënëse.

Edhe Vasilika Kallajxhiska merr pjesë në mësimin e gjuhës gjermane përmes projektit PASH. "Është gjuhë të cilën e dua shumë, por kam pak probleme me gramatikën se më duket e vështirë”, thotë ajo.

Me ndihmën e institutit Gete bëhet trajnim i kuadrit mësimdhënës i cili është i përfshirë në projektin për mësimin e gjuhës dhe kulturës gjermane. Mësuesja e gjuhës gjermane, Spaska Sllaveva, thotë se interesimi për të mësuar këtë gjuhë është tejet i madh si tek nxënësit ashtu edhe tek prindërit e tyre: "Mësimi i gjuhës gjermane për nxënësit e grupmoshave të vogla bëhet me metoda të veçanta siç janë kënga dhe loja."

Ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Ullrike Knoc thotë, se mësimi i gjuhëve të huaja do të thotë të kesh vullnet të mirë, shumë kohë dhe durim:

“Gjuha është diçka më shumë se sa vetëm mjet i komunikimit, gjuha është çelsi për t'u kuptuar me njëri-tjetrin, mjet i cili të ofron shoqëri të reja."

Në projektin PASH së shpejti do të inkuadrohen edhe një numër i konsiderueshëm i shkollave nga mbarë Maqedonia, ndërsa nxënësve do t'u mundësohet edhe qëndrim afatshkurtër në shkolla të Gjermanisë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Eliana Xhani