Gjithnjë e më shumë viktima nga përmbytjet në Pakistan
31 Korrik 2010Gjatë përmbytjeve të mëdha në veri të Pakistanit dhe në pjesën pakistaneze të Kashmirit, numri i viktimave ka mbërritur në rreth 1.100 vetë. Ekipe shpëtimi dhe njësi të ushtrisë janë dërguar në rajonin e fatkeqësisë për t'u ardhur në ndihmë dhjetëra mijëra njerëzve të prekur, bënë të ditur autoritetet të shtunën (31.7.). Por shumë rrugë janë shkatërruar dhe ata shpesh nuk mbërrijnë deri tek nevojtarët. Ndihmësit sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara përdorin helikopterë ushtarakë, kamionë dhe varka për t'u ardhur në ndihmë viktimave.
Përmbytjet më të rënda që prej vitit 1952
Pas reshjeve të forta të monsunit, lumenjtë dolën nga shtrati dhe përmbytën territore të tëra. Sipas të dhënave të qeverisë së provincës deri tani më shumë se 400 mijë vetë kanë humbur shtëpitë e tyre. Mediet pakistaneze flasin për përmbytjet më të rënda në rajon që prej 80 vjetësh.
Ndërkaq në rajon po shtohet frika nga epidemitë. Disa viktima kanë diarre, të tjerë sëmundje lëkure, tregon një mjek në një nga kampet e emergjencës, ku janë strehuar njerëzit e mbetur pa shtëpi. Sipas Kombeve të Bashkuara rreth një milionë vetë janë të prekur nga përmbytjet.
Pakistani kërkon ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare
Ministri i Informacionit i një prej provincave të prekura më rëndë Khyber-Pakhtunkhwa në veriperëndim të Pakistani, Mian Iftikar Hussain, iu lut bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë të shpejtë. Nëse nuk do të ketë mbështetje për ekipet vendore të shpëtimit, "situata mund të kthehet në një katastrofë të madhe humanitare", tha ai.
Qeveria gjermane ka vënë një milion euro në dispozicion si ndihma humanitare emergjente. Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Berlin. Komisioni Evropian njoftoi në Bruksel se do të japë 30 milionë euro ndihma emergjente.
Monsuni fillon në Azinë Jugore në fillim të qershorit dhe zgjat deri në shtator. Moti i keq dhe përmbytjet shkaktojnë çdo vit viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale.
Autor: ap, dpa, kna/xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj