170511 DSK Verschwörung
17 Maj 2011Ai që hapi radion ose televizorin të martën në mëngjes në Francë u përball me paraqitjet më të tmerrshme të burgut të New Yorkut, ku ndodhet Dominique Strauss -Kahni. Po si u gjend ai në këtë burg? Megjithëse të gjithë e paraqesin francezin si qejfli, DSK-në, siç e quajnë shkurt, asnjë nga miqtë e tij nuk e përfytyron si përdhunues.
Deputeti i njohur socialist, Jean-Christophe Cambadelis ishte një ndër të parët, që doli me një shpjegim: "Unë jam gjithçka tjetër por jo një teoricien komplotesh, megjithatë unë kujtoj faktin që Dominique Strauss-Kahnit i patën premtuar zjarrin nuklear, po të ndërmerrte hapat e parë si kandidat presidencial socialist."
Dhe një doras gjithashtu është gjetur: Jonathan Pinet, një aktivist i ri konservator, i cili pak minuta pas arrestimit të DSK-së thuhet se informoi me Twitter: "Incident i rëndë me Strauss-Kahnin në Nju Jork". Këtë ai e kishte dëgjuar nga një shok. Si mund ta dinte këtë Pinet-ja? Vetëm sepse në rrethin e partisë së Nikola Sarkozisë UMP kishte përgatitur një kurth. Arnaud Dassier, i cili pati organizuar më 2007 në internet fushatën e Sarkozisë, akuzohet që e përhapi me shpejtësi këtë lajm nga Nju Jorku. Ai megjithatë nuk i pranon kritikat:
"E gjithë teoria e komplotit bazohet në një lajm të shkurtër, i cili u vendos që natën në faqen e internetit "le post.fr.", me fakte që nuk janë të vërteta. Aty thuhet se unë kam fshirë lajmin tim që kam shkruar më parë- e gabuar! As e dhëna kohore nuk është e saktë."
Teoria e komplotit u mbështet edhe nga gazeta Liberation. Antoine Guiral, një gazetar i një gazete liberale të majtë qe takuar në prill me Strauss-Kahnin: "Në takim ai foli për mundësinë e një inskenimi. Ai foli për ndonjë përdhunim në një hotel. Dikujt, ndonjë person mund t'i jepte 500.000 Euro pse një milionë, dhe atëherë ai do të këndonte."
Por disa gazetarë në Francë thonë se askush nuk i kishte marrë seriozisht lajmet e njohura për përdorimin e dhunës nga DSK-ja, të cilat kishte kohë që ekzistonin. Nga ana tjetër, në vazhdën e teorisë së komplotit, policinë e Nju Jorkut e akuzojnë se kërkon t'i tregojë vendin një francezi.
Autor: Johannes Duchrow/ Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama