Gjibraltari mollë sherri
13 Gusht 2013 Në kuadrin e ashpërsimit të kontrolleve në kufirin me Gjibraltarin qeveria britanike është duke shqyrtuar mundësinë e veprimeve ligjore kundër Spanjës. Kontrollet janë të pashembullta në histori, u deklarua nga Downing Street në Londër. Për spanjollët ato janë legale dhe të domosdoshme.
Spanja është e detyruar të kontrollojë në kufirin me Gjibraltarin, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Spanjolle, sepse territori ndëroqeanik britanik nuk i përket zonës Shengen, në të cilën zakonisht nuk kryhen kontrolle kufitare. Tani mendohet të ngrihet një padi para Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Sigurimit, ose Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Britania e Madhe dërgon luftanije në Mesdhe
Në mesin e tensioneve ndërmjet këtyre dy vendeve të BE ministria e Brendshme Britanike njoftoi se do të dërgojë luftanije në rrugën për një Gjibraltar. Të martën fregata "HMS Westminster" do të dalë në det për të arritur brenda një jave kepin jugor të gadishullit Iberik. Sipas ministrisë manovra është një ushtrim rutinë i planifikuar prej kohësh. Edhe pse Britania e Madhe dhe Spanja e vlerësojnë shumë njëri-tjetrin, ministri britanik për Europën David Lidington shkruante në gazetën "The Sun". Por kjo nuk do të thotë se "ne duhet të bëjmë një sy qorr, kur njerëzit në Gjibraltar kërcënohen, apo vihen nën trysni." Mediat spanjolle i vlerësuan manovrat detare si veprime frikësuese.
Kryeministri Mariano Rajoy njoftoi të premten nga ana e tij masa për mbrojtjen e interesave spanjolle. Megjithatë fjala është vetëm për "masa të ligjshme dhe adekuate", tha kreu i qeverisë.
Barriera artificiale ka ndezur një debat të ashpër
Spanja akuzon Gjibraltarin se ka fundosur në fund të korrikut në ujërat spanjolle blloqe betoni me tela me gjemba për të krijuar një barrierë artificiale. Në këtë mënyrë peshkatarët spanjollë mbahen larg nga pjesët detare pranë Gjibraltarit. Autoritetet spanjolle janë përgjigjur me shpeshtimin e kontrolleve në kufi me Gjibraltarin. Kjo ka çuar në vonesa disa orëshe të spedicioneve.
Që nga viti 1973 Gjibraltari i takon Britanisë së Madhe. Spanja ngre pretendime ndaj territorit transoqeanik britanik në cepin jugor të gadishullit Iberik. Shumica e banorëve megjithatë janë kundër aneksimit nga Spanja.