1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjirokastër: grevë urie e banorëve të pallatit të rrëzuar

Odise Kote/ Gjirokastër18 Dhjetor 2008

Greva e urisë nis një muaj e gjysëm pas tragjedisë së 9 nëntorit 2008 në Gjirokastër. Rrëzimi i pallatit u mori jetën 3 viktimave plagosi e la pa strehë të tjerë. Por banorët e pallatit nuk kanë përfituar ndihma.

Ndërtesa të reja pranë ndërtesave të vjetra në Tiranë
Ndërtesa të reja pranë ndërtesave të vjetra në TiranëFotografi: DW

15 familjet që i mbijetuan tragjedisë së 9 nëntorit të këtij viti, ku u shemb një pallat pesëkatësh, humbën jetën tre viktima e u plagosën 13 të tjerë kanë hyrë në një grevë urie pa afat. Në ditën e katërt të kësaj greve, ata i janë drejtuar me një peticion presidentit të republikës Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha dhe të gjithë trupit diplomatik që vepron në Shqipëri. Përfaqësuesi grevistëve Fejzi Aliu:

"Ne ish-banorët e pallatit të Gjirokastrës që u shemb në datën 9 nëntor 2008, si pasojë e një ndërtimi të paligjshëm pranë tij, e vlerësuam faktin që ju erdhët që në orët e para të katastrofës e na premtuat se situata jonë do të përmirësohej sa më shpejt. Tani konstatojmë me indinjatë të thellë se zhvillimet jo vetëm nuk marin për mirë, por përkundrazi po shkojnë drejt katastrofës,ç'personalizimit, sepse jemi pa banesë e në kushte të vështira".

Përfaqësues të pushtetit vendor dhe të forcave politike kanë kontaktuar me grevistët duke u bërë thirrje të ndërpresin grevën. Përfaqësuesi Këshillit të Qarkut, Bexhet Çobani thotë se për 15 familjet që shpëtuan nga tragjedia e 9 nëntorit

"Është hartuar gjithë dokumentacioni pranë qeverisë shqiptare, që ata të marrin lekët për hyrjet e tyre. Dita e dëmshpërblimit do të jetë shumë e afërt, pasi vendimi i qeverisë është marrë, por po vonohet për disa procedura burokratike."

Greva e 15 familjeve zhvillohet pothuaj në qiell të hapur, në rrënojat e pallatit të shembur, ndaj gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë. Doktor Laver Stroka që e ndjek nga afër situatën mjekësore, thotë se gjendja pas ditës së katërt është tejet e rëndë, pasi duke e zhvilluar grevën në një vend thuajse jashtë, në të ftohtë e suferinë, grevistët është shumë e vështirë të marrin trajtim mjekësor...:

"...sepse përdorimi i ulësve të tensionit mund të bëjë një rënie të menjëhershme e mund të çojë në gjendje shokante. Jemi të detyruar të përdorim me shumë kujdes ilaçet për mjekimin e tyre"

Grevistët kanë deklaruar se do ta vijojnë grevën deri në flijim nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre për kompesim dhe dhënien e apartamenteve që ata humbën.


(AUD)